Fjala e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, në ceremoninë e programit të kredive të favorshme për shtëpi për familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, në ceremoninë e programit të kredive të favorshme për shtëpi për familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit

Nis zbatimi i programit të kredive të favorshme për shtëpi për familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit. Ky është vetëm fillimi i një rruge të re mbështetjeje afatgjatë për familjet e reja të atyre që i shërbejnë ditë-natë shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

VIDEO – Fjala e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, në ceremoninë e programit të kredive të favorshme për shtëpi për familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit:

Kur, në 15 korrik mora detyrën e ministrit të Brendshëm një prej angazhimeve të mia të para ishte të arrinim të përmbyllnim deri në festat e këtij fundviti, 100 kreditë e para, me interes zero, për punonjësit e Policisë së Shtetit. E vura re që tek biseda e parë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me të tjerë që shumë pak e besuan që ne do t’ia arrinim që në një kohë kaq të shkurtër, jo vetëm ta mundësonim  realizimin e  kësaj politike të rëndësishme, por më shumë se kaq, në ditët në vijim, t’u shkojmë edhe për vizitë atyre prej jush, që tashmë i kanë përmbyllur të gjitha procedurat dhe tanimë po merren me mobilimin e shtëpisë.

Kjo do të ndodhë javën e ardhshme. E ftoj Kryeministrin që të shkojmë së bashku në disa prej djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, deri në moshën 40 vjeç, dhe përfitoj nga rasti që t’ia kërkoj Ministrit të Financave, që tani, që ta rrisin pak moshën, të shkojnë në 45 vjeç për vitin e ardhshëm, sepse kemi plot djem dhe vajza, burra e gra, jo vetëm nga struktura e Policisë së Shtetit, por edhe struktura e Forcave të Armatosura, edhe te mjekët e infermierët. Besoj se do ta gjejmë mirëkuptimin tuaj në buxhet që ta ngremë moshën.

I falënderoj të gjithë ata që aplikuan, sepse kjo tregoi besim te ky angazhim i qeverisë, i Kryeministrit personalisht, te kjo politikë e re e cila do të vazhdojë të konsolidohet në muajt e vitet në vijim.

Ne kemi bërë një studim brenda Policisë së Shtetit dhe kemi dalë në konkluzionin që kemi 934 punonjës të Policisë së Shtetit që kanë nevojë të trajtohen me kredinë zero. Se kjo nuk është e lehtësuar, është zero! Nuk paguan asnjë interes, zero interes për punonjësin e policisë dhe me vlerën vjetore të inflacionit vjetor, në fund të këtij procesi, të del shtëpia falas.

Angazhimi im dhe i qeverisë, me mbështetjen e Kryeministrit, është që në vitin e ardhshëm, të kemi të paktën 300 punonjës të Policisë së Shtetit që përfitojnë dhe pastaj me këtë zhvillim ekonomik të vendit, në 2025, të shkojmë e të përmbyllim dhe 500-en tjetër të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë nevojë për t’u trajtuar me një banesë me kredi zero, falas.

Nga 92 punonjës të Policisë së Shtetit që janë sot këtu, përfitues, 16 punonjëse janë vajza, 76 të tjerët janë djem, dhe e bukura e kësaj është që pjesa më e madhe, 78, janë punonjës të rolit bazë.

Kjo është gjëja që më ngroh më shumë dhe t’ju them të drejtën, është pjesa e strukturës së Policisë së Shtetit për të cilën kam pasur dhe do të vazhdoj të kem vëmendjen më të veçantë, duke synuar, bashkë me kolegët dhe Kryeministrin që në 1 korrik të vitit të ardhshëm me fondin që kemi vënë në dispozicion në buxhetin e shtetit prej 400 mln euro, për rritjen e pagave në të gjithë administratën e shtetit Policia e Shtetit të marrë vlerësimin që i takon, edhe për shkak të rezultateve mbresëlënëse që kemi arritur në garantimin e sigurisë publike në vend, gjatë këtij viti të rëndësishëm ku përballuam një sezon turistik si asnjëherë më parë.

Në 31 dhjetor do të jemi në Rinas për të pritur turistin e 10-miliontë që viziton Shqipërinë. E kemi përballuar këtë sfidë të madhe sigurie, me të njëjtën organikë të Policisë së Shtetit, dhe mbi të gjitha me asnjë ngjarje kriminale në dëm të turistëve që vijnë në Shqipëri, si shprehja më e mirë dhe kuptimplotë e besës së shqiptarit, që ndërsa viziton Shqipërinë, ke besën e shqiptarit dhe besën e Policisë së Shtetit.

Doja ta lija pak më vonë në fakt se pas pak minutash ne do të jemi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për të miratuar, – dhe këtu u kërkoj ndjesë mjekëve dhe infermierëve dhe Forcave të Armatosura, por, për t’i dhënë një tjetër lajm tjetër të mirë Policisë së Shtetit, – miratojmë pas pak, projektvendimin për trajtimin ushqimor të çdo punonjësi policie apo të studentëve të institucioneve arsimore, pra të Akademisë së Sigurisë të Policisë, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare një problematike të trashëguar ndër vite.

Por dua t’ua them që Kryeministri ka pasur gjithë dëshirën për ta bërë prej vitesh këtë, por tani u poqën kushtet ekonomike dhe financiare. Dhe sot Këshilli i Ministrave, Qeveria Shqiptare, miraton projektvendimin për t’i dhënë çdo punonjësi policie, pagesën e prapambetur të ushqimit për gjithë vitin 2023. Pastaj në vitin 2024 kjo do të jetë një politikë e vazhdueshme si të gjitha politikat e tjera mbështetëse që kjo qeveri ka marrë ndër vite në mbështetje të të gjithë atyre që kontribuojnë në detyrën e tyre shtetërore, në rastin tonë, forcave të Policisë së Shtetit. Kjo është një arsye më shumë për të rritur prezencë, vigjilencën, dhe punën e Policisë së Shtetit në zbatimin dhe sundimin e ligjit. Faleminderit Kryeministër për të gjithë mbështetjen!

Previous Ministri Mete në ceremoninë e akordimit të kredive të buta për punonjësit e Policisë së Shtetit, Forcat e Armatosura dhe personelin shëndetësor