Mirëmëngjesi,
Duket shumë e largët dita, kur ndiqja në Tepelenë, Përmet apo Gjirokastër, evente që zhvilloheshin nën sloganin, apo kërkesën ultimative nga shoqëria civile “Vjosa Park Kombëtar Tani”.
As isha në këtë detyrë dhe as nuk e përfytyroja se do të isha, por as nuk e rrokja tamam se si mund të realizohej ky proces që për së largu më dukej i paqartë se cfarë do të sillte si pasojë, jo vetëm për mbrojtjen e lumit por edhe për jetën dhe zhvillimin e qendrueshëm në atë krahinë pjesë e të cilëve unë jam.
Kjo ka qenë në thelb arsyeja pse kur në nëntor të 2021 Ryan Gellert dhe grupi i përfaqsuesve të OJQ mjedisore erdhën në zyrën time, atë të Ministrit të Mjedisit me kërkesën “Vjosa National Parc Noë”, kërkova të kuptoj,
jo vetëm si një prej grave e burrave të zonës që kanë lidhur jetën me atë ekosistem,
por të di çdo detaj edhe si ministër me përgjegjësinë që një vendim për të shpallur një zonë të mbrojtur duhet të jetë j thjesht një akt administratv mbi një hartë nga kompjuteri por një vizion i qartë për sot dhe për të ardhmen e një territori ku jetojnë njerëz të kësaj toke.
Ishim bashkë me kryeministrin Rama, kur vendosëm të bashkonim forcat
me Ryan Gellert, – që pak më vonë do të na bashkohet online direkt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, – CEO-n e Patagonias ka qenë bashkëudhëtarja e pandarë në këtë rrugëtim që hera-herës i përngjan një ëndrre që shumë e dëshironin e pak e besonin,
me partnerët e IUCN – Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës që sot përfaqsohet shumë denjësisht nga një prej emrave të njohur ndërkombëtarisht në ekspertizën e mbrojtes së Biodiversitetit, si anëtar i jurisë, James Hardcastle – IUCN që çertifikoi gjithë punën tonë voluminoze, me shumë pasionantë të mjedisit që jetën ia kushtuan natyrës e me plot miq të tjerë që i shoh në këtë sallë
Gjithcka më pas ishte kalendar i paracaktuar nga puna, pasioni dhe vullneti:
Në mars të këtij viti, rrëzë Kalasë së Tepelenës, me pamje nga Vjosa që i ndriste nuri dhe nën vellon e buzëqeshjeve të banorëve të asaj krahine që janë rritur me ngjyrën turkuazë të lumit dhe zallin e bardhë, e kthyem Vjosën në modelin më të sinqertë të bashkëjetesës mes zhvillimit dhe mjedisit, e ruajtëm një herë e përgjithmonë marrëdhënien e dashurisë pa kushte të njerëzve të asaj ane me natyrën.
Por Vjosa nuk do të jetë vetëm një mbretëreshë e lumenjve, siç e ka fituar menjëherë titullin në krejt mediat ndërkombëtare, një mbretëreshë e denjë për t’u admiruar me ëndje, për t’u zbuluar me kërshëri, për t’u fotografuar me zell e për t’u përjetuar me gjithë forcën e pasionit si prova më e gjallë se natyra, a Zoti, bëjnë mrekulli dhe fati e desh që pikërisht këtë mrekulli ta kemi në tokën tonë;
Jo, Vjosa do të jetë edhe një motor ekonomik i zhvillimit të qëndrueshëm, jo me artielieri të rëndë, por me turizëm që respekton natyrën, me ekoturizëm, me sporte natyrore, me bujtina e agroturizme që kanë nisur ta popullojnë krejt luginën nga Leskoviku e Çarshova e Përmetit, deri në Këlcyrë e Tepelenë, Memaliaj e Fier, Selenicë e Vlorë, Gjirokastër, Dropull e Libohovë, duke i mbushur me krenari njerëzit që u rritën me gurgullimën e ujit të saj, për t’i dhënë të gjitha mundësitë që të ndërtojnë ekonomi aty, në rrënjët e të parëve të tyre, e të begatohen buzë lumit duke vazhduar jetën në paqe me të, për çka po punojmë tashmë për Planin e Menaxhimit.
Kur në Tepelenë shpallëm Parkun e parë kombëtar të një lumi të egër në Europë, të të fundmit lum të egër, një prej mesazheve më të bukura që mora ishte nga Profesor Rexhep Uka, dashnor i paepur i fuqisë së NATYRËS, i cili e përshkruante Vjosën as më pak e as më shumë por si “një nuse qëmoti, që i duhen rrëfyer hiret e fshehta”.
Sa të drejtë që ka!
Pasi bëmë një punë kolosale për ta shpëtuar, mbrojtur e ruajtur, le t’ia nisim t’i zbulojmë hiret.
Prandaj jemi këtu sot, për të zgjedhur projektin më të mirë të Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informimit. Pa asnjë hezitim dhe për më të mirën hapëm një konkurs ndërkombëtar në shtator të këtij viti.
Sepse Vjosa është kthyer në kartolinën më të bukur të Shqipërisë.
Është kthyer në kartvizitën që na bën krenarë kudo në botë.
Është kthyer në modelin e vendit të vogël që flet përmes një shembulli të guximshëm e të madh.
Nga 16 studio pjesëmarrëse në konkurs, sot do të ndjekim tre idetë finaliste, për të zgjedhur 1 projekt e për t’ua dhuruar atë Vjosës, turistëve dhe brezave.
Për të ndërtuar një Portë për Parkun Kombëtar, që do të marrë siluetën e një qendre moderne vizitorësh, pikënisje e udhëtimit të shumë turistëve prej nga do të marrin informacion për vlerat e Parkut, shtigjet e ecjes, turet, vendet për të fjetur e kështu me radhë, por edhe ku do të tregohen vlerat e jashtëzakonshme të këtij laboratori natyror me 257 lloje zogjsh, e 70 lloje gjitarësh, 150 lloje insektesh, 60 lloje molusqesh, 31 lloje zvarranikësh, e përfytyroni dot këtë muze natyror të gjallë…?
E kemi në Vjosë!
Paralelisht me vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm të Vjosës, për promovimin e saj, kemi punuar me hartimin e planit të menaxhimit; sepse nuk mjafton vetëm ta ruajmë.
Orë të tëra konsultimesh publike në Përmet, në Tepelenë, në Gjirokastër e në Vlorë, me ekspertë nga më të mirët shqiptarë e ata më në zë ndërkombëtarë, për të dëgjuar zërin e banorëve, të bizneseve, të shoqatave, të ambientalistëve, në një proces krejt të hapur e transparent, mbi të gjitha si promovimi i këtij stadi të ri të emancipimit të shoqërisë shqiptare, ku të gjithë bëhemi bashkë për një qëllim të përbashkët.
E padyshim, ishte pikërisht Vjosa nxitja, ose kumbara e anëtarësimit të Shqipërisë në Unionin Ndërkombëtar të Mrojtjes së Natyrës;
anëtarësim për të cilin kemi marrë vendim në qeveri e shumë shpejt do ta miratojmë edhe në Parlament, për ta ulur Shqipërinë në tryezën e vendimeve të mëdha globale për natyrën, diçka që pak e çonim nëpër mend deri pak kohë më parë.
Dhe më mirë se kaq nuk mund të mbyllet viti 2023, që e quajtëm “Viti i Vjosës”, që s’do të kishte qenë i mundur pa ndihmën e çmuar të Patagonia, të IUCN, pa punën e palodhur të të gjithë stafit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura që kujdesen për xhevahiret natyrore të Shqipërisë sonë, dhe sidomos pa mbështetjen pa kushte të Kryeministrit dhe të të gjithë kolegëve të mi ministra që përtej prioriteteve jetike të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, mbrojtjen e mjedisit dhe të biodiversitetit e konsiderojnë po aq të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve të brezit tjetër.
Zhvillimi i qendrueshem duke mbrojtur natyrën dhe duke siguruar mirëqënie për shqiptarët, është sfida jonë.
Faleminderit nga zemra