Rritja e pensioneve, nisin diskutimet publike informuese me pensionistët - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Rritja e pensioneve, nisin diskutimet publike informuese me pensionistët

Nisi sot nga kryeqyteti diskutimi publik me pensionistët, i cili do të vijojë në të gjitha qytetet e vendit, i drejtuar nga Kryeministri Rama me qëllim informimin e tyre, lidhur me angazhimin e qeverisë për çështjen e pensioneve, për të adresuar një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme, në këtë aspekt.

“Do të hapim një debat, një diskutim publik me pensionistët dhe pensionistet, lidhur me pensionet për të adresuar një detyrim dhe natyrisht dhe një kërkesë legjitime të vazhdueshme që në këtë fazë, kur ekonomia jonë ka nisur të marrë formën e një ekonomie gjithëpërfshirëse si rezultat i të gjitha reformave dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike, pensionistët të mos mbeten të pa përfshirë në këtë rreth të zgjeruar të mundësive që ka krijuar ekonomia, kur ndërkohë të tjerët kanë sot paga shumë më të larta seç kishin kur ne filluam këtë përpjekje.” – u shpreh Kryeministri Rama në nisje të takimit, ku merrnin pjesë edhe Ministri i Financave Petrit Malaj, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Olta Manjani.

Gjatë takimit, u prezantua panorama aktuale e situatës, si dhe me çfarë do të vijohet në të ardhmen.  “Jemi ngarkuar për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë si në terma afatshkurtër, ashtu edhe në terma afatgjatë për çështjen e pensioneve. Në terma afatshkurtër po shqyrtojmë mundësinë e rritjes substanciale të bonusit të fundvitit, duke u bazuar ne performancën e ekonomisë, si dhe në kapacitetet financiare që ka vendi ynë. Ky bonus është një mënyrë për të lehtësuar sadopak barrën financiare të përditshme që ju keni si dhe synon të ndihmojë më shumë ata që kanë nevojë. Ndërkohë, që në terma afatgjatë synimi ynë është krijimi i një skeme, e cila është një skemë pensioni e qëndrueshme dhe që do të garantojë në vazhdimësi pensione më të larta.” – informoi Ministri i Financave Malaj.

Ndërsa Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Gonxhja u shpreh se po punohet me angazhim për përmirësimin thelbësor të skemës së pensioneve: “Po punojmë fort për përmirësimin thelbësor të skemës së pensioneve në disa drejtime, siç është barazia mes pensioneve për profesione të njëjta, kapja e një niveli të denjë që të jetë të paktën në minimumin jetik për pensionet më të ulëta, rritjen e pensionit mesatar etj.”

Gjatë takimit u shpjeguan edhe një sërë detajesh, lidhur me skemën e pensioneve nga Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Olta Manjani.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje dhe shumë faleminderit për prezencën tuaj! Sot ne do të hapim një debat, një diskutim publik me pensionistët dhe pensionistet, lidhur me pensionet për të adresuar një detyrim dhe natyrisht dhe një kërkesë legjitime të vazhdueshme që në këtë fazë, kur ekonomia jonë ka nisur të marrë formën e një ekonomie gjithëpërfshirëse si rezultat i të gjitha reformave dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike, pensionistët të mos mbeten të pa përfshirë në këtë rreth të zgjeruar të mundësive që ka krijuar ekonomia, kur ndërkohë të tjerët kanë sot paga shumë më të larta seç kishin kur ne filluam këtë përpjekje.

Prandaj jam këtu sot së bashku me të gjithë kolegët që përbëjnë skuadrën drejtuese të punës për pensionet dhe po ja kaloj fjalën si fillim ministrit të financave, pastaj me radhë për t’ju bërë sot një panoramë të situatës dhe për të përcjellë sa më shumë falë edhe medias tek sa më shumë pensionistë, informacionin e vërtetë mbi çfarë është financimi i pensioneve dhe pse pensionet janë pjesa më e vështirë, jo për qeverinë shqiptare dhe Shqipërinë por për çdo qeveri dhe për çdo vend.

-Do të përpiqem të bëj një përmbledhje të këtij momenti të parë dhe kontakti të parë dhe e thashë, ne do bëjmë një kontakt të gjerë me të gjithë pensionistët në të gjithë Shqipërinë për t’i shpjeguar këto gjëra, për t’i rishpjeguar, për t’i diskutuar, për t’u kuptuar sepse është shumë e rëndësishme që të gjithë të jenë të qartë që ajo që do të na duhet të bëjmë është një përpjekje e madhe, e domosdoshme patjetër, dhe disa planëshe në mënyrë që të fillojmë, jo pas 5 vjetësh, por të fillojmë menjëherë, që të ndajmë për pensionistët pjesë-pjesë nga gjithë hapësira e re ekonomike.

E para që dua t’ju them është se jam shumë i keq ardhur që kur u indeksua pensioni me 4,1%, juve u përmbytët nga lumenjtë e helmit që i derdhin të gjithë ata që derdhin lot krokodili për ju, por që ju keni jetuar mjaftueshmërisht gjatë për t’i njohur të gjithë dhe e dini shumë mirë se çfarë kanë bërë për ju kur kishin mundësi të bënin për ju, ashtu sikundër i ndjeni me erë ata që mund të shfaqen si fytyra të reja, por që janë idem vazhdimi i atyre të vjetrave sepse nëse nuk do të ishte kështu, nuk do të ishte kaq njësoj përpjekja për të manipuluar ndjenjat e pensionistëve, duke ju treguar përralla që nuk rrinë as në qiell e as në tokë.

Gjithsesi, indeksimi i pensioneve, ju e dini shumë mirë, është një praktikë ligjore e përvitshme. Nuk kishte lidhje ai 4,1% me çfarë unë jam angazhuar personalisht përpara jush dhe me çfarë ne jemi angazhuar të bëjmë për të filluar të përfshijmë pensionistët në ekonominë që rritet. Nuk kishte lidhje, vetëm një indeksim ligjor që bëhet në bazë të rritjes së çmimeve dhe ai indeksim nuk varet fare nga dëshira jonë, duam ne të jetë 4 apo duam ne të jetë 7 dhe nuk kemi ne asnjë të drejtë të ndërhyjmë aty e ta bëjmë katrën shtatë. Ajo është aritmetikë dhe ajo vazhdon normalisht, por mbani parasysh një gjë ama, që ai 4,1% që në pamje të parë është asgjë, është direkt 100 milionë euro. 100 milionë euro që janë menjëherë shtesë në fondin e përgjithshëm të pensioneve dhe siç e shpjegoi zëvendësministrja, fondit të përgjithshëm të pensioneve i mungojnë aktualisht rreth 500 milionë euro për të pasur mundësi që ne të kemi pensione më të larta, pensionet që kemi, dhe këto 500 milionë euro, çdo vit, qeveria i nxjerr nga buxheti, pra i merr nga taksat dhe i kalon tek pensionistët, normal. E këtyre tani do t’i shtohen menjëherë edhe 100 të tjera vitin tjetër nga ai 4,1% dhe shifrat këtu janë marramendëse kur i shohim në kontekstin e buxhetit të përgjithshëm të shtetit dhe kur shohim numrin e rritur të pensionistëve.

Disa i bien shkurt dhe thonë, “Po mirë, uljani rrogat deputetëve, uljani rrogat këtyre, uljani rrogat atyre dhe jepjani pensionistëve”. E dini për çfarë flasim, se kjo mund të duket si, edhe shkon shumë dhe me këtë atmosferën e krijuar që juve, duke qenë ndjekës besnikë të politikës e dini më mirë se çdokush që mirë gjithë dita që ju kalon duke u marrë me nipër e mbesa, duke u marrë me nuse, duke u marrë me dhëndurë, duke u marrë me burrë e duke u marrë me këtë e atë, por ju duhen dhe ata në fund të ditës që ju dalin në televizor dhe jua bëjnë ditën natë.

Është komplet një absurd. Nuk ka lidhje fare. Nga rrogat, ata që marrin rroga më të larta paguajnë më shumë për pensionet çdo muaj. Japin kontribut për pensionet dhe normalisht, pensionet duhet të mbulohen me ato kontribute, ndërkohë që taksat paguhen për investime, paguhen për shpenzime të tjera të shtetit, nuk paguhen për pensionet.

Kur këtu njëra pjesë e njerëzve i bëjnë të dyja, pra paguajnë dhe kontribute shoqërore, paguajnë edhe taksa dhe me të drejtë thonë “Ore ne duam shërbim më të mirë shëndetësor,  duam shërbim më të mirë këtu, duam shërbim më të mirë aty”, ndërkohë që pjesa tjetër i shmangin. Jemi aty ku ishim me energjinë elektrike. 50% e popullit paguante energjinë elektrike edhe për ata që nuk paguanin dhe kur ne morëm detyrën ishim në prag të kolapsit total energjetik dhe tani jemi në kohën kur me të gjithë ata që i shmangen detyrimit për të paguar për pensionet tuaja, ne do të sillemi njësoj si me ata që nuk paguanin energjinë elektrike sepse ndryshe si do dalin këto?

U përmend diçka këtu që duket si e vogël, por është e madhe. Kjo qeveri që kur unë kam marrë besimin nga shumica e shqiptarëve ka bërë dy gjëra për pensionet që po të ishin bërë shumë vite më parë nuk do ishim këtu sot, si shumë prej reformave të tjera.

E para, kjo qeveri ka bërë një reformë pensionesh në 2014, e cila bën që po të shikoni sa është pensioni i atyre që dalin në pension pas 2014 bazuar tek kontributet me shumë nga ju që keni dalë përpara 2014, për të njëjtat vite pune, ata e kanë pensionin më të lartë. Pse? Sepse reforma u bë me thuajse çerek shekulli vonesë.

E dyta që ka bërë kjo qeveri, e Partisë Socialiste, është që qysh në krye të herës në atë reformë ka thënë dhe ka shkruar “Ne nuk mund të lemë asnjë të moshuar, në moshë pensioni, pa pension” edhe pse nuk figuron në asnjë lloj regjistri sigurimesh shoqërore dhe kryesisht është kategori e gjysheve që kanë qenë shtëpiake. Këtë e kanë shumë pak vende në Europë. Në atë Europën e zhvilluar atje ka njerëz në moshë pensioni që nuk kanë pension fare sepse nuk kanë kontribute dhe i mbajnë fëmijët. Nuk kanë pension. Natyrisht që pensioni social që kemi vënë ne është i vogël, nuk diskutohet, por ama skema që ne kemi është mbulimi universal, pra ne nuk lëmë asnjë pa mbuluar.

Tjetra, kini parasysh që duhet kujtuar sepse të gjitha këto janë shuma të mëdha, e njëjta gjë është për shëndetësinë, por nuk dua të zgjatem këtu. Sigurimet shëndetësore, shmangia e sigurimeve shëndetësore, janë dhe aty rreth 500 milionë të tjera, pra janë rreth 1 miliardë euro në total afërsisht që çdo vit buxheti i shtetit i nxjerr për pensionistët dhe për shëndetësinë për të mbuluar gropën e madhe të viteve të kaluara pa reforma, të viteve të kaluara kur u morën dhe u shkatërruan të gjitha, ju vu zjarri të gjithave dhe dolën njerëzit në pension nga 40 vjeç dhe nuk kanë dhënë kontribute dhe nuk ke si i mbulon, të viteve të kaluara kur njerëzit ikën dhe tani kthehen këtu pensionistë nga Greqia pasi kanë punuar atje 30 vjet e thonë “Po mirë, kaq më del pensioni mua”, më fal por nuk ke qenë këtu, ke qenë atje. Dhe prandaj ne e gjetëm Shqipërinë me një marrëveshje. Domethënë 23 vjet një marrëveshje kishin bërë për pensionet e të gjithë shqiptarëve që ikën jashtë sepse po të kishin bërë afro 20 e kusur, marrëveshjet që kemi bërë ne në 10 vjet, t’i kishin bërë kohë më përpara nuk  do kishim këtë situatë sepse do të vijë ai pensionisti, patjetër, do të vijë ai nga Greqia dhe do marrë këtu dhe kontributet që ka dhënë atje dhe anasjelltas, çka ne e arritëm me Italinë, që ishte një nga dy më të vështirat.

Pra ky është i gjithi një proces i imponuar nga faktorë objektiv, nuk është çështja a do, a s’do, se s’ka kryeministër në botë që nuk do të rrisë pensionet dhe nuk ka kryeministër në botë që nuk tundohet nga ideja: t’i rrisim pensionet se këta janë vota. Mirëpo të bësh këtë pa menduar është njësoj si t’i hapësh një gropë tjetër Shqipërisë me keq sesa ajo e piramidave dhe të gjithë këta që i dëgjoni ju, të të gjitha moshave që ju shfaqen, nga ata që ju i dini me rrënjë e dhëmballë dhe nga ata që janë akoma me dhëmbët e qumështit janë të gjithë produkte të politikes së piramidave, dinë të bëjnë vetëm piramida.

Ndërkohë, ju e dini shumë mirë në vitin 2022 ne kemi dhënë tre bonuse, përveç pensioneve, nga ndikimi i luftës në Ukrainë etj. Kemi dhënë po ashtu plus dhe bonusin tradicional dhe juve ju kujtohet shumë mirë, se ju keni qenë dhe jo thjesht keni qenë këtu siç janë dhe shumë të tjerë, por që e kanë kujtesën e shkurtër, por ju keni qenë këtu dhe keni qenë gjithmonë të vëmendshëm. Juve ju është bërë koka daulle, kur jo doli dikush dhe ju tha, “do ju jap lekë të blini një gjel në fund të vitit”. Ju kujtohet apo jo?

“Do ju jap lek– tha – të blini një gjel deti, se Shqipëria tha ka ndryshuar shumë, tha, dhe juve ju ka ardhur dita ta hani një gjel”. E kuptoni tani nga e kemi nisur ne?

Ne e kemi nisur nga kocka e kofshës së një gjysma gjeli në 2013. Për të vazhduar me disa gjëra që ne i bëjmë qysh prej vitit kur kemi filluar reformën e energjisë. Ne kompensojmë çdo muaj çmimin e energjisë për pensionistët e vetmuar dhe për këtë arsye për pensionistët kryefamiljarë ose pensionistët e vetëm që janë çift pensionistësh fatura e energjisë nuk është ajo që është për të tjerët sepse aty brenda është qeveria që paguan dhe shuma totale është e rëndësishme, që e mbulon qeveria.

Po ashtu, domethënë një çift pensionistësh që ta them me fjalë të tjera se ju i dini mirë llogaritë, 175 kw energji ua u blen shteti të gjithëve. Kjo nuk futet te pensionet, por kjo është mbështetje. Tani kanë ndodhur shumë gjëra pozitive në këtë periudhë, prandaj jemi këtu ne sot që mund ta bëjmë këtë bisedë me ju. Unë e kam thënë gjithmonë, pensionet janë ai guri i fundit i këtij muri për Shqipërinë 2030, por ama e kam thënë kohë më parë: do të na duhet kohë. Do na duhet kohë! Tani jemi në momentin kur kemi filluar të shohim mundësi dhe do fillojmë t’i ndajmë me ju këto mundësi, por ama na duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se çfarë po bëjmë të gjithë bashkë. Se kemi nevojë për solidaritet të madh në këtë përpjekje jo për të ndarë çfarë kemi në buxhet, por për të mos lejuar që mijëra, dhjetëra mijëra njerëz normal, njerëz që janë në rregull me ligjin, njerëz që i sheh të marrin më sysh, sa të mirë veshur janë, të mos vjedhin pensionet tuaja çdo muaj si një gjë që është normale. I merr punëtorin dhe i thua, “vëlla paga jote është 600-700-800 euro por unë do të të jap 400 në bankë e të tjerat do t’i jap në dorë se kështu është më mirë”. Dhe ky njeriu vjen pastaj tek ajo që tregoi zëvendës ministrja. Del në pension, i del pensioni dhe thotë: ç‘është ky pension? Dhe nis ankesën tek Astriti: me keni llogaritur gabim pensionin. Dhe ai me vetën është në rregull se thotë s’më del llogaria se unë kam marrë çdo muaj 600, 700, 800 të themi, si më del kjo kështu?

Mirëpo ashtu del ajo se tek Astriti fletorja tregon ato që ka kaluar ai me bankë se nga ato që ka kaluar ai me bankë janë marrë tek fondi i Astritit, të japin pensionin, ato të tjerat t’i bëjnë mirë atij që i ka fituar, se i ka merituar i ka me djersë, por nuk vlejnë më për pensionin. Kjo është grabitja e madhe. Ky është kollajllëku i madh më të cilin sot punëdhënësit dhe punëmarrësit e trajtojnë këtë çështje dhe këtu ne do ndërhyjmë shumë fort. Unë nuk dua të bëj as kërcenim se nuk është kërcenim, as paralajmërime por do t’i them të gjithë biznesmenëve sidomos atyre që bëjnë ndërtime: nuk ka sot, nuk ekziston, e dimë shumë mirë, është fakt, nuk ekziston sot punonjës ndërtimi me 400 euro në muaj, me 500 euro në muaj, me 600 euro në muaj, me 700 euro në muaj. Nuk ekziston!

Dhe na i regjistrojë atje të gjithë me pagë minimale. Ky është krim! Dhe nëse deri sot ne këtë e kemi trajtuar si informalitet dhe faktikisht një nga gjërat e mira që kanë ndodhur, është që nga viti 2013 i kockës së kofshës së gjysmë gjelit kemi rritur me 290 mijë numrin e atyre që kontribuojnë, pra nuk është pak, por prapë është kaq e pamjaftueshme sa ç‘është e pajustifikueshme që këta të deklarojnë pagat jo reale. Ato paga jo reale janë krim. Krim ndaj çdo pensionisti që sot me të drejtë thotë: “po mirë vajti si vajti kjo punë po atë gjysma gjelin mos na e lini ta kujtojmë më dhe mos na bëni që thjeshtë të themi o sa mirë kaluam nga gjysma gjeli kaluam tek ai 5 mijë lekëshi i ri i fund vitit. Bëje cik më shumë”. Që të bëhet cik më shumë ajo, duhet të luftohen këta. Dhe jo të luftohet por këta duhet të vetëdijesohen që hyjnë në një hak shumë të madh. Hyjnë në një gjynah shumë të madh. Për të vazhduar me pjesën e viteve të pakta të punës. Është problem shumë i madh! Ua shpjegova më parë se nga buron, ndërkohë që me rritjen e numrit të pensionistëve çdo vit, 15 mijë deri 18 mijë parashikojmë që fondi duhet të shkojë afërsisht në 2 miliard euro dhe po të shikoni fondin që ka Shqipëria për pensionin në krahasim me të gjitha të tjerat është fondi më i madh në buxhetin e shtetit, është 1/4 e buxhetit të shtetit. 1/4 e buxhetit të shtetit, domethënë ca mbledh shteti, 1/4 janë për pensionistët. Dhe ne këtë gjë fatmirësisht sot e shikojmë me pozitivitet, se ka filluar të na krijohet pak hapësire për të kontribuar drejtpërdrejte, për të pasur një bonus më të arsyeshëm, por nga ana tjetër na duhet patjetër pjesa e kontributeve të atyre që sot duhet të paguajnë që juve të merrni më shumë.

Dua të shtoj në fund që duhet të jeni shumë të sigurt dhe kjo nuk është retorikë. Nuk ka pasur dhe nuk ka dot një forcë tjetër politike dhe një qeveri tjetër që mund të bëjnë për ju maksimumin e mundshëm. Pavarësisht se maksimumi i mundshëm mund mos të jetë maksimumi i dëshiruar, por maksimum nuk ka. Çdo gjë tjetër është një iluzion dhe është një vetësugjestion dhe të jeni të bindur që kjo puna e pensioneve është një gozhdë në kokën time dhe është një gozhdë në tryezën e qeverisë që nga dita 1 kur unë jam ulur aty. Arsyet përse kërkon kohë, u përpoqëm me disa fjalë t’i shpjegojmë sot, do t’i shpjegojmë më tutje, por do të ndajmë  me ju se pse sot po e hapim këtë bisedë kaq të gjerë, sepse në fund të bisedës nuk mund t’ju themi ne ua shpjeguam të gjitha, tani në fund të vitit do t’iu japim atë 5 mijë lekshin dhe ju do prisni, jo. Duke filluat nga fundi i vitit ne do të përgatitemi që këto fjalë të marrin kuptim dhe kur flasim për Shqipërinë 2030 që duan, s’duan atë që s’duan dhe fatkeqësisht ata që s’duan janë më shumë se ç’duhet të ishin, ne do ta çojmë në Bashkimin Europian. Do ta çojmë në Bashkimin Europian, po ne nuk mundet ta çojmë në Bashkimin Europian edhe të vazhdojmë të bëjmë po këto muhabete. Pra do t’i japim gjatë këtyre viteve një kthesë shumë të fortë çështjes së pensionistëve duke e mobilizuar shoqërinë me hir apo pahir, me forcën e ligjit, e duke bërë që çdo kush që fiton para këtu në Republikën e Shqipërisë, atë pjesën që i takon pensionistëve të mos guxojë ta preki. Se aty fillon i gjithë problemi.

Dëgjon shumë nga këta që thonë: “Pse si rritni pensionet”. Po ça bëjnë vetë, gënjejnë, vjedhin, është fjalë e rëndë po është vjedhje, kontributet për pensionistët dhe fëmijëve të tyre ua japin vetë kesh. Se pyetja bëhet, po mirë me gjithë këto biznese që ka Republika e Shqipërisë, që janë rritur shumë, me gjithë këtë xhiro që ka në Republikën e Shqipërisë, si mund të mbijetojnë pensionistët me këto pensione dhe me këto çmime. Ju e dini mirë si mbijetoni. Mbijetoni sepse një pjesë e asaj xhiroje ju vjen ju nga fëmijët. Mirëpo fëmijët bëjnë mirë në radhë të parë të paguajnë sigurimet, se pastaj kujdeset Fondi i Sigurimeve për të gjithë dhe jo vetëm kujdeset Fondi i Sigurimeve për të gjithë, por taksat shkojnë për më shumë investime, të cilat krijojnë më shumë ekonomi, të cilat krijojnë paga më të larta dhe juve duhet të dini një gjë miqtë e mi, më të shtrenjtët jeni, se po i afrohem edhe unë kohës kur do të ulem në atë anë. Duhet të dini një gjë, që çdo pagë që rritet duhet t’ju gëzojë. Kur shikoni që u rrit paga dhe që shkoi 900 euro mesatarja në administratë, juve duhet të gëzoheni. Pse? Sepse nga ato paga rritet kontributi për sigurimet shoqërore, pra të gjithë ata që marrin pagën 900 euro, 950 euro është tek mësuesit, janë kontibutorët më të sigurt tuajit, sepse ata marrin pagën nga banka që ia çon shteti, shteti ua mban atyre, nuk është shteti siç është një ndërtues, apo një biznesmen tjetër që i thotë, – “Po ti jap këto në dorë lali, merri se i ke kollaj, pa taksa, po ti jap pa taksa”. Si po jep pa taksa, ti s’po ia jep pa taksa, ti po i vjedh atyre periudhën kur ata janë në të drejtën e Zotit që të pushojnë, të gëzojnë fundin e jetës, duke e parë diellin kur lind me gëzim, jo duke e parë me tmerrin se si do ta shtyj sot, këtë po i bën ti këtyre.

Kështu që gjithë ky tym e gjithë ky helm që juve jeni heronj që e filtroni, i keni ca filtra të jashtëzakonshëm e pastaj kur vjen dita e gjykimit ia jepni të gjithëve gjykimin, nuk duhet t’ju impresionojë fare, fare. Ajo që duhet është, ia kërkoj këtë të gjithë pensionistëve që çdo njeriu të punësuar, që e njohin, që e kanë në shtëpi, që e kanë fqinj, që e kanë të njohur, që e kanë nuk e di, ta pyesin, a i paguan sigurimet shoqërore ti? Çdokujt që iu del përpara, “ore më thuaj sa sigurime shoqërore paguan ti, nipi im që je biznesmen, jam kurioz”! Duhet të jemi një front, unë shpresoj që në këtë front të futet i gjithë biznesi. Jemi i vetmi vend në rajon miqtë e mi që kemi zero taksë për biznesin e vogël, zero. Nuk ka në asnjë vend tjetër, zero taksë. Zero TVSH, deri në 100 mijë euro xhiro. Çfarë i kërkojmë në biznesit të vogël? Paguaj sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. A mund tani të tolerohet kjo që të mos paguajnë as sigurimet shoqërore dhe shëndetësore? A mund të pranohet kjo kur ia ke hequr çdo gjë dhe kemi marrë angazhimin që deri në 2029 nuk do keni taksë. Po si mundet kjo? Po ke edhe fashën tjetër deri në 140 mijë euro xhiro, pa taksë, mos paguaj sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe pastaj “duam shëndetësi kështu, duam shëndetësi ashtu”.

Ndërkohë që unë jam shumë krenar për çfarë kemi bërë, edhe për shëndetësinë, edhe për të gjitha. Shumë krenar edhe e kam me provë. E kam me provë, jam i pari kryeministër në histori, me aq sa unë marr vesh nga historia që dy herë jam futur në thikë në spitalin publik. Ku të futesha në thikë unë në kohën kur qeverinë e drejtonin mjekët, s’futej dot njeri në thikë atje.

Pra shumë gjëra janë bërë, por të gjitha gjërat do marrin kuptimin e plotë për mua personalisht njëherë kur ju, asnjëherë nuk do mundet dot ju, një qeveri t’ju japi atë që realisht meritoni, kurrë, është e pamundur. Por ama ju të thoni që qeveria e bëri sforcon maksimale për mua, kaq më duhej” sepse kjo është më e rëndësishme në fund të ditës për ju sesa vetë shuma, është vetëdija për meritat dhe respektin. Ajo kocka e kofshës së gjysmë gjelit ishte mosrespekt. Kjo është situata.

Ju falenderoj shumë për durimin. Ju falenderoj shumë për vëmendjen. Më vjen shumë mirë që do bëjmë dhe një hap tjetër shumë të rëndësishëm se kemi dhe një problem tjetër që kemi rreth 40 mijë veta që dalin pension nga ish-kooperativa, se është një histori tjetër, ajo është një tjetër histori dhe janë 3 mijë procese gjyqësore në vit që i hapin nga tronditja, po si del kjo llogari, 3 mijë procese gjyqësore në vit. Do të bëjmë një ligj që do të bëjmë një njohje automatike të viteve të punës përpara ’94, që është prap një barrë direkte për buxhetin, por që në fund të ditës, shyqyr që ekonomia po na funksionon dhe që era e ekonomisë është në favor dhe që rritja ekonomike vazhdon dhe do të vazhdojë edhe më shumë vitet e ardhshme dhe ky është dhe optimizmi im për pensionet dhe qëllimi është që të arrijmë të kushtëzojmë qeverinë me ligj që në përqindjen e rritjes ekonomike, kur ekonomia ka një rritje ekstra, pensionistët të jenë përfituesit e parë, dhe të ndahet kjo. Nuk e ka, mirë merr atë që kemi parashikuar, e ka për shkak se rriten investimet, për shkak se rritet turizmi, për shkak se rritet kjo, shkoi mbi parashikimin dhe ne deri tani na ka shkuar çdo vit mbi parashikimin, atëherë te ajo “mbi-ja”, pensionistët të jenë përfituesit e parë. Këtë dua unë që ta arrijmë dhe të jeni të sigurtë që do ta arrijmë.

Ju më njihni më mirë se kushdo tjetër, se jeni dhe ekspertët më të mirë të politikës dhe prandaj unë i them të gjithë këtyre që kam në krah rrotull, mos harxhoni kohë duke parë debate në televizor, mos harxhoni kohë duke dëgjuar se vetëm çoroditeni, bëni gjëra më të hajrit në atë orë, e dini pse? E dini pse? Sepse në Shqipëri, ua them këtyre, ka një masë që është problem për pensionet, se është shumë e madhe, por që është garanci për politikën që nuk ka analist, opinionist e çfarë të doni ju, që ua shet sapunin për djathë. Kështu që rrini, mos u lodhni fare. Ato fjalë që bëjnë aq shumë zhurmë në ato ekrane, i merr era. Nuk ngjisin fare dhe atë s’kuptojnë ata, po më mirë mos ta kuptojnë se s’është kjo puna jonë, por desha t’ju them se ju më njihni shumë mirë dhe ju e dini shumë mirë një gjë që unë çdo fjalë që jap, e mas. Kjo punë është e tillë që ti nuk mund ta mbash fjalën atëherë kur do ti ta mbash, sepse ndodhin gjëra, por rëndësi ka që fjalën e dhënë mos ta harrosh dhe njësoj si të drejtën që vonon, por nuk harron, ta mbash dhe ta bësh.

Shumë faleminderit!

Shpresoj që të dilni pak më të qeshur sesa erdhët se ju pashë që në fillim që kishit indeksimin në kokë dhe po më shikonit mua si njeriu që erdhi t’ju tregojë llafe pasi ju rriti pensionin me indeksim. Indeksimi nuk ka lidhje. Indeksimi është 100 milion euro, por është pjesë tjetër. Ajo është, si e bëmë ne, si nuk e bëmë ne, atë e keni nga ligji që është aty i shkruar. Bëhet makina llogaritëse, sa është, po 4.1, merret 4.1. Një herë është 3.8, një herë 4.1, një herë 4.6, nuk ka rëndësi. Madje një herë, e kemi bërë dy herë brenda një viti. E çuam 9.6 pikërisht se pamë se çmimet patën goditje nga lufta. Këtë bëmë ne, që e bëmë dy herë. Ajo është pjesë tjetër. Ju pashë që, se i kam ndjekur, i kam dëgjuar, më thoshin aman të dalim të themi, jo, mos dilni të thoni. Nuk kemi çfarë themi ne më. Ne do të dalim të flasim për pensionistët, kur të kemi shumë gjëra për të thënë jo për të thënë, jo shiko se këta ja fusin kot. Se ata ja fusin kot, nuk ka nevojë ta themi ne se e merrni vesh vetë ju, por në këtë rast e pashë që ka rënduar kjo puna e 4.1%, kështu që të gjithë pensionistëve i them që 4.1% është tjetër gjë fare. Ajo është e juaja, s’ka lidhje fare me çfarë bën qeveria ose çfarë thotë qeveria. Ajo vjen si rezultat i matjes së çdo viti dhe të vjen të shtohet, por ne jemi këtu për çfarë do bëjmë ne. Jashtë këtij 4.1% dhe do të flasim gjatë gjithë këtij muaji me të gjithë pensionistët në të gjithë Shqipërinë, t’i shpjegojmë gjërat mirë, që të gjithë ta kuptojnë që ky është një plan dhe ky plan do të bëhet me hapa dhe do të fillojë që në fund të këtij viti dhe do të vazhdojë çdo vit duke rritur ambicien dhe duke ngjitur shkallët.

Shumë faleminderit!

Previous Moody’s përmirëson vlerësimin e Shqipërisë, duke e ndryshuar atë në “Ba3” me perspektivë të “qëndrueshme”