Gjatë seancës dëgjimore të Komisionit të Posaçëm për luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike, drejtuar nga kryetari Erion Braçe, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vuri në dukje nevojën për një strategji të mirëorganizuar për t’u përballur me këtë fenomen në rritje.
Ministri Vengu theksoi se Shqipëria nuk është e përjashtuar nga kërcënimet e dezinformimit, i cili, ndër të tjera, vjen në formën e dezinformimit operacional dhe propagandës së financuar nga vende me influencë malinje jashtë NATO dhe BE.
Në lidhje me identifikimin e burimeve të dezinformimit dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë, Vengu u shpreh se vendi ka mundësitë e nevojshme për të përmbushur këto detyra. Ai nënvizoi nevojën për bashkëpunim mes institucioneve shtetërore dhe sektorit privat, përfshirë kompanitë e telekomunikacionit dhe platformat e mediave sociale, si dhe hapat ligjorë dhe teknikë për të cilët Komisioni mund të kontribuojë.