Pilotët dhe teknikët e bordit të helikopterit Cougar realizuan një fluturim demonstrues duke valëvitur flamurin kombëtar nga Sheshi i Flamurit, ku po zhvillohej Ceremonia e 112 – Vjetorit të Pavarësisë, duke vazhduar përgjatë lungomares e deri në Orikum.
Më pas, helikopterët Cougar dhe Black Hawk të Forcës Ajrore, anijet e Forcës Detare dhe trupat e Regjimentit të Operacioneve Speciale zhvilluan një demonstrim në gjirin e Vlorës, i cili përveç qytetarëve, u ndoq nga afër edhe nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneralmajor Arben Kingji dhe drejtues të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Trupat dhe mjetet e përfshira simuluan realizimin e një operacioni të ndalimit detar për marrjen e kontrollit të një anijeje të dyshuar, duke ndërhyrë nga deti me gomone dhe grupet e bordingut të Forcës Detare dhe nga ajri me trupat e Forcave Speciale dhe helikopterët Cougar dhe Black Hawk.
Më herët, krerët më të lartë të shtetit duke nisur nga presidenti i Republikës Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, kryeministri Edi Rama, por edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti morën pjesë në ceremoninë e 112 – Vjetorit të Pavarësisë në Vlorë dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.