Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes UBT dhe Universitetit BOKU të Vjenës, Austri - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes UBT dhe Universitetit BOKU të Vjenës, Austri

Sot u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe University of Natural Resources and Life Sciences, BOKU, Vjenë, Austri.

Qëllimi kryesor i saj është reformimi i thellë i UBT-së, në mënyrë që ai të përafrohet brenda vitit 2030 me BOKU dhe universitetet homologe europiane në të tre kolonat e misionit të tij: programet e studimit, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive.

Marrëveshja e sotme vjen si rezultat i nënshkrimit të një tjetër marrëveshjeje në muajin prill të këtij viti në Austri, mes Ministrisë së Arsimit e Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë dhe ministrive homologe austriake për “Zbatimin e Strategjisë UBT 2030”, – e cila autorizon dy universitetet përkatëse që të dakordësojnë një marrëveshje specifike bashkëpunimi për implementimin e këtij projekti për katër vitet e ardhshme.

Universiteti Bujqësor i Tiranës do të shndërrohet në një Qendër Ekselence Rajonale, me synimin final që në fund të këtij bashkëpunimi katër vjeçar të ketë diploma dyfishe dhe programe të përbashkëta të njehsuara me BOKU në Vjenë.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm Kryeministri Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, Koordinatori i Projektit Z. Hubert Hasenauer, rektorët e UBT dhe BOKU përkatësisht z. Fatbardh Sallaku dhe znj Eva Schulev-Steindl, si dhe pedagogë, studentë, specialistë të arsimit, etj.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Rektori tha që mua nuk më pëlqejnë lëvdatat, është e vërtetë, por kur vijnë nga një demokrat i rilindur janë të mirëseardhura, e sidomos në këtë moment që është realisht një moment historik për Universitetin tuaj dhe është një nga ato momente jo të shpeshta kur të marrit me politikë që ka gjithë ato siklete dhe që rëndom të bën të mendosh ç’mu desh kjo punë, të jep një sodisfaksion aq të jashtëzakonshëm sa pastaj të gjitha të tjerat i bën hallall.

Është po kështu e vërtetë ajo që tha rektori, që përpara tre vitesh kishit një situatë jo të lehtë me rekrutimet e studentëve dhe rektori erdhi me një propozim që ishte një propozim i juaji, i përbashkët për Ministrinë e Arsimit dhe për Ministrinë e Bujqësisë ku kërkoi mbështetje që të më bindnin mua për të ulur mesataren e hyrjes në Universitetin Bujqësor.

Unë isha absolutisht kundër kësaj ideje sepse nuk më bënte sens që për shkak se studentët po tregonin më pak interes apo më saktë nxënësit po tregonin më pak interes për t’u bërë studentë të Universitetit Bujqësor mesatarja të ulej poshtë në mënyrë që këtu të vinin nxënës që duhej paralelisht të hynin në kurset e shkrimit dhe të këndimit. E i thashë rektorit që ne duhet të synojmë ta bëjmë Universitetin Bujqësor atraktiv dhe ta kthejmë në një destinacion, jo vetëm për studentët shqiptarë, por edhe për studentët e rajonit, duke e ndërkombëtarizuar dhe duke u bashkuar me një universitet ekselence në Europë me synimin që Universiteti Bujqësor i Tiranës të jetë një universitet ku ti je në Tiranë, por merr gjithçka që do merrje nëse do shkoje në Vjenë dhe në fund fare të marrësh një diplomë, që është një diplomë që ka të njëjtën vlerë.

Natyrisht rektori nuk kishte si të më besonte, se nuk ia lejonte edhe partia, por ne u bëmë bashkë dhe ju e dini shumë mirë që ky është një proces që në fakt ka filluar më parë kur unë kam ardhur këtu në Universitetin tuaj dhe mezi e gjeta rrugën për të shkuar tek zyra e rektorit sepse këtu ishte një tmerr me ndërtime pa leje, me një çmenduri, ku nuk ishte më Universiteti i dikurshëm i pushtuar në disa pika, por ku dukej sikur Universiteti kishte hyrë për të pushtuar atë që ishte krijuar rreth e rrotull tij dhe pak përpara, e pyeta rektorin, sa është totali i mbështetjes që qeveria i ka dhënë universitetit në këto vite?

Dhe duke marrë në sy rrezikun e madh që kjo tani që do bëj do kthehet në një stres për Ogertën sepse do vijnë rektorët e universiteteve të tjera do thonë: “ore çfarë bëhet këtu, qenka bërë padrejtësi e madhe”, po ju referohem shifrave që më dha rektori vet. 7 milionë euro për fermën, 3 milionë euro për rindërtimin nga tërmeti, 2 milionë euro për godinën e klinikës. Fillimisht 500 mijë euro për ndërkombëtarizimin dhe pastaj 2 milionë euro për programin e përbashkët me BOKU-n. Një milionë euro për PKZH. Pra janë rreth 16 milionë euro të dhëna drejtpërdrejtë për Universitetin Bujqësor, pa llogaritur konviktet e rindërtuara, se po të futen dhe ato shkon shumë, që do të thotë që ky nuk është një program i qeverisë për të mbajtur me hatër një rektor demokrat, s’ka si të jetë! Ky është një program strategjik i qeverisë për ta transformuar këtë universitet në një qendër ekselence me një rrezatim shumë të fortë në ekonominë, në bujqësinë, në zhvillimin rural të vendit dhe me një influencë rajonale dhe nuk kam fjalë për ta shprehur mirënjohjen për Hubertin dhe për Evën më pas, që na pranuan si fillim edhe Huberti tha, “isha i kujdesshëm, nuk isha mosbesues”, por në fakt unë e mbaj mend që mbas xhentilesës austriake të mikpritjes ku vajta unë atje bashkë me Bardhin, “të dy me flokë të lëna në rrugët e gjata të mafies ndërkombëtare” që vinin nga Shqipëria, një kryeministër, një rektor te dera atje s’kishte bërë vaki kurrë dhe ai na shoqëronte dhe shihte dhe thoshte, “ku do dalë ky muhabet”. Kështu që nuk ishte e lehtë për ta thyer akullin sepse normalisht ata janë austriakë, nuk janë si ne që gjëja e parë që bëjmë është të thyejmë akullin dhe ja ku jemi sot.

Ja ku jemi sot në një moment, u deshën tre vjet, natyrisht ne kemi humbur shumë kohë, shumë-shumë kohë dhe çdo orë e kemi çmuar, por këto janë projekte të mëdha që kërkojnë kohën e tyre, pastaj që të vijë këtu një nga ekselencat më të spikatura të Europës, 150 vjet Universitet, me gjithnjë këtë delegacion dhe të pranojë “martesën” me ne, kjo nuk bëhet siç bëjmë ne kur martohemi që e kemi me dashuri me shikim të parë. Nuk ka dashuri me shikim të parë Austria. Të shohin, të masin nga përpara, nga mbrapa, anash, nga larg, afër. Marrin informacione, kontrollojnë, shohin krushqit, vijnë shohin shtëpinë ku do sjellin nusen.  Është histori e gjatë dhe fakti që kanë pranuar që sot të vijnë të nënshkruajnë “martesën” me ne është një arritje shumë e madhe.

Tani shumë e rëndësishme nga ana jonë është që mos t’i cytim, që të fillojnë të mendojnë për divorcin. Edhe e tha shumë mirë më parë Huberti që tani ju takon të gjithëve ju të përfshiheni në këtë projekt,  jo vetëm me mendje, se me mendje jeni të përfshirë, por dhe me zemër dhe ta keni ambicien tuaj edhe personale me thënë të drejtën jo vetëm profesionale, jo vetëm si akademikë, por edhe si shqiptarë që këtë Universitet ku kaloni pjesën më të madhe të jetës suaj, ta transformoni në një flamur krenarie kombëtare për të gjithë shqiptarët. Është misioni juaj këtu dhe natyrisht nuk ka diskutim që me mbështetjen e partnerëve austriakë kushtet për t’u rritur profesionalisht, kushtet për tu përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme, kushtet për t’u bërë ju stafi akademik i një universiteti evropian këtu në Tiranë, janë të garantuara.

Qeveria do jetë në mbështetje të vazhdueshme, ne e mbështesim hapur Bardhin që të jemi të qartë. Nuk ndërhyjmë në proceset akademike, nuk e dimë se ku janë dhe se çfarë bëjnë rektorët e tjerë, por mesazhi im për pedagogët që do zgjedhin është: ju lutem mos na e prekni Bardhin se është një hudhër pa të cilën gjërat do shkojnë vetëm ters.

Nuk e di kush e konkurron Bardhin, të më falë, nuk e njoh, nuk kam asgjë por normalisht tani Bardhi duke ndenjur kaq gjatë me mua, besoj që ka marrë ato të këqijat e mia dhe është kandidati i vetëm apo jo?

Hubert, duhet të të them diçka. Kur u takuam për herë, kurrë nuk do ta harroj se si më vështroje ngultazi, duke më shqyrtuar me kujdes. U ndjeva si të isha përballë Interpolit, Europolit apo çfarëdolloj po tani po të them këtë, ju jo vetëm na mbështetet por vendosët që tashmë të bëheni heroi ynë sepse jeni menaxheri i programit. Do të jeni ju në mes, do të jeni njeriu që garanton “martesën”, që sigurohet që të dyja palët janë të lumtura dhe që kur të kenë zënka, t’i qetësojë.

Unë jam rritur nga një gjyshe, e cila ishte rritur nga një katolike austriake. Ajo më thoshte kur isha i vogël, “do të takohesh me shumë njerëz në jetë, do të duhet të flasësh, të dëgjosh, të bësh gjëra, por mos harro asnjëherë, takimi i fundit është më i  rëndësishmi. Takimi i fundit është me një burrë të vjetër me flokë të gjatë të bardhë, me një mjekër të bardhë që quhet Shën Pjetër. Do të kesh mbaruar punë me këtë botë dhe do t’i kërkosh të të gjejë një vend në botën tjetër. Patjetër që do të kërkosh parajsën dhe ai do të të pyesë; Më thuaj, çfarë ke bërë në botën që sapo le pas? Dhe nuk mjafton të thuash “isha njeri i mirë, bëra punën time, ushqeva familjen, isha i suksesshëm e kështu me radhë, sepse ajo çfarë është kyç për biletën për në parajsë, është ajo çfarë bën për të tjerët.”

Tani, Hubert, nuk kam dyshim që je njeri i mirë; nuk kam dyshim që e ke ushqyer me ndershmëri familjen; nuk kam dyshim që ke qenë i suksesshëm por kur të shkosh para Shën Pjetrit kjo nuk do të mjaftojë. Mund të thuash që kam rektor i BOKU-t.

–Mirë, po pastaj?

-Po, në momentin që do t’i thuash, “unë ndihmova, ndihmova UBT në Tiranë, në Shqipëri’’, ai do të të thotë: “Biri im, meriton të shkosh në parajsë menjëherë’’.

Mbaje mend këtë dhe do të mbash mend edhe mua për Shën Pjetrin dhe  je kaq i lumtur të dëgjoj që ke ndihmuar Shqipërinë dhe këta njerëz në Tiranë, saqë duke qene se është gjëja më e pagjasë që mund të bësh në jetë, po ja ku je, ja ku po e bën sepse Zoti të do.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe amanet Bardhin!

Previous Ministri Balla në Parlament: Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike janë sot prioriteti ynë kryesor