Fjala e Ministrit Malaj në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat- Buxheti faktik i vitit 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Ministrit Malaj në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat- Buxheti faktik i vitit 2023

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2023”.

Fjala e Ministrit Petrit Malaj:

I nderuar Kryetar,

Të nderuar Deputetë,

Projektligji i Buxhetit Faktik të vitit 2023 që ndodhet para jush për shqyrtim, vjen si detyrim që buron nga Ligji Organik i Buxhetit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, si një etapë e rëndësishme e procesit të transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë kundrejt zbatimit të buxhetit të vitit të mëparshëm, në drejtim të arritjes së objektivave të paracaktuara në çdo sektor, përballimit të sfidave dhe ndikimit në jetën e qytetarëve shqiptarë.
Buxheti i vitit 2023 synoi vijimësinë e konsolidimit të rimëkëmbjes ekonomike të vendit pas përballjes me tre goditje të mëdha: si tërmeti i nëntorit 2019, pandemia globale dhe së fundmi, ndikimi i krizës globale të vitit 2022, që solli sfida të reja si i lartë dhe rritje të kostos së financimit. Njëkohësisht, politikat fiskale të kujdesshme, të ndërmarra si në drejtim të të ardhurave ashtu edhe të shpenzimeve buxhetore, siguruan uljen e qëndrueshme të stokut të borxhit publik, që do të vijojë edhe në periudhën afatmesme.
Ekonomia e vendit, deri më tani, ka treguar elasticitet të konsiderueshëm përballë këtyre goditjeve të njëpasnjëshme. Aktiviteti ekonomik ka vijuar me një rritje pozitive dhe të qëndrueshme, përfshirë rritjen e punësimit dhe pagave, pavarësisht përballë një ambienti sfidues ekonomik, të karakterizuar nga pasiguri dhe kushte më të shtrënguara financimi. Deri më tani, fondamentet kryesore ekonomike dhe financiare, si dhe stabiliteti makroekonomik i vendit, ka rezistuar relativisht mjaft mirë dhe pritet që ekonomia të vazhdojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme.

Rritja ekonomike për vitin 2023 tejkaloi pritshmëritë fillestare, duke arritur në nivelin 3.94% në bazë vjetore. Sipas vlerësimeve të fundit, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) real u rrit me 2.5% në tremujorin e parë, e ndjekur nga një rritje më e fortë prej 4.3% në tremujorin e dytë dhe një rritje prej 4.5% dhe 4.2% në tremujorin e tretë dhe të katërt, krahasuar me tremujorët përkatës të vitit 2022. Kjo rritje u mbështet si nga kërkesa e brendshme ashtu edhe nga ajo e huaj. Kontributet kryesore në rritje nga kërkesa e brendshme kanë ardhur si nga konsumi, ashtu edhe investimet, të cilat u rritën në terma realë përkatësisht me 3.2% dhe 1.0% krahasuar me vitin 2022. Ndërkohë në vitin 2023, eksportet totale u rritën me rreth 9.5% dhe importet totale me rreth 0.2% për rrjedhojë, kërkesa e huaj neto pati një kontribut pozitiv me rreth 3.4% në rritjen ekonomike në vitin 2023, në pasqyrim të një sezoni turistik mjaft pozitiv. Treguesi i borxhit shënoi nivelin 57.5% të PBB dhe treguesi i defiçitit shënoi nivelin 1.3%.
Tregu i punës ka vazhduar të përmirësohet ndjeshëm gjatë vitit 2023. Punësimi u rrit mesatarisht me 1.6% në vit, mbështetur kryesisht nga punësimi më i lartë në sektorin e shërbimeve. Në të njëjtën kohë, shkalla e papunësisë vazhdoi trendin rënës të viteve të fundit dhe është ulur deri në 10.7% në tremujorin e katërt të 2023, nga 11.0% në fund të vitit të kaluar (për moshën 15 vjeç e lart). Kjo paraqet normën më të ulët të papunësisë të regjistruar ndonjëherë. Gjithashtu, edhe paga mesatare ka shënuar rritje me 13.7% në krahasim me një vit më parë, duke rezultuar në 75,025 LEK në fund të vitit 2023. Evidencat tregojnë se ka një interes të përgjithshëm në rritje për të hyrë në fuqinë punëtore, nxitur edhe nga trendi rritës i pagave, duke nënvizuar kështu tendencat pozitive në ofertën e punës.

Inflacioni ka reflektuar goditjen e fundit të ofertës së jashtme përgjatë vitit të shkuar, për shkak të luftës në Ukrainë, duke u kthyer në një nga çështjet kryesore makroekonomike për ekonominë tonë, ashtu si në shumë vende të tjera të botës. Megjithatë, është me rëndësi dhe në favor të zhvillimeve dhe perspektivës së ekonomisë fakti që inflacioni në vendin tonë ka qenë ndjeshëm më i ulët sesa në vendet e rajonit, si dhe me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian, me një normë mesatare prej 4.8% nga 6.7% që rezultoi në 2022. Trendi rënës i inflacionit gjatë vitit 2023 u diktua nga dobësimi i presioneve të huaja inflacioniste, nga forcimi i monedhës vendase në tregun valutor, si dhe nga impaktit i politikës monetare.

Borxhi publik gjatë vitit 2023 përgjithësisht u karakterizua nga një ecuri pozitive, duke qenë në përputhje me objektivat makro-fiskale, buxhetin e planifikuar dhe objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit (SAMB). Viti 2023 ka qenë një vit mjaft pozitiv përsa i përket sigurimit të financimit, si në tregun e brendshëm dhe në atë të huaj. Huamarrja u realizua në linjë me buxhetin e vitit, si edhe në linjë me Planin e Huamarrjes së vitit 2023. Në ndryshim nga viti 2022, i cili u karakterizua nga një pasiguri në tregun primar vendas si dhe ulje të kërkesës për tituj shtetërorë, gjatë 2023 situata u përmirësua ndjeshëm dhe kërkesa për tituj shtetërorë u rikthye në nivele të kënaqshme, duke tejkaluar ofertën e Qeverisë për tituj shtetërorë. Nëpërmjet huamarrjes u mundësua rifinancimi i borxhit ekzistues, si dhe financimi i pjesshëm i defiçitit të planifikuar për vitin 2023.

Huamarrja në terma bruto u realizua në vlerën 466 miliardë LEK, nga të cilat 80.3% (ose 374.1 miliardë LEK) u financuan nëpërmjet burimeve të brendshme dhe 19.7% (ose 91.9 miliardë LEK) nëpërmjet burimeve të huaja. Huamarrja e huaj u realizua nëpërmjet emetimit të instrumentit të Eurobondit dhe disbursimit të huave për projekte dhe mbështetje buxhetore. Në Qershor 2023 Qeveria emetoi Eurobondin e gjashtë me vlerë 600 milionë EUR, kupon 5.9%, yield 6.125% dhe me një ofertë finale (final book) prej 1.3 miliardë EUR.

Gjatë vitit 2023, Ministria e Financave ka vijuar përpjekjet në drejtim të reduktimit të ekspozimit ndaj risqeve duke mbajtur koston në nivelin më të ulët të mundshëm. Gjatë kësaj periudhe, menaxhimi i risqeve të portofolit të borxhit ka mundur të evoluojë në drejtim të objektivave strategjikë afatmesëm, duke shfaqur përmirësim të të gjithë treguesve të riskut në krahasim me fundin e 2022.

Përmirësimi i mëtejshëm i strukturës së borxhit, kryesisht në aspektin e reduktimit të ekspozimit ndaj riskut të rifinancimit dhe riskut të normave të interesit do të vijojë të mbetet fokusi kryesor në menaxhimin e borxhit, në mënyrë që treguesit e këtyre risqeve të përmirësohen në periudhat në vijim.

Programimi i të ardhurave buxhetore, përgjatë vitit 2023, mbështeti synimet e Qeverisë për rritjen ekonomike, krahas mbajtjes nën kontroll të defiçitit buxhetor dhe borxhit publik. Ky programim u bazua kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi, duke mbështetur në këtë mënyrë rimëkëmbjen ekonomike pas pasojave të tërmetit dhe pandemisë gjatë 2020-2021, përmes nxitjes së prodhimit vendas dhe eksporteve. Krahas përpjekjeve për rritjen e nivelit të mirëadministrimit, e suportuar kjo edhe nga projekti i fiskalizimit, u implementuan edhe një sërë masash në kuadrin e një strategjie gjithpërfshirëse të rritjes së të ardhurave në një periudhë afatmesme, nëpërmjet përmirësimit të politikave fiskale.

Politika fiskale gjatë vitit 2023 ka vijuar të synojë rimëkëmbjen e ekonomisë, por dhe rishikimin e incentivave tatimore të ndërmarra nga Qeveria me synim sigurimin e një sistemi taksimi të drejtë, të balancuar dhe që nxit produktivitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë. Ndryshimet në paketën fiskale 2023 synuan përgjithësisht korrektime në elementë të veçantë tatimesh dhe taksash, si tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi të ardhurat, akcizat dhe taksat kombëtare.

Paketa fiskale 2023 ka pasur si qëllim përmirësimin e politikave në fushën e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe akcizave, si dhe angazhimeve në kuadrin e përafrimit gradual të legjislacionit përkatës me direktivat e Bashkimit Evropian që lidhen me këto tatime.
Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i miratuar në 3 mujorin e parë të vitit 2023, ka synuar përmirësimin e sistemit të taksimit të individëve dhe entiteteve ligjore në Shqipëri, forcimin e parimit të neutralitetit në sistemin tatimor shqiptar, përafrimin gradual të sistemit të tatimit të të ardhurave në Shqipëri me parimet e Direktivave të BE në lidhje me tatimin e të ardhurave dhe kapitalit, adresimin e mangësive dhe boshllëqeve legjislative të konstatuara gjatë periudhës 22 vjeçare të aplikimit të ligjit ekzistues duke synuar dizenjimin e një sistemi tatimi më të drejtë dhe stimulues, më të ndershëm dhe të gjithëpranuar.

Në terma konkretë, të ardhurat totale të buxhetit të konsoliduar për periudhën 12 mujore 2023 arritën në 643.4 miliardë LEK me një realizim në masën 99%, rreth 12.3% ose 70.6 miliardë LEK më shumë se realizimi vjetor 2022. Rritja e të ardhurave nga turizmi dhe gjithë sektorëve të tjerë të ekonomisë që lidhen drejtpërdrejt ose indirekt me turizmin (sektori i shërbimeve dhe i prodhimit), reforma e rritjes së pagave në administratën publike si dhe efektet e politikave fiskale janë ndër faktorët kryesor që ndikuan në ecurinë e mirë të të ardhurave.

Shpenzimet Buxhetore përgjatë vitit 2023, arritën në rreth 674.9 miliardë LEK. Krahasuar me vitin 2022, shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 3.7% më të larta ose rreth 23.8 miliardë LEK më shumë.
Shpenzimet kapitale (përfshirë Fondin e Rindërtimit) rezultuan rreth 119.1 miliardë LEK. Krahasuar me vitin 2022, ky zë është 6.2% më i lartë ose rreth 6.9 miliardë LEK më shumë. Investimet me financim të brendshëm u realizuan në masën 88.5 miliardë LEK ose rreth 96.4% e planit, ku shpenzimet e Rindërtimit u realizuan në masën 16.2 miliardë LEK. Buxheti 2023 financoi një nivel të lartë investimesh publike, që kanë prekur fusha të rëndësishme të ekonomisë, si në: infrastrukturë, ujësjellës-kanalizime, transport rrugor, shëndetësi, mbrojtje, etj. Realizimi i investimeve në total ka qenë në nivele të larta, veçanërisht për financimin e brendshëm. Në përgjithësi ecuria e realizimit të shpenzimeve kapitale ka vijuar pa problematika thelbësore që ndikojnë qëndrueshmërinë financiare të buxhetit.

Shpenzimet korente rezultuan në rreth 547 miliardë LEK ose 99.7% e planit dhe në nivelin rreth 23.7% të PBB nominale vjetore, kundrejt një mesatare prej rreth 24.4% të këtij raporti në vitet pararendëse. Krahasuar me 2022, ato rezultuan 9.4% më të larta ose rreth 47 miliardë LEK më shumë. Zërat kryesorë që ndikuan në rritjen e shpenzimeve korrente për vitin 2023 janë:

-Shpenzimet e personelit të cilat, krahasuar me 2022, rezultuan 18.6% më të larta ose rreth 15.8 miliardë LEK më shumë, kushtëzuar kjo nga efekti financiar i rritjes së nivelit të pagave sipas VKM-ve përkatëse dhe për rrjedhojë edhe e rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore;
-Shpenzimet për fondet speciale të cilat, krahasuar me vitin 2022, rezultuan 4.7% më të larta ose rreth 10.3 miliardë LEK më shumë, kushtëzuar kjo nga fondet e akorduara shtesë për shpërblimin e pensionistëve dhe mbështetjen financiare të disa kategorive të personave që përfitojnë pension invaliditeti dhe pension familjar, si dhe akordimi i fondeve shtesë për sigurimet shëndetësore për shkak të rritjes së nivelit të pagave;
-Shpenzimet për interesa të cilat, krahasuar me 2022, janë 20.1% më të larta ose rreth 8 miliardë LEK më shumë;
-Shpenzimet për buxhetin vendor të cilat, krahasuar me vitin 2022, rezultuan 17.3% më të larta ose rreth 10.1 miliardë LEK më shumë. Kjo vjen kryesisht nga shpenzimet e personelit të cilat rezultojnë me një rritje prej afërsisht 18% ose rreth 4.4 miliardë LEK më shumë se viti 2022, kushtëzuar kjo nga efekti financiar i rritjes së nivelit të pagave. Gjithashtu, vihet re rritje e konsiderueshme edhe e shpenzimeve për investime me rreth 4.6 miliardë LEK ose rreth 39% kundrejt 2022, ndikuar nga rritja e transfertës qendrore duke i dhënë mundësinë NJVQV të financojnë më shumë shërbime publike dhe investime që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Nga pikëpamja funksionale:

Sektori me peshën më të lartë rezultoi ‘Mbrojtja sociale’, me 31% të shpenzimeve të përgjithshme publike në vitin 2023, e dominuar nga shpenzimet për fondin e pensioneve dhe programet në mbështetje të familjeve dhe individëve në nevojë (ndihma ekonomike dhe aftësia e kufizuar).

Ndërkohë, ‘Shëndetësia’ dhe ‘Arsimi’ përbënë 10% të shpenzimeve të përgjithshme publike në vitin 2023; Çështjet Ekonomike dhe Strehimi përbëjnë përkatësishit 13% dhe 8%; dhe Shpenzimet e përgjithshme publike 16%. Edhe plani fillestar i vitit 2023 kishte parashikuar po këto nivele, pak a shumë të ngjashme, të peshave relative të shpenzimeve sipas klasifikimit funksional, kundrejt një viti më parë.

Në shmangien e vërejtur kundrejt rezultatit faktik 2023, ka ndikuar shpërndarja gjatë vitit 2023 e atyre shpenzime të paklasifikuara të lidhura respektivisht me shërbimin e borxhit, shpenzimet e pushtetit vendor, fondin rezervë, fondin e kontigjencës, fondin e rindërtimit. Në çdo rast, rezultati faktik tregon nivele të kënaqshme të realizimit të planit sipas funksioneve për vitin 2023.
Sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë:

Në Arsim është ofruar shërbimi i mësimdhënies për mbi 340 000 fëmijë të arsimit parashkollor e arsimit bazë si edhe 79 000 nxënës në atë të mesëm. Vëmendje e veçantë i është kushtuar shmangies së braktisjes shkollore, integrimit të fëmijëve romë/egjiptianë dhe me aftësi të kufizuara. Performanca e produkteve në funksion të objektivave ka qenë si vijon:

-35 500 nxënës me vendbanim mbi 2 km nga shkolla si dhe 10 200 mësues që punojnë mbi 5 km nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës, iu ofrua shërbim transporti për 1.2mld LEK;
-240 000 nxënës nga klasa e parë në klasën e nëntë përfituan tekste shkollore falas për përdorim për vitin 2023, me një efekt financiar prej 989 milionë LEK;
-16 000 nxënës të arsimit të mesëm që i përkasin grupeve sociale në nevojë kanë përfituar tekste mësimore falas me një kosto prej 96 milionë LEK;
-Në arsimin e lartë, vijoi me prioritet financimi me bursa i studentëve me rezultate të larta, i kategorive sociale në nevojë, si dhe përjashtimi 100% nga tarifa vjetore e shkollimit apo reduktimi në masën 50% nga tarifa vjetore e shkollimit për studentët e ciklit të dytë. Gjithashtu, përfituan bursa dhe mbështetje financiare për akomodim në shtëpitë e studentëve rreth 12 000 studentë me një kosto vjetore prej 1.2 miliardë LEK.
Në Shëndetësi, programi “Shërbime të Kujdesit Shëndetësor Parësor” ka realizuar qëllimin për një mbulim universal të nevojave të popullatës për kujdes mjekësor parësor. Performanca e produkteve që ndikuan, rezultoi si më poshtë:
-U realizuan rreth 7.3 milionë vizita tek mjeku i familjes, me kosto faktike rreth 1.29mld LEK;
-U krye chekup për 467,663 pacientë të moshës 35-70 vjeç, me kosto faktike rreth 750mln LEK;
-U trajtuan 382,456 pacientë me rimbursim nga mjeku i familjes, me kosto faktike 4.5mld LEK.

Sa i përket programit “Shërbime të Kujdesit Shëndetësor Dytësor”, ai ka realizuar mbulim universal të nevojave të popullatës për kujdes mjekësor të specializuar, ku gjatë vitit 2023 janë trajtuar në shërbimet me shtretër rreth 307 808 pacientë ose rreth 29 000 më shumë nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Ndër arritjet kryesore përmendim:

-Realizimin e rreth 200 245 seanca për trajtimin e pacientëve me dializë, shoqëruar me një kosto faktike prej rreth 2.57 miliardë LEK;
-Kryerjen e 4.38 milionë ekzaminime laboratorike, shoqëruar me kosto faktike 1.73mld LEK;
-Trajtimin e rreth 10 908 pacientëve me paketat spitalore të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, me një kosto faktike prej 1.18 miliardë LEK.

Programi “Përkujdesi Social” ka financuar mbështetjen nëpërmjet pagesave në cash dhe shërbimeve sociale, për familjet në nevojë dhe individët me aftësi të kufizuara, për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara social ekonomike. Ndër produktet e financuara nga ky program veçojmë:

-Trajtimin e rreth 62 399 familje dhe individë që përfitojnë nga skema e Ndihmës Ekonomike, me një kosto faktike 6 miliard LEK;
-Trajtimin e rreth 163 298 personave me aftësi të kufizuar, një kosto faktike 18.3mld LEK;
-Dhënien e shpërblimit të lindjes për rreth 42 740 të porsalindur, me kosto faktike 3.3mld LEK;
Në Bujqësi u realizuan një sërë produktesh të rëndësishme, ku veçojmë:
-Mbështetjen nga skema kombëtare për 12 537 fermerë, me fond të disbursuar prej 2.9mld LEK;
-Subvencionimi me naftë për bujqësinë për rreth 53 171 përfitues, ku fondi i planifikuar u realizua në vlerën rreth 2.2 miliard LEK;
-Kontrolle në fermat e kafshëve të gjalla si dhe kontrolle në farmacitë veterinare dhe depot farmaceutike, me një kosto faktike prej 650.5 milionë LEK;
-Realizimin e rreth 103 813 inspektimeve në fushën e sig.ushqimore, me kosto faktike prej 621mln LEK;
Në Turizëm është realizuar objektivi i kthimit të Shqipërisë në një destinacion tërheqës turistik, cilësor dhe të qëndrueshëm, duke shfrytëzuar potencialet dhe burimet lokale, ku gjatë vitit 2023:
-10.1 milionë turistë kanë hyrë në Shqipëri, 35% më shumë krahasuar me vitin 2022;-Është realizuar projekti për mbështetjen e 6 bashkive (Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Vlorë, Himarë, dhe Sarandë) në procesin e pastrimit të vijës bregdetare, me kosto faktike 167mln LEK;
-Janë financuar 32 projekte për zhvillimin e turizmit, me një kosto faktike 102.8mln LEK.

 Infrastrukturë ka vijuar puna për zhvillimin më tej të sistemit kombëtar të transportit, përmirësimin e ndjeshëm të qëndrueshmërisë, ndërlidhjes, ndërveprimit dhe integrimin e tij me gjerë, me sistemin ndërkombëtar dhe evropian të transportit dhe rajonin si dhe mbulimin me financim dhe zgjerimin, rritjen e standarteve dhe mirëmbajtjen e rrjetit kombëtar të rrugëve, me synim krijimin e një transporti të qëndrueshëm. Janë financuar plotësisht 12 projekte investimi me vlerë totale rreth 7.7 miliard LEK ku ndër më kryesoret përmendim:

-Ndërtim rruga Korçë – Ersekë Loti 2, (pjesa e parë) me vlerë 2.8 mld LEK;
-Sistemimi dhe rivitalizimi i skarpatave në Plani i Bardhë me vlerë 1.4 mld LEK;
-Ndërtim rruga By Pass Perëndimor Shkodër, Loti 1 me vlerë 876 milionë LEK ;
-Ndërtim rruga Kardhiq – Delvinë Loti 4, Shtesë punimesh me vlerë 558 milionë LEK;
-Përmirësimi i sinjalistikës horizontale, vertikale dhe pajisjeve të sigurisë rrugore në akset e Rajonit Verior, Loti 1 (2023) me vlerë 438.2 milionë LEK;
-Përmirësimi i sinjalistikës horizontale, vertikale dhe pajisjeve të sigurisë rrugore në akset e Rajonit Jugor, Loti 3 (2023) me vlerë 392.4 milionë LEK;
-Përmirësimi i sinjalistikës horizontale, vertikale dhe pajisjeve të sigurisë rrugore në akset e Rajonit Qendror, Loti 2 (2023) me vlerë 370.2 milionë LEK;

Sa i takon Financave Vendore – Vazhdimi i konsolidimit të procesit të menaxhimit financiar në nivel vendor në funksion të vazhdimit të zbatimit të procesit të decentralizimit fiskal të njësive të vetëqeverisjes vendore, ka qenë fokusi kryesor gjatë 2023. Ministria e Financave ka vijuar me reformimin e financave publike vendore, duke u fokusuar në rritjen e investimeve, digjitalizimin e operacioneve të menaxhimit financiar në nivel vendor, dhe nxitjen e rritjes së të ardhurave nga taksat vendore.
Gjatë 2023, janë ruajtur treguesit pozitiv të rritjes së rolit të pushtetit vendor në forcimin e kapacitetit fiskal por gjithashtu edhe në rëndësinë e shërbimeve publike. Kjo është reflektuar në sigurimin për pushtetin vendor të një pakete më të gjerë të mbështetjes financiare për mbulimin e funksioneve të transferuara në nivel vendor, që u reflektua edhe në realizimin e treguesve fiskalë të financave vendore.

Konsolidimi i buxhetit vendor në 3% të PBB apo mbi 10% të buxhetit të shtetit tregon qartazi potencialin në rritje të pushtetit vendor për ofrimin e shërbimeve. Një ndër treguesit më të rëndësishëm të konsolidimit fiskal të njësive të vetëqeverisjes vendore është rritja e aftësive të tyre për të siguruar të ardhura nga burimet e veta dhe arkëtimin e tyre në mënyrë të qëndrueshme në kohë. Gjatë 2023, u sigurua një rritje e rëndësishme e të ardhurave në raport me planin, tregues ky i kapacitetit në rritje të njësive për të siguruar qëndrueshmërinë e financimit të funksioneve.

Rritja e të ardhurave nga burimet e veta të NJVQV është synim i menaxhimit financiar publik në nivel vendor dhe një nga shtyllat më të rëndësishme të decentralizimit fiskal. Njësitë vendore për vitin 2023 kanë mbledhur të ardhura të veta në rreth 35 miliard lekë, nga të cilat rreth 31.7 miliard lekë janë të ardhurat e veta tatimore dhe rreth 3.3 miliard lekë të ardhurat jotatimore, duke u realizuar me 12.9% më shumë në krahasim me 2022. Në vite të ardhurat vendore kanë ruajtur një trend të ndjeshëm rritjeje, duke përcaktuar në këtë mënyrë ecurinë pozitive të aftësisë së pushtetit vendor për të siguruar të ardhura, një konfirmim ky i efekteve pozitive të decentralizimit pavarësisht sfidave të viteve të fundit me të cilat është përballur vendi në tërësi.
Niveli i shpenzimeve për pushtetin vendor për vitin 2023 arriti në masën rreth 68.8 miliardë LEK, nga 58.7 miliardë LEK një vit më parë. Gjatë vitit 2023, luhatjet e ardhura nga efektet negative të disa viteve më parë tashmë janë stabilizuar dhe proceset e menaxhimit financiar publik në nivel vendor vazhduan në trendin pozitiv, gjë që dëshmohet edhe nga rritja 17.3% e shpenzimeve vendore në krahasim me 2022. Në vitin 2023, shpenzimet vendore zënë rreth 3% të PBB dhe 10.2% në raport me shpenzimet e përgjithshme publike.

Të gjitha sa më sipër parashtruar, në nivel qendror e vendor, në kahun e të ardhurave e shpenzimeve, në këndvështrimin makroekonomik e atë të borxhit publik janë rezultat i reformave të ndërmarra nga Qeveria ndër vite, rezultat i materializimit te prioriteteve te qeverise, gjë që ka garantuar stimuj pozitivë të sigurt për rritjen ekonomike të vendit në periudhën afatmesme.

Kjo Qeveri ka qenë dhe vazhdon të jetë e vendosur të arrijë objektivin e saj madhor për të qenë pranë të gjithë shqiptarëve, përmes politikave ekonomike, sociale e fiskale që synojnë të ndihmojnë çdo familje dhe çdo biznes. E gjithë kjo, natyrshëm, përkthehet në një mirëqenie më të lartë ekonomike dhe sociale për qytetarët e vendit tonë!

Në mbyllje të fjalës sime, duke Ju falenderuar, Ju ftoj ta votoni buxhetin faktik të vitit 2023!

Previous Projektet për Mbrojtjen Civile, ministri Vengu takim me bashkitë e qarkut të Shkodrës