“Tirana Training Center” është projekti më i ri për të rinjtë krijues, një qendër, me një nga programet më transformuese për industrinë kreative në Shqipëri, një bashkëpunim me SHBA-të, e cila do të shërbejë si katalizator për zhvillimin e kinematografisë dhe prodhimeve audiovizuale në Shqipëri, duke ofruar trajnime profesionale për deri në 400 studentë njëkohësisht, në fusha si aktrimi, regjia, animacioni, prodhimi, shkrimi dhe më shumë.
Por jo vetëm, qendra do të jetë një urë lidhëse mes industrisë krijuese dhe tregut ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e profesionistëve nga HBO, Netflix, Warner Brothers dhe të tjerë.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në prezantimin e qendrës, në mjediset e ish Kinostudios Shqipëria e re, së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja si dhe bashkëpunëtorë dhe drejtues të Qendrës.
“Tirana Training Center” do të shndërrohet shumë shpejt në katalizatorin e një revolucioni epokal transformimi të shumë nevojshëm për industrinë kreative në Shqipëri.” – u shpreh Ministri Gonxhja, teksa theksoi se “Këtu së pari duam të stimulojmë krijimin e një dege të re të arsimit profesional që lidhet drejtpërdrejtë me fushën e filmit dhe ekranit përfshirë të gjithë komponentë e saj. Ky do të jetë një investim i vyer në edukimin dhe formimin e brezave të rinj që do të kontribuojnë në këtë industri sfiduese dhe konkurruese që duhet të ecë me hapat e kohës.”
* * *
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Është vërtetë një moment i veçantë ky sepse rikthehemi këtu në këtë hapësirë, pas një pune të mundimshme për gjithë restaurimin e saj, për të hapur një program absolutisht inkurajues edhe frymëzues, duke krijuar mundësi të reja për të gjithë të rinjtë dhe për të rejat e Shqipërisë kreative.
Duke ardhur për këtu edhe duke pasur parasysh edhe bisedat që kemi pasur në një periudhë relativisht të shkurtër me Filipin dhe me të gjithë pjesëtarët e këtij grupi njerëzish me shumë energji edhe me shumë ëndrra do shtoja, po mendoja që edhe kjo është një nga ato gjëra që do të ishin të paimagjinueshme deri disa vite më parë dhe faktikisht Shqipëria sot ka kaluar në një fazë ku ndryshe nga disa vite më parë, shprehja më e natyrshme dhe përshkrimi ndoshta edhe jo fort i gabuar i realitetit do të ishte dhe ishte ‘’këtu s’bëhet asgjë dot’’, në shprehjen “çdo gjë këtu është e mundur” dhe vërtetë sot në Shqipëri sot çdo gjë është e mundur.
Përpara disa vitesh ne patëm një diskutim në Zoom me një sërë protagonistësh të kësaj hapësire, protagonistësh të rinj nga SHBA, që faktikisht përfaqësojnë në nivele të ndryshme, por deri në nivelet më të larta industrinë kreative të SHBA dhe besoj që është një motiv për t’u mbushur edhe me më shumë besim, edhe për tw pasur edhe më shumë bindjen që të gjitha këto gjëra që po ndodhin janë pjesë të një zinxhiri që tanimë është futur në një ritëm tërësisht tjetër të vetëzhvillimit dhe unë besoj shumë tek ky program.
Ne kemi bërë përpjekje për një kohë të gjatë në këtë drejtim, por jam dëshmitar i faktit se deri disa vite më parë, njerëzit na dëgjonin, përpiqeshin të na mirëkuptonin në përpjekjen tonë që t’i ftonim të shikonin nga Shqipëria me syrin e një vendi, ku mund të bëhet e njëjta gjë që është bërë dhe në vende të tjera, në funksion natyrisht të një përfitimi të përbashkët, industria kreative për produktet e veta, ndërsa vendi për atë që krijimi i këtyre produkteve në vend sjell, siç ka sjellë për plot vende.
Mirëpo në fund gjërat mbeteshin aty ku ishin sepse njerëzit, të huajt ishin të mbingarkuar me këtë paragjykim, një paragjykim i krijuar për 1001 arsye që nuk është këtu vendi për t’i rreshtuar, por një paragjykim shumë i fortë për Shqipërinë, për shqiptarët, për mundësitë dhe për dukjen e këtij vendi që në distancë prej nga ata ishin mësuar ta shihnin, nuk ftonte për asgjë të mirë dhe sot jemi në kushtet, kur jemi këtu për t’i hapur rrugën kësaj aventure të re, në këtë mjedis edhe besoj që për vetë historinë që ka ky mjedis, për vetë formën shumë të përshtatshme që ka, praktikisht është një hapësirë që në çdo vend të Evropës të ishte, do të ishte një hapësirë e konsideruar vërtetë e bukur për të krijuar këtë lloj aktiviteti dhe për t’i dhënë jetë këtij programi.
Ne jemi shumë të bindur që gjërat janë duke ardhur të gjitha si yjet që rreshtohen në një konstelacion të caktuar dhe jam jashtëzakonisht optimist se të gjithë ata, të cilët do të vijnë, falë edhe këtij programi në Shqipëri për të parë mundësitë, do të mbeten me sytë mbrapa kur i thonë fjalës.
Ju tregova miqve amerikanë historinë e prodhimit të show-t televiziv holandez që ishte një nga faktorët kryesorë të ndryshimit të perceptimit të holandezëve për Shqipërinë, që jam i bindur që shumëkush këtu e ka parasysh se ai u bë sebep i një raporti shumë të vështirë me Holandën në një periudhë disavjeçare, kur pengoheshim që të çelnim negociatat pikërisht nga Holanda, dhe faktikisht të gjitha përpjekjet tona dështonin sepse përballeshin me atë mur paragjykimi për Shqipërinë dhe ne e kishim bërë një tentativë që disa herë t’i drejtoheshim atij produksioni për të ardhur dhe për të bërë një edicion në Shqipëri dhe nuk kishim marrë as përgjigje, që “jo, faleminderit po s’e kemi të mundur.”
Bie pandemia edhe ata na afrohen, duke thënë që për të mos ndërprerë shown, kishin një ide që edicionin e asaj radhe ta bënin në Ballkan duke qenë se kishin parë që Ballkani kishte numra më të përmbajtur të infeksioneve dhe që mbase ishte vendi ku mund të provohej të bëhej show.
Dhe erdhën në Shqipëri për të bërë rikonjuksionin e vendeve, duke u nisur nga Shqipëria dhe plani i tyre ishte që të shkonin edhe në dy vende të tjera dhe nuk lëvizën më nga Shqipëria. Ju mjaftoi një qëndrim dyditor në Shqipëri për të thënë “ky është vendi, këtu do ta bëjmë” dhe pastaj ata u bënë ambasadorët tanë. Ai show pati një sukses të jashtëzakonshëm, ata njerëz sot e gjithë ditën flasin me superlativa për Shqipërinë dhe audienca e jashtëzakonshme e atij show u kthye në njëfarë mënyre dhe në një pjesë të turistëve holandeze që filluan të vijnë gjithmonë e më të shumtë në numër.
Ishte një nga faktorët, nuk ishte i vetmi, por ishte në nga faktorët dhe ministri e përmendi efektin imediat dhe nganjëherë bombastik që kanë këto lloj produksionesh për vendet që i organizojnë dhe për këto lloj arsyesh është një garë e ethshme mes vendeve për t’i krijuar produksioneve kushte sa më tërheqëse sepse të gjithë e kanë kuptuar dhe të gjithë përpiqen që përmes këtyre produksioneve të promovojmë imazhin e vendit të tyre në funksion të tërheqjes se vizitorëve për turizëm, për biznes, e kështu me radhë.
Kështu që, ky është një fillim, do dojë kohen e vet si të gjitha gjerat që duan kohen e vet, por në fakt është një fillim që vjen pas një procesi dhe përpjekjeje shumë të gjatë, që ka filluar të na japë përditë e përditë frytet e veta. Dhe unë i jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që besuan në këtë ditë. Filipit në radhë të parë më të cilin jemi njohur rastësisht nëpërmjet ambasadës amerikane dhe dua dhe të shpreh kënaqësinë që më në fund ambasada amerikane u interesua dhe për një projekt kulturor. Është dhe një fitore e madhe për Amerikën kjo në Shqipëri se përgjithësisht projektet amerikane janë të drejtuara nga aspektet represive të shtetit që janë shumë të domosdoshme, por një projekt i tillë, i drejtuar në aspektin ri kreativ të shtetit është shumë i mirëseardhur. Dhe Nensi nuk është këtu sot, por e falënderoj sinqerisht se nuk ka pasur për mua gjë më të bukur sesa një ndërhyrje nga ambasada për të mbështetur një projekt kulturor. Sikur të ndodhte më shpesh do kishin ardhur gjëra të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Sepse siç e tha ministri Shtetet e Bashkuara janë vendi i një kreativiteti dhe i një mbështetje të fantazisë me instrumente që janë pararoja e transformimeve në industrinë kreative, patjetër nuk e di kush janë gjithë këto fytyra të reja që shoh sot por rendësi ka që estetikisht janë totalisht në harmoni me ambicien e projektit.
Kështu që, i uroj të gjithë atyre që kanë ardhur këtu që mund të kenë një interes nga afër ose nga larg për këtë projekt, që të kenë mbarësi dhe mirësi në marrëdhëniet me këtë program, pavarësisht se nga afër apo nga larg. Dhe falënderoj dhe Ministrinë e Kulturës sot për shpejtësinë me të cilën reagoi dhe për krijimin në kohë rekord të kësaj mundësie. Njësoj si ajo tenda në Vermont ku u vunë bashkë disa karrige për të bërë një festival janë hapur dhe këto dyer sot dhe përfitoj nga rasti t’i ftoj të gjithë vajza, djem, të rinj ose të vjetër që mendojnë që janë akoma të rinj se nuk më duket se ka limit moshe këtu, që të trokasin në këto dyer, të aplikojnë për programet e kësaj qendre dhe të gjithë së bashku, secili nga pozitat e veta të rrisim këtë krijesë të re që mori jetë sot.
Shumë faleminderit!