Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Tetor 2024:
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË TATIMEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Ilir Binaj emërohet drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 56, pikat 1 e 2, dhe 85, pika 10, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Ilir Proda emërohet drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe i jepet grada “Drejtues madhor”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Durrës, Kukës, Elbasan, Kamzë-Vorë, Sarandë, Vlorë, Gjirokastër, Kavajë, Lezhë dhe Pogradec.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 251 170 138,99 (dyqind e pesëdhjetë e një milionë e njëqind e shtatëdhjetë mijë e njëqind e tridhjetë e tetë presje nëntëdhjetë e nëntë) lekë, për sipërfaqen 28 682,6 (njëzet e tetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e dy presje gjashtë) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.1, nr.2, nr.3, nr.5, nr.6, nr.23, nr.29, nr.56, nr.69, nr.92, nr.93 dhe nr.94, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Të ardhurat, që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.
5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Durrës, Kukës, Elbasan, Kamzë-Vorë, Sarandë, Vlorë, Gjirokastër, Kavajë, Lezhë dhe Pogradec kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN SHTESË PËR PROJEKTIN “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË SHËNDETËSISË”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.52/2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë për projektin “Përmirësimi i sistemit të shëndetësisë”, ratifikuar me ligjin nr.52/2022, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.152/2013, “PËR NËPUNËSIN CIVIL”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa në ligjin nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7651, DATË 21.12.1992, “PËR FESTAT ZYRTARE E DITËT PËRKUJTIMORE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa ndryshime në ligjin nr.7651, datë 21.12.1992, “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.97/2023, “PËR BUXHETIN E VITIT 2024””
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për një ndryshim në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR PËRGJEGJËSINË FINANCIARE TË PUNONJËSVE PUBLIKË”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për përgjegjësinë financiare të punonjësve publikë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9049, DATË 10.4.2003, “PËR DEKLARIMIN DHE KONTROLLIN E PASURIVE, TË DETYRIMEVE FINANCIARE TË TË ZGJEDHURVE DHE TË DISA NËPUNËSVE PUBLIKË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.111, DATË 23.2.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E FONDIT SOCIAL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 24, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, dhe të pikës 4, të nenit 47, të ligjit nr.121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.111, datë 23.2.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Krijimin dhe administrimin e fondit social nga njësitë e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale, për të siguruar zhvillimin e politikave sociale, përmirësimin e standardeve dhe kapaciteteve administruese të shërbimeve ekzistuese, si dhe planifikimin e krijimin e shërbimeve të reja.”.
2. Pika 4.1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4.1. Njësia e vetëqeverisjes vendore vlerëson nevojat për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror në nivel vendor dhe harton planin social vendor, duke identifikuar ato shërbime që mbeten të pafinancuara, bazuar në programin buxhetor afatmesëm.”.
II. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet sociale, ministri përgjegjës për pushtetin vendor dhe ministria përgjegjëse për financat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.662, DATË 13.10.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RISHIKIMI I PROJEKTIT PËR SEGMENTIN RRUGOR TË VAZHDIMIT TË ‘UNAZËS SË MADHE’ TIRANË NGA ‘SHESHI SHQIPONJA’ – ‘BULEVARDI I RI’ DHE ‘RIKUALIFIKIMI I ‘UNAZËS LINDORE’ PËR LOTET 4,5,6”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.662 datë 13.10.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë”, “ndërtesë”, “apartament”, “njësi” dhe “bodrum”, me një vlerë të përgjithshme prej 4 267 781 586.21 (katër miliardë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e një mijë e pesëqind e tetëdhjetë e gjashtë pikë njëzet e një) lekësh.”.
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
i. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 172 860 230.6 (katër miliardë e njëqind e shtatëdhjetë e dy milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë pikë gjashtë) lekësh” ndryshohet dhe bëhet “4 267 781 586.21 (katër miliardë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e një mijë e pesëqind e tetëdhjetë e gjashtë pikë njëzet e një) lekësh”;
ii. Në shkronjën “a”, vlera prej “4 050 151 731.6 (katër miliardë e pesëdhjetë milionë e njëqind e pesëdhjetë e një mijë e shtatëqind e tridhjetë e një pikë gjashtë) lekësh” ndryshohet dhe bëhet “4 145 073 087.21 (katër miliardë e njëqind e dyzet e pesë milionë e shtatëdhjetë e tre mijë e tetëdhjetë e shtatë pikë njëzet e një) lekësh”.
c) Në tabelën bashkëlidhur vendimit bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
i. Pasuritë me numrat rendorë 254, 263, 265, 266 dhe 267, që përkojnë me numrat e pasurive 136/76, 68/15, 136/185, 136/284 dhe 136/283, ndryshohen sipas të dhënave bashkëlidhur këtij vendimi;
ii. Pas numrit rendor 302 shtohen pasuritë me numrat rendorë nga 303 deri në 329.
2. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2024, MIRATUAR PËR AGJENCINË KOMBËTARE TË PLANIFIKIMIT TË TERRITORIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, në buxhetin e miratuar për vitin 2024, i shtohet fondi prej 56 667 267 (pesëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë) lekësh, i ndarë, si më poshtë vijon:
a) 23 500 210 (njëzet e tre milionë e pesëqind mijë e dyqind e dhjetë) lekë, në zërin “Shpenzime korrente”, për përballimin e shpenzimeve për financimin e konkursit të projektimit për projektidetë e zhvillimit të “Expo Albania-s”.
b) 33 167 057 (tridhjetë e tre milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e pesëdhjetë e shtatë) lekë, në zërin “Shpenzime për investime”, për përballimin e shpenzimeve për marrjen e projektidesë përfundimtare për “Expo Albania-n”.
2. Efekti financiar, prej 56 667 267 (pesëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2024.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU