Zhvillohet Tryeza IX e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Zhvillohet Tryeza IX e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin

U zhvillua sot Tryeza teknike e diskutimit mbi çështjen e pronës dhe sfidat e lidhura me pronën, në kuadrin e negociatave të anëtarësimit në BE. Kjo tryezë, është një nga 12 tryezat teknike të diskutimit, që zhvillohen në lidhje me dokumentin analitik të përgatitur, në kuadër të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionit për Shqipërinë 2030 në BE.

Tryeza e sotme ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, adresoi një nga çështjet më të ndjeshme dhe problematike në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, ku ligjshmëria, transparenca dhe drejtësia ndërthuren për të ndikuar drejtpërsëdrejti në jetën e të gjithë qytetarëve.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Unë për hir të së vërtetës dëshiroja të merrja pjesë në një nga tryezat dhe duke qenë se kishin mbetur tre tryeza dhe kjo në mos gabohem është tryeza e nënte. Midis tre temave të mbetura për këtë lloj diskutimi në këtë fazë të procesit mu duk e udhës të zgjidhja tryezën tuaj për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ka për publikun, për qeverinë, por edhe për BE, tema e pronës.

Dhe natyrisht që nuk jam këtu për të dhënë mend sepse qëllimi kryesor i këtij komisioni të posaçëm dhe i gjithë këtij grupi të madh ekspertesh të pavarur që janë angazhuar në funksion të kësaj pune të jashtëzakonshme për nga volumi, por unë çmoj të jashtëzakonshme dhe për nga prurja  e opinioneve dhe e këndvështrimeve si rezultat i gjithë këtij grupi ekspertesh, është që parlamenti të bëhet epiqendra e një ndërveprimi intensiv që fillon me këtë fazë të këtij procesi dhe që në këndvështrimin tim duhet të vazhdojë deri në momentin kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE.

Natyrisht që, mënyra sesi komisioni i posaçëm do të transformohet në një mekanizëm permanent brenda parlamentit dhe në një pikë referimi për të gjitha institucionet e këtij shteti, do të përcaktohet besoj nga vetë ky proces, kur do të dalin konkluzione dhe do dalin dhe detyra për të gjitha institucionet dhe për të treja pushtetet; pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv dhe pushtetit gjyqësor.

Do më pranoni shprehjen e mirënjohjes për të gjithë ju dhe për të gjithë ekspertët dhe njëkohësisht dhe një shprehje solidariteti për të gjithë ata ndër ju, që për shkak të pjesëmarrjes në këtë proces që është një proces në këndvështrimin tim patriotik në radhë të parë sepse është një proces që ka një domosdoshmëri për të krijuar një front të madh mbështetës për Shqipërinë që negocion anëtarësimin e vet në BE, pastaj është dhe një proces thellësisht teknik dhe këtu është e pashmangshme dhe njëkohësisht dhe e pa arsyeshme të imagjinohet se ky proces i thellë teknik, mund të përballet vetëm me burimet e brendshme që ka qeveria apo që kanë dhe institucionet e tjera që negociojnë anëtarësimin, sipas sektorëve të tyre dhe pikërisht sepse ekspertët u angazhuan, u bënë dhe target i gjithfarëlloj akuzave, i gjithfarëlloj insinuatave, i gjithfarëlloj goditjeve nëpër këto kanalet dhe në rrjete të ndryshme të thashethemnajës së madhe publike që në këndvështrimin tim gabimisht quhet e gjitha liri e fjalës.

Thënë të gjitha këto, unë dua të nënvizoj tre gjëra. E para lidhur me këtë proces dhe me vetë këtë Komision. Në këndvështrimin tim, ky komision është sot në kushtet që flasim një instrument i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për suksesin tonë në procesin e anëtarësimit dhe për suksesin në negociata. Sepse në BE ne nuk shkojmë si qeveria e Shqipërisë që i përfaqëson të gjithë, por shkojmë si një front institucionesh dhe si një front institucionesh që përfaqësojnë tre pushtete, të cilat në marrëdhënie me njeri-tjetrin kanë hapësira komunikimi dhe ndërveprimi, por kanë dhe kufij sepse janë të pavarur nga njeri-tjetri, që do të thotë që koordinimi i gjithë këtij fronti dhe ecja në mënyrë uniforme për sa i përket performancës në raport me negociatat i të gjithë institucioneve mund të garantohet vetëm nëse pikërisht Kuvendi bëhet një udhëkryq, ku të gjitha forcat që veprojnë dhe ndërveprojnë në emër të shtetit në Republikën e Shqipërisë, pikëtakohen dhe nga ana tjetër të gjitha këto forca mund të japin llogari sepse mund t’u kërkohet llogari. Ky është thelbi i procesit. Se nëse në ecurinë e negociatave përparon qeveria dhe nuk përparon një X institucion, një X agjenci, një X strukturë që nuk është nën urdhrat e qeverisë dhe që qeveria nuk mund t’i kërkojë llogari, atëherë kush është autoriteti dhe cili është instrumenti që edhe ky institucion të vendoset para përgjegjësisë publike dhe përpara përgjegjësisë patriotike për të dhënë llogari?

Askush dhe askund tjetër, përveçse në Kuvendin e Shqipërisë mund të kërkohet një forcë e tillë. Dhe përfshirja e një mase kaq domethënëse të shoqërisë përmes botës akademike, përmes rrjeteve të ndryshme të qeverisë civile, përmes mediave, etj, është një garanci shumë e madhe për të synuar dhe për të çjerrë maksimumin e mendimit intelektual dhe të cilësisë, në qasjen tonë të problematikave të ndryshme që shfaqen.

E dyta, që dua të theksoj është që shumëkush dhe gjithmonë në fakt sa herë që ka një iniciativë të re, sa herë që ka një përpjekje të re, sa herë që ka një synim të shprehur për të hedhur një hap të ri ngrihet dhe thotë: tani u kujtuat ju? Në fakt, ne, besoj unë nuk jemi kujtuar tani, jemi kujtuar që ditën e parë që jemi në këtë detyrë, por ama në çdo hap të rrugës ka sfida të reja dhe nga ana tjetër çdo hap kërkon kohën e vet dhe kërkon forcën e vet. Dhe duke folur tani për pronën është shumë e qartë që nëse kthejmë kokën mbrapa, – drejtorja e Kadastrës dha një informacion lidhur me volumin për shembull të legalizimeve të kryera qysh në krijimin e institucionit të legalizimeve pas daljes së ligjit mbi legalizimet, – atëherë ne kuptojmë dy gjera; që ajo që është bërë shumë voluminoze dhe përmirësimi është shumë i ndjeshëm në raport me pikënisjen, por krejt i pamjaftueshëm në raport më pikëmbërritjen. Dhe për sa kohë tani pikëmbërritja jonë është ulja në tryezën e BE – dhe përgëzime për vendosjen e kohës, por unë po abuzoj sepse është i vetmi institucion dhe i vetmi vend në Republikën e Shqipërisë, ku unë kam dëgjuar nga presidiumi të vendoset një afat  3 minuta sepse të njëjtin afat e vendosin në mbledhjet e NATO-s dhe BE-së, por e vetmja mangësi që keni  ju, që duhet ta rregulloni është që të vendosni një kronometër që i vendoset përpara gjithë folësve dhe kur mbaron minutazhi, mbyllet mikrofoni. Përsa kohë ju e keni këtë mangësi, unë po e shfrytëzoj këtë boshllëk dhe  po thosha që –  është themelore të kuptohet që përsa kohë pikëmbërritja jonë është BE, atëherë faktikisht volumi i punës për t’u bërë është, jo vetëm shumë më i madh sesa volumi i punës së bërë, por është edhe i panegociueshëm se ata thonë ‘’negociata”, por nuk janë negociata, në fakt janë detyra shtëpie  që duhet t’i bësh sepse jemi ne që duam të hymë në shtëpinë e tyre dhe nuk janë ata që duan të vijnë të hyjnë në shtëpinë tonë. Kështu që këto janë rregullat dhe këtyre rregullave ne i nënshtrohemi për një arsye shumë të thjeshtë; sepse nëse i zbatojmë si duhet të gjitha këto detyra, ky shtet do të jetë përfundimisht një shtet me standardet e një vendi anëtar të BE dhe e mira e këtij procesi nuk është që ne do marrim Shqipërinë e do çojmë në Bruksel, por që ne do të fusim Evropën në të gjithë gjymtyrët e shtetit dhe të shoqërisë duke garantuar lirinë individuale në mënyrë të plotë në të gjitha ato aspekte, duke garantuar sundimin e ligjit në të gjitha aspektet dhe duke garantuar procesin demokratik në të gjitha aspektet dhe këto janë tre gjëra që askush nuk  i bën dot për ty dhe askund tjetër, përveçse në këtë proces nuk mund dot të bëhen në kohë.

Nëse shumë vende në zhvillim kanë pasur ambicien të demokratizohen dhe të arrijnë standarde që i garantojnë këto tre gjëra, ka një arsye pse në Afganistan nuk funksionon, në Iran nuk funksionon, po marr dy shembuj ndërsa në Ballkan funksionon dhe për mua arsyeja është vetëm një; ne kemi mundësinë që të marrim dijen e BE, kemi mundësinë që ndërveprimi me BE të hedhim këto hapa dhe kemi bekimin që jemi këtu në mes të Evropës dhe kemi Bashkimin Evropian. Nëse ne nuk do të kishim procesin e integrimit dhe nëse ne nuk do të kishim BE, një aleat strategjik,  por edhe një mundësi që vjen nga të qenit në mes të Europës, ne do të duhet ta harronim siç e harruan afganët, siç e kanë harruar dhe vende të tjera që mund te vinte një dite që të bëheshin një vend me këto standarde.

Në mbyllje dua të theksoj që sot është plotësisht e mundur që ne të realizojmë ambicien për t’u anëtarësuar në BE edhe duke plotësuar të gjitha ato kriteret që lidhen me pronën sepse sot ne kemi me vete bekimin e kohës falë teknologjisë. Nëse nuk do të kishim këtë bekim, të gjitha këto procese do të merrnin shumë më tepër kohë.

Para se të vija këtu pashë një produkt te fundit të Inteligjencës Artificiale përsa i përket transferimit të ligjeve te BE në Shqipëri dhe është një gjë e jashtëzakonshme po të mendosh se Kroacia që hyri përpara nesh në BE, për të bërë procesin vetëm të kalimit të legjislacionit nga pikëpamja mekanike mori 7 vjet dhe për të bërë këtë ka angazhuar në numër të jashtëzakonshëm përkthyesish, redaktorësh, korrektorësh e ku di unë. Ndërkohë që nga produkti që kemi nxjerrë përmes inovacionit, ne kemi transferimin e ligjeve nga anglishtja në shqip me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe me një kualitet të jashtëzakonshëm dhe jo vetëm kaq, por tani modeli i AI do të na japë mundësinë që, jo vetëm të transferojmë ligjet, por edhe të kemi të dhëna krahasimore, të kemi të dhënë mbi impaktin e ligjeve sepse çdo ligj prapa ka fatura, ka konsekuenca etj, dhe një sërë gjërash të tjera. Ky është vetëm një shembull që vlen dhe për kadastrën. Duke pasur teknologjinë, ne mund të bëjmë hapin e fundit për ta përmbyllur një proces që ka marrë shumë kohë, por që mund të merrte edhe shumë kohë tjetër sepse, – dhe kjo nuk është barsoletë, ky është një shembull real nga proceset gjyqësore në Shqipëri, meqë zonja që hapi këtë tryezë solli një shembull dhe unë po e mbyll me këtë shembull, rasti i një konflikti  prone që shkon në gjykatë dhe gjykata disponon hartën dhe harta nga përdorimi, nga palosja dhe shpalosja kush e di se sa herë, e gjithë atij territori në cepat e palosura kishte vrima dhe mendimi i gjykatës shkruan shprehimisht: ‘’konflikti nuk zgjidhet dot se prona është në vrimë’’.

Kështu që ky ka qenë procesi, kjo ka qenë sfida dhe tani të gjitha llojet e vrimave që përndryshe do të ishte dashur një kohë shumë më e gjatë për t’i mbyllur, mund të mbyllen falë teknologjisë, falë blockchain-it, falë AI etj. E në këtë aspekt unë jam shumë optimist sepse kemi shumë progres në të gjitha strukturat e qeverisjes dhe shpresoj që edhe pushtetet e tjera, legjislativi, sistemi i drejtësisë të bëjnë shumë më tepër në këtë aspekt sepse nëse  nuk bëjmë të gjithë këtë gjë, atëherë përsëri mbetemi si një territor ku sistemi nuk e ka mundësinë të ofrojë të gjitha ato që mund të ofrojë për shkak se nuk është i gjithë shteti i kyçur në sistem. Kjo vlen për pronat, kjo vlen për të gjithë dhe asistenca teknike e BE është shumë e favorshme, ndërkohë që ne kemi edhe procese pozitive, edhe me vende të veçanta, po sjell rastin këtu të Greqisë, duke qenë se dhe  Greqia tani po e bën digjitalizimin e kadastrës, duke qenë se edhe Greqia  ka pasur probleme shumë të ngjashme edhe pse shumë të ndryshme nga tonat për pronat, duke qenë se edhe Greqia ka  një rekord të qenësishëm si vend mesdhetar, ndërtimesh pa leje. E në këtë aspekt, fakti që Greqia është më përpara dhe që njëkohësisht ka një ekspertizë, por është edhe në BE, duke pasur edhe një përkujdesje të posaçme, lidhur me trajtimin e minoritetit nga ana jonë dhe duke qenë Greqia një vend që e kërkon vazhdimisht që vëmendja ndaj minoritetit të jetë e pandërprerë, ajo çka ka prodhuar edhe ngërçe në të kaluarën për arsye që unë nuk po i hyj më këtu sot, është në fakt një mundësi, një platformë pozitive bashkëpunimi dhe bashkërendimi.

Ju falënderoj shumë edhe njëherë për të gjithë kontributet dhe unë jam, – Luani e tha që “u ngatërruam shumë në fillim se na thanë që ky komision ishte ngritur për të bërë një pabesi të madhe në kurriz të drejtësisë” – s’e tha me këto fjalë se ai ka më shumë eksperiencë se unë në këto tryeza në këto godinë – po fakti është që në fund fare të gjithë pa përjashtim ata që duan të kujtojnë do të shohin që ky komision dhe çfarë do të dali nga ky komision do të jetë një kontribut i pazëvendësueshëm në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kjo e bën kontributin e të gjithë ekspertëve një kontribut historik sepse fjala “historik” në Shqipëri përdoret shumë shpesh për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me historinë, në këtë rast ky është një kontribut historik, sepse ky është një proces historik dhe edhe njëherë tjetër ju falënderoj dhe të gjithë ata që u lënduan nga goditjet në fillimet e procesit, duhet të jenë shumë krenar për këtë kontribut dhe njëkohësisht nga eksperienca ime si  njeri i sprovuar në ngarkesat e baltës mund t’ju them “çfarë nuk të vret, vetëm të forcon”. Kështu që mos kini asnjë merak që balta në këtë rast e zëvendëson plotësisht hudhrën dhe nuk iu merr do njeri mësysh.

Previous Miratohet bonusi më i madh i fundvitit për pensionistët