Fjala e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në Komisionin për Sigurinë Kombëtare për prezantimin e projektbuxhetit të Ministrisë së Brendshme për vitin 2025:
I nderuar Kryetar i Komisionit,
Të nderuar deputetë,
Projektbuxheti afatmesëm 2025 – 2027 i Ministrisë së Brendshme është hartuar sipas legjislacionit financiar, rregullave dhe udhëzimeve të Ministrisë së Financave.
Dua t’ju bëj me dije se janë ndjekur të gjitha fazat e konsultimeve dhe diskutimeve në Ministrinë e Financave, për kërkesat buxhetore e në mënyrë të veçantë, për buxhetin e vitit 2025.
Sepse realisht ky është buxheti më i madh, që ka pasur Ministria e Brendshme, me rritje 20%, krahasuar me një vit më parë.
Në vlera nominale, buxheti i Ministrisë së Brendshme është 31 miliardë lekë, ose rreth 50 milion euro më shumë, krahasuar me vitin 2024.
Buxheti garanton mbështetjen financiare për ushtrimin e përgjegjësive të strukturave në funksion të realizimit të objektivave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parashikon financimin e disa projekteve të rëndësishme në fushën e teknologjisë dhe informacionit për strukturën e Policisë së Shtetit.
Sa i përket shpenzimeve, veç pagave, mbulohen shpenzimet e personelit, e në mënyrë të veçantë pagesa e mbikohës së punës dhe orët e natës për strukturat e Policisë së Shtetit; efekti financiar i kompensimit ushqimor të punonjësve të Policisë së Shtetit për një vlerë rreth 1 miliard lekë; efekti financiar për fillimin e projektit të ri për uniformën e punonjësve të Policisë së Shtetit pasi për uniformën aktuale kontrata përfundon më 31 Dhjetor 2024.
Gjithashtu buxheti 2025 garanton shpenzimet e domosdoshme, mirëmbajtje pajisjesh e sistemesh të teknologjisë dhe informacionit, blerje materiale e shërbime të tjera të nevojshme, por në mënyrë të veçantë garantohet angazhimi i strukturave policore në garantimin e procesit për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
Shpenzimet për investime, janë parashikuar në shumën 2,8 miliard lekë, me një rritje prej 51% në raport me planin e buxhetit të vitit 2024.
Projektbuxheti që prezantojmë sot, siguron financimin e një projekti tepër të rëndësishëm për Policinë e Shtetit, “Sistemi i Kamerave në administrim të Policisë së Shtetit-Smart City”. Ndër të tjera ai synon monitorimin dhe identifikimin në kohë reale të automjeteve, që qarkullojnë në akset rrugore të cilësuara me interes prioritar, si dhe në të gjitha Pikat e Kontrollit Kufitar. Objektivi i përgjithshëm i projektit është të rritet niveli i sigurisë publike dhe performanca e punonjësve të Policisë, duke instaluar sisteme elektronike për të monitoruar dhe kontrolluar sa më mirë territorin dhe duke siguruar informacionin për parandalimin dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale.
Përmes këtij buxheti, financojmë disa projekte në vijim nga viti i kaluar, siç janë rikonstruksioni i Drejtorive të Policisë Elbasan dhe Berat; ndërtimi dhe rikonstruksioni i Komisariateve Sarandë, Krujë dhe Kurbin, si dhe i Stacioneve Policore Patos e Roskovec, në DVP Fier.
Financimet e tjera prekin projekte në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit, përmirësimin e sistemit të trajtimit të aplikimeve për qytetarët dhe subjektet tatimpaguese, ngritja e sistemit të menaxhimit të informacionit për Akademinë e Sigurisë Publike – eAkademia, etj.
Më konkretisht:
Policia e Shtetit në buxhetin 2025 parashikohet të ketë një rritje në masën 22 % krahasuar me vitin 2024. Brenda kësaj rritje, investimet janë në shumën 2,4 miliardë lekë, ose me rritje 48 %, në raport me planin e buxhetit të këtij viti.
Buxheti për shpenzimet është në shumën rreth 5,1 miliardë lekë, me një rritje prej 41 % në raport me planin e buxhetit të vitit 2024.
Sa i përket Gardës së Republikës, kemi parashikuar një rritje në masën 13 %, sipas zërave të shpenzimeve, të ndara sipas nevojave që janë paraqitur nga Garda e Republikës, të cilat përfshijnë blerje mjetesh, integrim të sistemeve të sigurisë dhe vëzhgimit me kamera të objekteve nën ruajtje.
Vitin e ardhshëm është parashikuar mbështetja për forcimin dhe rritjen e efikasitetit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim të fortë me partnerët tanë. Buxheti për AMP ka një rritje prej 3,4 % në raport me planin e buxhetit të vitit 2024. Ai përfshin ndër të tjera blerje programesh për analizim të dhënash dhe pajisje për hetime proaktive, ndaj strukturave me uniformë në thyerje të ligjit.
Për sa i përket shërbimit të Gjendjes Civile, në zërin e investimeve ka një rritje prej 55 %, për të përmbushur gjithë detyrimet që parashikon kuadri ligjor, për përmirësimin e infrastrukturës hardware dhe software të Regjistrit Kombëtar të GJC, por edhe gjithë detyrimet në kuadër të përgatitjeve për procesin elektoral të pranverës së ardhshme.
Buxheti për programin “Prefekturat dhe funksionet e deleguara”, shënon një rritje prej 8 %, duke synuar forcimin e rolit të Prefektit dhe Këshillave Vendorë të Sigurisë.
Të nderuar anëtarë të Komisionit,
Përmes këtij buxheti, e theksova, synimi është përmbushja e detyrime për më shumë rend e siguri publike.
Fokusi, e shpjeguar përmes shifrave, mbetet Policia e Shtetit, por në buxhet janë adresuar edhe kërkesat për mbështetje të ardhura nga institucione të tjera, pjesë e përgjegjësisë së Ministrisë së Brendshme.
Është e kuptueshme që si kudo, nuk do të mund të ketë buxhet që të mbulojë gjithë kërkesat e institucioneve, por ajo që do të kërkoja në mbyllje të fjalës sime, përpara se të kalojmë tek pyetjet tuaja, është mbështetja e projektit me votë, duke garantuar mbështetjen e prioriteteve tona.
Faleminderit.