Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve nisi funksionimin investimi i ri në impiantin e Ferrokromit të AlbChrome, Elbasan, falë të cilit sigurohet, respektimi i të gjitha standardeve mjedisore dhe sociale, si detyrim i të gjitha sipërmarrjeve që të mbrojnë nga ndotja hapësirën e përbashkët.
Fabrika e pastrimit të pluhurit, investim i YILDIRIM Group, ka të përfshira mjediset e mensës dhe dhomat e zhveshjes për punonjësit, si tregues i angazhimit të kompanisë për përmirësimin e kushteve të vendit të punës dhe respektimin e standardeve të sigurisë dhe shëndetit të BE-së, në përputhje me qëllimet e saj mjedisore, sociale dhe qeverisëse (ESG).
Fjala e zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në ceremoninë e inaugurimit të investimit të ri:
Përshëndetje të gjithëve,
I dashur Robert,
Është kënaqësi që të jemi këtu sot në përmbushje të një premtimi të dhënë nga Albchrome. Duhet thënë që kjo ndërmarrje është krijuar në 1979 dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në zinxhirin e vlerave minerale të Republikës së Shqipërisë. Njihet botërisht sesa e pasur është nëntoka jonë me minerale, por çka është më e rëndësishme për t’u thënë është që përpunimi i këtyre mineraleve rrit vlerën e këtij zinxhiri, ndaj dhe ne e konsiderojmë të gjithë kontributin e Yildirim në Republikën e Shqipërisë si një kontribut i rëndësishëm dhe thelbësor.
Kjo uzinë përpunon rreth 8500 ton mineral kromi në muaj dhe prodhon rreth 3200 ton Ferrokrom të pastër duke siguruar kështu një hallkë të rëndësishme në zinxhirin e vlerës dhe veprimtarisë minerare. Kjo uzinë sot ka 180 punonjës të cilët paguhen me një pagë mesatare të kënaqshme për tregun, por nga ana tjetër ç’ka është më e rëndësishme për ne, këtu përmbushen të gjitha standardet e sigurisë dhe ato që duhet të ketë çdo ndërmarrje që operon në sektorin minerar.
Kemi gjetur një situatë aspak të mirë në këtë sektor vetëm pak vite më parë. Para 5 vitesh na është dashur që të nisim një reformë të thellë të sektorit, por sigurisht kur kemi shembuj të mirë, ashtu siç është rasti AlbChrome, është më e lehtë për ne që ti tregojmë edhe atyre kontributorëve të tjerë sesi duhet të jetë kjo kornizë ligjore dhe e sigurisë në punë që duhet përmbushur nga të gjithë pa përjashtim.
Duhet thënë dhe duhet nënvizuar se 100% e prodhimit të kromit në vendin tonë sot vjen nga sektori privat. Kështu që është një fakt që në këtë sektor privat, në të gjithë industrinë minerare, punojnë më shumë se 7 mijë punëmarrës në të gjithë vendin, ndërkohë që prodhimi minerar arrin 150 milionë euro në vit duke përbërë kështu 1.5 deri në 2% të Prodhimit Bruto. Shifër kjo shumë e rëndësishme, ndërkohë që eksporti arrin 80 milionë në vit.
Duhet thënë që kemi një fokus të plotë sot kur Qeveria Shqiptare, të gjitha ministritë të cilat përfshihen në këtë sektor, sidomos Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përsa i përket klimës së biznesit, në këtë sektor të vështirë, por shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Dhe nga ana tjetër, sigurisht jemi munduar që të përmirësojmë ndjeshëm të gjithë kuadrin ligjor dhe duke marrë shtysë nga ajo që u kërkua këtu, do të thoja që patjetër ne i marrim parasysh kërkesat tuaja, por sigurisht edhe ju duhet të keni parasysh që Shqipëria tashmë ka hapur një faqe të re, atë të integrimit në Bashkimin Europian dhe të gjitha ligjet të cilat ne aplikojmë janë të përafruara dhe janë ligje të cilat operojnë dhe aplikohen në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Kështu që dëshira e mirë është, por sigurisht dhe ju keni mirëkuptimin sesi duhet avancuar me kërkesat tuaja.
Në ndërkohë duhet thënë që vitet e fundit kemi parë një tërheqje të investitorëve të huaj, siç është rasti në fjalë për të investuar në sektorin e nxjerrjes minerare, por dhe atë të përpunimit pasi viti 2022 shënoi një epokë të re për Europën, atëherë kur agresioni i Rusisë në Ukrainë tregoi një herë e mirë që pavarësia energjetike është thelbësore dhe nuk ka asnjë armë konvencionale e cila është më e rëndësishme se pavarësia energjetike. Kështu që vetëm pak ditë, sërish këtu në zonën e Elbasanit, ne kemi hapur një nga iniciativat më të rëndësishme të mbështetur nga Bashkimi Europian, kemi hapur Qendrën Rajonale të Institutit të Ekselencës dhe Teknologjisë për Lëndët e Para. E vetmja në Ballkanin Perëndimor, si një inkubator për ngjizjen e ideve, për studimet, për mbështetjen e ngritjes së kapaciteteve, pasi çfarë është më e rëndësishme sot, duhet thënë, ngritja e kapaciteteve njerëzore në industrinë minerare është parësore për ne.
Në vitin 1990 Shqipëria mbante vendin e tretë për prodhimin e kromit. Sot kjo industri po ringjallet, por duke pasur parasysh që në vendin tonë nuk ka vetëm krom, ne kemi nisur nga puna për të parë dhe për të studiuar thellësisht nëntokën tonë dhe sigurisht për t’u bërë më atraktiv për të gjithë investitorët e huaj.
Shumë faleminderit.