Fjala e Ministrit të Drejtësisë për Ditën e Drejtësisë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministrit të Drejtësisë për Ditën e Drejtësisë

I nderuar President Begaj,

 

Të nderuar personalitete të drejtësisë të vendit tim,

 

Shkëlqesi Ambasadorë,

 

Miq dhe të ftuar  në këtë aktivitet të shenjuar,

 

Si Ministër Drejtësie jam i nderuar që sot në mbledhjen e përbashkët vjetore të KLGJ dhe KLP që mbahet në një ditë të shënuar për drejtësinë shqiptare, të uroj të gjithë magjistratët e të gjitha niveleve të gjyqësorit dhe prokurorisë,  gëzuar 10 Majin ditën e drejtësisë dhe le të përpiqemi të gjithë së bashku si politikbërës apo si zbatues të ligjit, pavarësisht detyrave që mbajmë, të vëmë nga një tullë në binanë e një drejtësie të pavarur, për të cilën kemi nevojë si qytetarë por edhe si shërbëtorë publikë dhe që kemi amanet tua lëmë të fortë e të pavarur brezave, sepse pa një drejtësi që mbron të drejtat dhe liritë e qytetarit nuk do të kemi kurrë demokraci funksionale  dhe zhvillim ekonomik!

 

Në këtë ditë të shënuar për të gjithë shoqërinë dhe komunitetin e drejtësisë në veçanti, nuk mund të lë pa përmendur reformën në drejtësi që dita-ditës po konsolidon vetveten dhe po rikthen besimin e qytetarëve te drejtësia.

 

Këto dy këshilla janë risi e Reformës në Drejtësi dhe  mbledhja e tyre e përbashkët sot në një ditë të shenjuar si 10 Maji,  na ndihmon të kujtojmë përpjekjet e përbashkëta për të arritur deri këtu ku jemi sot dhe për  të vijuar përpara me qasjen tonë ambicioze për një drejtësi  jo vetëm të pavarur por dhe produktive për të gjithë qytetarët dhe bizneset që marin shërbime nga drejtësia çdo ditë!

 

Sa na takon si qeveri dhe si shumicë parlamentare, ne do të vazhdojmë të mbështesim pa rezerava konsolidimin e një  sistemi drejtësie të qëndrueshëm që forcon besimin e qytetarëve dhe promovon llogaridhënien dhe integritetin në të gjitha nivelet.

 

Është fakt se sot kemi një sistem drejtësie me një arkitekturë moderne institucionesh dhe me mekanizma të shumëfishtë kontrolli dhe balance midis pushteteve shumë herë më të përgjegjshëm e më llogaridhënës sesa para 10 vjetësh!

 

Por kemi ende sfida me të cilat përballemi çdo ditë për t’i dhënë qytetarëve një shërbim dinjitoz, eficient dhe që i përgjigjet nevojave të tyre.

 

Adresimi i këtyre sfidave, nëpërmjet një qasje të re dhe më efikase në menaxhimin e tyre, është qëllimi i përbashkët i të gjithë përfaqësuesve të nderuar që janë të pranishëm këtu sot. Janë pikërisht këto sfida që na inkurajojnë që të vijojmë dhe të rrisim bashkëpunimin ndërinstitucional midis organeve të drejtësisë.

 

Si Ministër i Drejtësisë, mirëpres çdo propozim i cili kërkon angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe të qeverisë në tërësi, me qëllim që reforma në drejtësi të vijojë të japë rezultatet që  synonte reforma që projektuam  në vitin 2016, kur u miratua paketa e reformës në drejtësi.

 

Busulla jonë, si në miratimin e ligjeve ashtu dhe në zbatimin e tyre kanë qenë dhe mbeten qytetarët, të drejtat dhe liritë e tyre themelore.  I gjithë sistemi gjyqësor dhe prokurorial duhet të jetë i orientuar drejt cilësisë së shërbimit të ofruar prej tyre, për të dhënë drejtësi dhe për t’i lehtësuar jetën qytetarëve.

 

Sfida për gjykimin e stokut të dosjeve të  krijuara për shkak të procesit të vettingut dhe mungesës së magjistratëve që arrin në disa mijëra, hetimi dhe mënyra e përfundimit të çështjeve penale brenda afateve të hetimit dhe paraburgimit, zbatimi i hartës së re gjyqësore, digjitalizimi i sistemit të drejtësisë dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në veprimtarinë e përditshme hetimore dhe gjyqësore, fuqizimi i kapaciteteve njerëzore, specializimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas seksioneve të posaçme, rritja e profesionalizmit, ruajtja e integritetit dhe pastërtisë së figurës, përgjeshmëria dhe llogaridhënia, lufta kundër kriminalitetit në përgjithësi dhe kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në veçanti , kërkon që sistemi i drejtësisë të funksionojë si një i tërë, në mënyrë kapilare, me të njëjtin hap dhe me të njëjtin përkushtim!

 

Kur flitet për ecurinë e Reformës në Drejtësi, perceptimi  i opinionit publik, fiksohet tek Vettingu dhe SPAK sepse këto institucione të posaçme të krijuara nga kjo reformë, kanë prodhuar rezultate të prekshme për qytetarët, vettingu në pastrimin e sistemit të drejtësisë nga magjistratë me probleme me pasurinë apo integritetin e tyre dhe SPAK  në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve apo ish -zyrtarëve të  lartë  të shtetit!

 

Puna  e këtyre dy institucioneve ka marrë vëmendjen e shumë prej nesh dhe të opinionit publik. Unë gjej rastin që në këtë ditë të falënderoj organet e vettingut që po mbyllin me sukses punën për një nga proceset më delikate të kësaj reforme dhe SPAK për rezultatet që ka në goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, por kjo nuk mjafton të themi se reforma në drejtësi quhet punë e kryer por  duhet që secili  organ i sistemit të drejtësisë  të  ngrihet në lartësinë e detyrës dhe pritshmërive të publikut vetëm me punë dhe rezultate konkrete , të matshme dhe të prekshme për publikun!

 

Reforma në drejtësi nuk është vettingu dhe SPAKU por një ansambël i tërë organesh që kanë për mision kushtetues dhënien e drejtësisë dhe luftën pa ekuivok ndaj kriminalitetit pa dalllim ngjyre!  Unë dua t’ju përgëzoj për punën e mirë që keni bërë në këto kushte specifike por më shumë se sa urimi im si Ministër Drejtësie, në veprimtarinë tuaj ju keni nevojë për përkrahjen dhe besimin e publikut dhe këtë tani e tutje do ta fitoni vetëm me punën tuaj!

 

Të nderuar magjistratë,

 

Unë i kuptoj vështirësitë dhe sakrificat tuaja për shkak të volumit të madh të  dosjeve civile dhe penale që keni në dorë , por deri në plotësimin e vakancave me kolegë të rinj që do vijnë nga SHM, ju duhet ta konsideroni punën  për uljen e stokut  të dosjeve jo thjesht një detyrë zyrtare por një detyrë patriotike në kushtet kur qytetarët presin me vite për të zgjidhur çështjet e pronave, pensioneve e deri tek zgjidhjet e çështjeve familjare dhe pensionet ushqimore për femijët e mitur. Ky është dhe duhet të jetë thelbi i identitetit tonë si shërbëtorë publikë në kushte specifike por në asnjë rast kjo nuk duhet të bëhet në kurriz të cilësisë së drejtësisë!

 

Të nderuar miq magjistratë,

 

Rrugëtimi evropian i Shqipërisë përveç sfidave tona të përditshme me drejtësinë, shtron përpara nesh si shtet domosdoshmërinë, e bërjes si duhet të detyrave të shtëpisë në përqasjen e legjislacionit tonë me atë të BE si frymë dhe si praktikë dhe roli i organeve të drejtësisë është i pazëvendësueshëm!

 

Një Shqipëri e denjë pjesë e Bashkimit Evropian, kërkon me patjetër konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe ju jeni kontributorët kryesorë në mbarëvajtjen e punës për Kapitullin 23, Gjyqësori dhe të drejtat themelore të njeriut, ku Ministria e Drejtësisë është lider dhe do tju inkurajoj fort që siç na nderuat në procesin screening, të vazhdojmë përpara me të njëjtin përkushtim dhe seriozitet profesional!

 

Në përfundim, kam një falenderim dhe një ftesë: falenderim dhe mirënjohje për secilin prej jush për punën e mirë që kemi bërë deri tani me konsolidimin e drejtësisë së re, për miqtë e pazëvendësueshëm të reformës në drejtësi SHBA dhe BE që na kanë qëndruar dhe vazhdojnë të jenë me ne nga fillimi i kësaj reforme shtetndërtuese! Ndërsa ftesa ime e sinqertë dhe e hapur, është që të vijojmë punën e mirë që kemi bërë deri më tani, jo vetëm si përgjegjësi ligjore dhe institucionale e jona, por si një borxh që ua kemi shqiptarëve që i kanë sytë nga kjo sallë dhe presin nga drejtësia të bëjë drejtësinë e munguar prej kohësh!

 

Edhe njëherë gëzuar 10 Majin dhe faleminderit të gjithëve!

Previous Dita e Evropës, Hasani: Përshpejtimi i anëtarësimit të rajonit, e bën BE më të sigurt