Ministri Malaj: Po punojmë për një skemë pensionesh të qëndrueshme dhe që garanton pensione më të larta - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri Malaj: Po punojmë për një skemë pensionesh të qëndrueshme dhe që garanton pensione më të larta

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë sot në një takim të zhvilluar me pensionistët, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Blendi Gonxhja.

Në fjalën e tij, Ministri Malaj tha po punohet për adresimin e çështjes së pensioneve, si në terma afatshkurtër, ashtu edhe në terma afatgjatë.

Në terma afatshkurtër, sipas Ministrit, po shqyrtohet mundësia e rritjes së bonusit të fundvitit, ndërsa në terma afatgjatë po punohet për krijimin e një skeme pensioni të qëndrueshme dhe që do të garantojë në vazhdimësi pensione më të larta.
Nga ana tjetër, Ministri Malaj sqaroi se indeksimi i fundit i pensioneve në masën 4.1 % nuk ka të bëjë me reformën që qeveria synon të ndërmarrë në këtë fushë, por është një detyrim ligjor që lidhet me rritjen e vazhdueshme të çmimeve.

Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:

Është një privilegj i veçantë për mua të jem sot përpara jush, përpara një brezi i cili ka dhënë një kontribut të qenësishëm për ta bërë vendin tonë më të begatë.

Që nga dita e marrjes së detyrës sime, një nga çështjet kryesore që më është kërkuar nga Kryeministri Rama ka qenë adresimi i një zgjidhjeje të shpejtë dhe të qëndrueshme të pensioneve.

Unë e kam pranuar këtë sfidë dhe si një nga objektivat e punës sime si Ministër i Financave.

Është fakt që kategoria e pensionistëve është kategoria e cila ka përfituar më pak nga zhvillimet ekonomike. E ndërsa kemi rritur pagat në administratë, shëndetësi, arsim, polici e mbrojtje, besoj që ka ardhur koha që të adresojmë edhe çështjen e rritjes së pensioneve.
Për këtë arsye, së bashku me ministrin Gonxhe jemi ngarkuar për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë, si në terma afatshkurtër, ashtu edhe në terma afatgjatë, për çështjen e pensioneve.

Në terma afatshkurtër po shqyrtojmë mundësinë e rritjes substanciale të bonusit të fundit të vitit, duke u bazuar në performancën e ekonomisë dhe kapacitetet financiare që ka vendi ynë.

Ky bonus është një mënyrë për të lehtësuar sadopak barrën financiare të përditshme që ju keni dhe synon të ndihmojë më shumë ata që kanë nevojë.

Ndërkohë që, në terma afatgjatë, synimi ynë është krijimi i një skeme pensioni të qëndrueshme dhe që do të garantojë në vazhdimësi pensione më të larta.

Gjej rastin të sqaroj edhe njëherë çështjen e indeksimit të pensioneve me 4.1 %. Çështja e indeksimit me 4.1 % nuk ka të bëjë fare me skemën apo reformën që duam të bëjmë ne dhe nuk ka lidhje me rritjen e pensioneve që kemi për synim të kryejmë. 4.1 % është një detyrim ligjor i cili ka të bëjë me indeksimin e rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Pra nuk ka të bëjë fare me skemën e pensioneve që jemi duke riparë.

Së fundmi, doja të theksoja se çështja e pensioneve është një çështje që na prek të gjithëve pa dallim, pa ngjyrime politike dhe për këtë arsye meriton që të kemi një qasje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e pensioneve. Ndaj edhe qeveria Rama është plotësisht e angazhuar për një rritje sa më të shpejtë të pensioneve.

Previous Rritja e pensioneve, nisin diskutimet publike informuese me pensionistët