Fjala e hapjes së Ministrit të Financave: Ministeriali “Ballkani Perëndimor drejt Sistemit Europian të Pagesave” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e hapjes së Ministrit të Financave: Ministeriali “Ballkani Perëndimor drejt Sistemit Europian të Pagesave”

Të nderuar Ministra të Financave dhe Guvernatorë,

Përfaqësues të Komisionit Europian dhe institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare,

Të nderuar të ftuar,

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë. Vetëm disa muaj më parë, në Shtator, së bashku me Ministrat e Ekonomisë shprehëm mbështetjen dhe angazhimin tonë për të thelluar më tej integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor me Tregun e Përbashkët të BE-së. Diskutuam për arritjet, prioritetet dhe sfidat kryesore mbi zbatimin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe avancimin e integrimit rajonal përmes Procesit të Berlinit, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me Bashkimin Europian.

Një pjesë e konsiderueshme e diskutimeve tona u fokusua në rolin thelbësor të sistemeve të pagesave. Në këtë kontekst, ne shprehëm mbështetje të plotë politike për të prioritizuar veprimet tona me synim anëtarësimin në SEPA. Sot jemi mbledhur për ta shtyrë përpara zbatimin e kësaj agjende.

Aderimi në SEPA për vendet që nuk janë ende pjesë e BE-së, në kuadër të Planit të Ri të Rritjes së Komisionit Europian, është një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor, e cila ul ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në. Në të njëjtën kohë, ky hap mund të konsiderohet edhe si një mjet monitorimi për Bashkimin Europian për të vlerësuar gadishmërinë dhe vullnetin tonë për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë shumë të ndërlidhura me BE-në; ndaj krijimi i një sistemi efikas për kryerjen e pagesave ndërkufitare ka një rëndësi të posaçme.

BE-ja është partneri ynë më i madh tregtar. Mbi 70% e eksporteve nga Ballkani Perëndimor kanë si destinacion vendet anëtare të BE-së. Gjithashtu, BE-ja është burimi kryesor i investimeve të huaja direkte në rajon, me rreth 70% të totalit të IHD-ve në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë dy dekadave të fundit, IHD-të kanë qenë një ‘motorr’ i rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor, duke promovuar integrimin në zinxhirët europianë të vlerave, duke krijuar vende të reja pune dhe duke kontibuar me teknologji të reja. Gjithashtu, statistikat tregojnë se pothuajse një e pesta e popullsisë së Ballkanit Perëndimor jeton jashtë vendit dhe shumica në vendet e BE-së.

Në këtë kontekst, edhe remitancat luajnë një rol të rëndësishëm për ekonomitë e vendeve tona. Remitancat arrijnë mesatarisht në rreth 10% të PBB-së së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas Bankës Botërore, kostoja e dërgimit të remitancave në Shqipëri është afërsisht 8.7%, duke tejkaluar ndjeshëm kufirin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm prej 3%. Nëse ky objektiv do të përmbushej, emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre do të kursenin në një masë të konsiderueshme.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, sektori bankar në vendet e rajonit zotërohet kryesisht nga investitorë të huaj, të cilët janë nga vendet e BE. Shumë nga bankat në vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e grupeve bankare europiane, gjë që rrit mundësitë e implementimit të standardeve dhe infrastrukturës bankare europiane në bankat tona lokale.

Marrë në konsideratë ekspozimin e sistemit bankar ndaj transaksioneve ndërkufitare me BE-në, përfshirja në Zonën e Vetme Europiane të Pagesave do të sjellë shumë përfitime për vendet tona. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor shpenzojnë gjashtë herë më shumë se ekonomitë e vendeve të BE-së për të realizuar pagesa ndërkombëtare. Për më tepër, bizneset dhe klientët e vendeve të Ballkanit Perëndimor përballen me kohë të gjata përpunimi për dërgimin dhe marrjen e pagesave, të cilat mund të kthehen edhe në pengesa për investimet ndërkufitare. Me SEPA, këto kosto dhe koha e përpunimit do të reduktohen ndjeshëm, duke lehtësuar kështu tregtinë me BE-në.

Ulja e kostos së transaksioneve nuk është përfitimi i vetëm. Duke përfshirë  vendet e Ballkanit Perëndimor në SEPA, BE-ja po ofron akses në një treg shumë më të madh, i cili ofron mundësi të panumërta për rritje ekonomike. Ne besojmë se integrimi në SEPA do të rrisë konkurrencën e bizneseve tona dhe mundësitë e tyre për t’u përfshirë më shumë në tregtinë ndërkombëtare. Tregtia dhe integrimi global janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe reduktimin e varfërisë, veçanërisht për vende të vogla siç jemi ne. Në këtë kontekst, pjesëmarrja në SEPA gjithashtu shkon në të njëjtin drejtim me strategjinë tonë për të nxitur tregtinë online. Tregu i e-commerce ka njohur rritje të konsiderueshme në vitet e fundit pasi depërtimi i internetit, njohuritë digjitale dhe opsionet e pagesave digjitale janë zgjeruar.

Për më tepër, anëtarësimi në SEPA na jep akses në sisteme moderne pagesash, më efikase dhe më të sigurta. Përafrimi i sistemeve tona të pagesave me ato të vendeve europiane, do të rrisë atraktivitetin tonë edhe si destinacion investimi. Investitorët do të kenë më shumë besim në stabilitetin dhe efikasitetin e sistemit tonë financiar.

Ky integrim krijon terren të favorshëm edhe për vizitorët europianë që vizitojnë vendet tona, të cilët do të gjejnë këtu mundësi të ngjashme pagesash sa i përket kostove, kohës dhe sigurisë si në vendet e tyre. Turizmi po bëhet një nga promotorët kryesorë të rritjes së PBB-së në dy vitet e fundit. E njëjta gjë vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sigurimi i pagesave të thjeshta, të shpejta dhe të besueshme ndërkufitare do ta mbështesë më tej këtë prirje pozitive.

Prezantimi i opsioneve më efikase të pagesave do të ndihmojë në rritjen e përdorimit të pagesave digjitale, në krahasim me veprimet cash. Reduktimi i veprimeve me para në dorë nuk sjell vetëm kosto më të ulëta, por shërben gjithashtu si instrument për luftuar ekonominë informale. Opsionet efikase të pagesave stimulojnë përdorimin e institucioneve financiare për realizimin e këtyre pagesave, duke kontribuar kështu edhe në rritjen e përfshirjes financiare. Duke rritur aksesin në financë, pagesat digjitale mund të ndihmojnë gjithashtu në zvogëlimin e përjashtimeve sociale, duke krijuar mundësi edhe për atë pjesë të popullsisë që jeton në zona të largëta.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, digjitalizimi i pagesave është një element i rëndësishëm plotësues i Agjendës së Përbashkët Digjitale të rajonit tonë. Sistemet e pagesave mund të jenë një mundësi e mirë për t’i bërë ekonomitë tona më digjitale. Digjitalizimi i ekonomisë është me rëndësi strategjike, ndaj ajo është prioritet i politikave tona kombëtare.

Në këtë kuadër, Këshilli Europian miratoi dy ditë më parë, një rregullore që mundëson pagesat e menjëhershme në Euro për konsumatorët dhe bizneset në BE dhe vendet e Zonës Ekonomike Europiane. Sipas kësaj rregulloreje, qytetarët do të kenë mundësi të transferojnë para brenda 10 sekondave në çdo moment të ditës – duke përfshirë këtu edhe jashtë orarit të punës – si brenda të njëjtit vend, ashtu edhe në çdo shtet tjetër anëtar të BE-së.

Gadishmëria jonë për t’iu bashkuar SEPA-s nuk mjafton, pasi janë disa kritere që duhen plotësuar. Së pari duhet të dëshmojmë relevancën ekonomike mes vendeve tona dhe BE-së. Në vijim, duhet që legjislacioni ynë të jetë në përputhje me atë të BE-së në fushën e pagesave. Në këtë drejtim, vendet tona janë në faza të ndryshme, sa i përket nivelit të përafrimit.

Shqipëria ndodhet në një stad të avancuar sa i përket harmonizimit të legjislacionit bazë të BE-së për transaksionet e SEPA-s. Shqipëria gjithashtu ka përafruar gjerësisht kuadrin e saj ligjor me Direktivat e BE-së në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Për më tepër, që nga tetori i vitit të kaluar, Shqipëria nuk është në listën gri të Task Forcës së Veprimit Financiar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko do të ndalet më gjerësisht në fjalën e tij në hapat e ndërmarra nga Shqipëria për të përafruar ekosistemin tonë të pagesave me atë të BE-së dhe në veçanti me përmbushjen e kritereve të SEPA-s. Gjej rastin të vlerësoj rolin e Bankës Botërore, që me ekspertët e saj po ndihmon të gjitha vendet tona në vlerësimin e shkallës së përgatitjes për anëtarësim në SEPA. Asistenca e tyre është thelbësore në përpjekjet tona për të realizuar këtë arritje historike.

Në përfundim të fjalës sime, dëshiroj të ritheksoj se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në SEPA sjell përfitime të rëndësishme ekonomike. Kjo është pjesë e angazhimit tonë të përbashkët në drejtim të integrimit ekonomik dhe përkushtimit për të qenë partnerë të besueshëm në tregun europian.

Previous Viti i Pyjeve/Nis projekti i ri për menaxhimin e zjarreve me mbështetje nga qeveria zvicerane