Laboratori i Mediave Digjitale, investimi më i ri në praktikat mësimore të studentëve - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Laboratori i Mediave Digjitale, investimi më i ri në praktikat mësimore të studentëve

Laboratori i Mediave Digjitale, në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, është Investimi më i ri në praktikat mësimore të studentëve, i pajisur me teknologjinë më të përparuar, i cili do t’u shërbejë studentëve të gazetarisë, por jo vetëm.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot këtë infrastrukturë të re, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ku u takua me studentë e pedagogë, me të cilët improvizoi më pas një podkast, si personazh i intervistuar nga studentët, lidhur me çështje të ndryshme.

“Ky është laboratori më i ri që Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit ka investuar, përmes fondeve të qeverisë shqiptare, Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Kjo, në funksion të rritjes së cilësisë së mësimdhënies, por edhe gjithë mundësive të reja që krijon për të rinjtë. Nëpërmjet këtij laboratori të mediave digjitale, do kenë mundësi, jo vetëm studentët, por dhe pedagogët që të zhvillojnë hulumtime në fushën e medias, si dhe të bëhet edhe si pikë reference për shpërndarjen e informacionit të vërtetë, jo atij “fake”, por, pse jo dhe për t’u bërë një qendër për të gjithë universitetet tona, për shkëmbimin e informacionit dhe të tjera si këto. “ – shpjegoi Ministrja e Arsimit Manastirliu gjatë vizitës në Laborator, teksa theksoi se Universiteti i Tiranës është një prej universiteteve që gëzon më shumë mbështetje nga fondet e botimit shkencor dhe inovacionit. “Vetëm për 2024 janë 34 projekte të kërkimit shkencor. Janë rreth 1.7 milionë dollarë të alokuara për Universitetin, për laboratorë të tillë, por dhe për studime të ndryshme që vetë pedagogët bëjnë. Krahasuar vit pas viti, ne kemi rritur fondet e kërkimit shkencor. Kemi arritur në 130 projekte për infrastrukturën e kërkimit dhe për projekte të studimeve. Ky vit do ketë dhe të reja përsa i përket mbështetjes së financimit për doktoraturat.” – u shpreh Ministrja Manastirliu.

Ndërsa pedagogu i Departamentit të Gazetarisë Mark Marku, tha se “është menduar që praktikisht këtu të prodhohen gazetarët e së ardhmes”. “Kjo është një redaksi multimediale – u shpreh professor Marku – dhe ne mund të dalim direkt në transmetim prej këtu. Është një studio podcast. Është më e mirë se podcasti juaj. Tek pjesa e montazhit, mund të punojnë 25-30 studentë.” – tha ai, teksa theksoi se më herët ekzistonte një studio e vjetër, analoge.

 

* * *

Kryeministri Edi Rama në podkastin e studentëve të gazetarisë, në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës:

-Atëherë jemi këtu në laboratorin e integruar të mediave digjitale. Në fakt kjo është salla më e re dhe moderne e multimedias që është në funksion, jo vetëm të Departamentit të Gazetarisë, por kushdo nga studentët e fakulteteve të tjera që kanë dëshirë të realizojnë një podcast, kjo është e hapur dhe me teknologjitë më të fundit ne kemi akses për të realizuar podkastet tona që mund të kemi në kuadër të detyrave, universitetit, ose çfarëdolloj projekti personal. Kompjuterat, kamerat, janë një grup i tërë pajisjesh që ne na shërbejnë për të prodhuar produkte shumë të mira audiovizive.

 

Kryeministër, dua ta nis me pyetjen  e parë që është mbi TikTok. Të rinjtë gjejnë zgjidhje për ato çka iu intereson. Duke qenë se ata janë shprehur që mund të përdorin dhe një VPN të një shteti tjetër dhe të kenë akses në TikTok, a mendoni akoma se mbyllja e TikTok është zgjidhje? 

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që për momentin ne nuk kemi një zgjidhje tjetër, por ndërkohë ne jemi në një dialog me TikTok. Kemi parashtruar shqetësimet tona. E mira është që ata nuk kanë qenë refraktarë ndaj këtyre shqetësimeve dhe kemi rënë dakord që në një kohë të arsyeshme, kur ata të jenë gati, do  të na paraqesin disa propozime për t’i adresuar këto shqetësime. Dhe meqë ju jeni këtu, Departamenti i Gazetarisë dhe jeni si të thuash “rojtarët e gjuhës”, një nga pikat për shembull është që  TikTok nuk e ka atë filtrin për gjuhën shqipe. Kështu që, nëse në një gjuhë tjetër nuk arrin dot fjalët që nuk duhen përdorur që të zënë hapësirën virtuale të TikTok, në shqip duke mos qenë filtri, dhe si këto ka shumë të tjera. Dhe në ndërkohë unë kam përshtypjen edhe pse është një sfidë më vete sot, “t’i mundësh” të rinjtë në këtë fushë, nuk do ta kenë të lehtë me VPN të një vendi tjetër, kam përshtypjen. Megjithatë kurrë mos thuaj kurrë me këtë brez që po na vjen.

 

-Duke qenë se jemi tek të rinjtë, po flisnim për TikTok, do doja t’ju bëja një pyetje pak më të vështirë, por jo fort të sikletshme. 

Kryeministri: S’ka pyetje të fajshme.

 

– Si keni menduar ju si kryeministër, por dhe si qeveri që të adresoni papunësinë e të rinjve dhe fatkeqësisht ikjen e trurit nga Shqipëria?

Kryeministri Edi Rama: Kjo është një pyetje që me të drejtë bëhet prej disa kohësh tanimë dhe është një përgjigje që nuk ndryshon. Duhet të punojmë me këmbëngulje dhe duhet të bëjmë durim, se kapërcimet e atilla, që Shqipëria të jetë në gjendje t’iu ofrojë të rinjve që ikin, atë që ata presin ta marrin menjëherë atje ku shkojnë, nuk bëhen dot në një kohë të shkurtër. Nuk bëhen dot thjesht nga dëshira. Por rruga është kjo, kalimi nga një laborator analog, i vjetër – siç më tregoi profesor Marku, – tek ky laborator, është një hap më shumë drejt stimulimit tuaj, për të pasur më shumë dëshirë për t’iu përkushtuar këtyre instrumentëve të rinj që keni këtu dhe për t’u ndjerë më mirë këtu në vendin tuaj, hap pas hapi.

 

-Zoti kryeministër, ne të gjithë e njohim backgroundin tuaj si artist, nëse sot do kishit mundësinë të pikturonit politikën shqiptare, çfarë ngjyrash do të përdornit? 

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk mendoj që ka një ngjyrë “të keqe” dhe një ngjyrë “të mirë”. Unë nuk mendoj që e zeza është fajtore në vetvete meqë është e zezë, se për shembull këtu e zeza bën një punë shumë të lavdërueshme dhe të respektueshme, po dhe nga ana tjetër mendoj që politika shqiptare i ka absolutisht të gjitha ngjyrat, nga më të zbehtat, tek më të ndezurat. Por, do kujdesesha që të mos lija asnjë lloj ngjyre pa futur aty brenda. Domethënë një kaos koloristik.

 

Për t’u ndalur pak dhe tek figurat që mund t’ju kenë inspiruar, a keni ju një figurë historike që ju inspiron në atë pikë që sot po ta kishit këshilltarin tuaj mbase do t’i merrnit një mendim për diçka dhe cili do ishte ky mendim ose kjo pyetje që do t’i shtronit. 

Kryeministri Rama: Janë shumë mësuesit që historia na ka vënë në dispozicion dhe që mund të na ndihmojnë përmes librave, për aq sa ne jemi natyrisht në gjendje t’i kuptojmë deri në fund. Por për t’ju dhënë një, por jo se ky “një” është i vetmi ose se të tjerët, por ai që më vjen menjëherë në mend për shembull është Sharl de Gol dhe gjithçka që ai bëri për Francën. Dhe sot është gjithmonë e më e dhimbshme mungesa e tij, edhe pse në një kohë tjetër, edhe pse në një kontekst tjetër.

 

– Çfarë do të ishte një pyetje që mund t’i bënit nëse do e kishit sot përballë siç më keni edhe mua?

Kryeministri Edi Rama: Tani, nuk e di, nuk di ta them sepse. po ta kisha përballë ndoshta nuk do të kisha as kurajon të bëja ndonjë pyetje, se kishte edhe hije të rëndë shumë gjenerali, por mbase një pyetje që do t’i bëja do të ishte “Andej lart nga më shikon, a bëj ndonjë gjë mirë?”, se jam i bindur që për shumë gjëra do të kishte vërejtje.

 

– Një gjë tjetër, sepse ne nuk mund ta mohojmë që jemi gjenerata Z, brezi i TikTok-ut, pavarësisht se nuk na pëlqen sesi tingëllon por duhet ta pranojmë. Edhe juve ju kemi parë shumë prezent në rrjete sociale, shumë aktiv, në disa raste edhe shumë pranë botës sonë. A ka pasur një meme apo një produkt të rrjeteve sociale që juve ju ka mbetur në mendje, në kontekstin politik drejtuar figurës suaj?

Kryeministri Edi Rama: Shiko, mua më çudisin të gjithë politikanët që nxehen, ose që reagojnë, madje ndonjëherë në mënyrë disproporcionale ndaj karikaturave, ndaj memeve, ndaj vënies së tyre në lojë. Unë nuk shoh, edhe nuk shoh realisht televizor në kohë reale, përveç sportit. Më pëlqen që atë kohë që kam për ekran të shoh filma, por, për shembull, kur më thonë “E pe se çfarë të bënë tek Portokallia” unë kënaqem. Sepse unë them që, midis të jesh në një karikaturë, të jesh në një meme, të jesh në një show satirik dhe të mos jesh, duke qenë në këtë punë, duhet gjithmonë të zgjedhësh të jesh edhe sikur të të bëjnë “copash”, sepse je. Kurse kur nuk je, nuk je. Këtu, në këtë punë, duhet të jesh.

 

– E besoni tek ajo shprehja që “Nëse po të shajnë, do të thotë që po e bën diçka mirë”?

Kryeministri Edi Rama: Si rregull, në Shqipëri, në qoftë se nuk të shajnë, duhet të shqetësohesh, sepse mbase nuk je duke bërë asgjë, kur je në një pozicion pune që të gjykojnë të tjerët, natyrisht. Por, kur të shajnë duhet të mos nisesh gjithmonë me idenë që “Këta po më shajnë se unë po e bëj punën mirë”, se mund edhe të të shajnë sepse ti diçka mund ta bësh më mirë.

 

– A po ndjek politika shqiptare sot, shteti shqiptar, qeveria, politika për sigurinë kibernetike? A janë efektive këto politikat?

Kryeministri Edi Rama: Për sigurinë kibernetike mendoj që kemi bërë goxha punë pas atij sulmi që patëm, shumë të egër, nga një fuqi e madhe në këtë fushën e luftës kibernetike dhe kemi marrë dhe vënë në dispozicion të shtetit instrumentë shumë të sofistikuar, natyrisht falë partnerëve tanë dhe besoj që jemi në një pozicion shumë më të fortë sesa ç’kemi qenë dhe është shumë më e vështirë të sulmohemi, sepse sulme kibernetike ka çdo ditë, kudo, tek të gjithë. Por, edhe ne kemi sulme të vazhdueshme nga të katërta anët, pra shteti, por fakti që nuk ndodh gjë, vjen dhe si rezultat që mbrojtja është shumë më e fortë. Por, gjjthmonë duhet vigjilencë dhe gjithmonë, asnjëherë nuk duhet menduar që nuk të sulmojnë dot, sepse, nga ana tjetër, edhe mjetet e sulmit sofistikohen përditë.

 

– Po investimi më i fundit i polit dhe i zyrave nëntokësore këtu në Shqipëri për sigurinë kibernetike, kur pritet ta ketë efikasitetin?

Kryeministri Edi Rama: Lufta kibernetike nuk është në fund të saj, është vetëm në fillimet e saj dhe do të vazhdojë të ashpërsohet, do të vazhdojë të sofistikohet dhe ne duhet të jemi në gjendje që për aq sa na takon, ne nuk jemi aktorë kryesorë, ne nuk kemi këtu në këtë vend interesa të mëdha, që të mund të tërheqim të gjithë llojet e egërsirave të kësaj hapësire të padukshme, por, duhet të jemi gjithmonë në gjendje që ata që na sulmojnë, për aq sa jemi në dimensionet tona, të mund t’i zmbrapsim, mundësisht plotësisht, por, minimalisht në shumicën dërrmuese të rasteve. Amerika është një vend me një mbrojtje kibernetike shumë të lartë dhe në mënyrë të vazhdueshme ka sulme që arrijnë ta prekin, ka goditje që arrijnë të bëjnë dëm, qoftë në infrastrukturën publike, qoftë në infrastrukturën private.

 

– Një pyetje tjetër që unë doja t’ju bëja, pavarësisht se ju sot keni ardhur pa kravatë e çorapet nuk ju vihen re, nuk e di në çfarë ngjyrash apo stilesh mund t’i keni? Pyetja del pak jashtë loje me stilin tuaj të sotëm, por unë gjithsesi do ta bëj. A ka një arsye pas stilit të veçantë që ju përdorni, ngjyrat e kravatave apo çorapeve?

Kryeministri Edi Rama: Kravata është ishulli i fundit i lirisë që më ka mbetur..

 

– Kush jua ka marrë ishujt e tjerë?

Kryeministri Edi Rama: Kjo do një podcast më vete, por, për shembull, mua më kujtohet që kur unë u bëra kryetar i Partisë Socialiste dhe të nesërmen shkova në zyrë, Pandeli Majko ishte bërë Sekretar i Përgjithshëm dhe ne ishim kundërshtarë, sepse ai u vendos kandidat nga grupi që mbështeste në atë kohë Rexhep Mejdanin, që ishte kandidati rival i imi dhe ndërkohë nga ana jonë ishte Arta Dade që ishte kandidate. Kështu që faktikisht, të dy pozicionet i fituan dy përfaqësues të dy grupeve në atë Kongres, edhe unë shkoj tek zyra e Pandit dhe i them “Dëgjo tani, ti ishe kundër meje por tani ne duhet të punojmë bashkë”. “Dëgjo”, më tha, “përpara sesa ta hapim këtë bisedë, shko, hiq çorapet e kuqe dhe martohu”. Besoj që aty ka filluar procesi. I kam, por i vesh shumë rrallë.

 

– Në fakt, këtë pyetje ndoshta më mirë do duhet t’ia drejtoja ministres së arsimit, por, gjithsesi, a ka qeveria shqiptare plane të tjera investimi si kjo që keni investuar në departamentin tonë?

Kryeministri Edi Rama: Tani, në qoftë se s’do të kishte, duhej nxjerrë qeveria shqiptare me shkelma nga zyra, se këtu ideja është për të pasur më shumë jo për të pasur më pak. Ky laborator, për hir të së vërtetës, është financuar nga qeveria shqiptare, por nuk është meritë e qeverisë shqiptare. Është, praktikisht, një projekt i kërkuar nga departamenti. Po kur them projekt i kërkuar, jo një kërkesë e bërë “Ne na duhet kjo”, por, një projekt i argumentuar. Dhe kërkimi shkencor, fondet për kërkimin shkencor, bazohen pikërisht tek kjo. Kush është në gjendje të bëjë projekte, t’i argumentojë dhe të provojë që janë të dobishme për atë investim që kërkon. Dhe ndërkohë, Universiteti i Tiranës, po tregon që, kapacitet për të rritur të ardhurat për pedagogët dhe për të rritur investimet në universitet jashtë buxhetit të shtetit, janë të pafundme, nëse arrijmë të thithim edhe nga fondet europiane dhe duke pasur fonde europiane nga njëra anë dhe duke pasur edhe fondin modest, por gjithsesi në rritje të përvitshme të kërkimit shkencor në Shqipëri, mundësitë janë që gjërat të bëhen. Por, nëse, pyetja nuk është se – “Cili do të ishte investimi?” – për mua. Pyetja se – “Cili do të ishte investimi tjetër?” – është një pyetje që duhet t’ia bëni ju vetes suaj dhe pastaj të diskutoni se çfarë na duhet. Dhe pastaj në momentin që do të bini dakord që na duhet dhe kjo gjë, që mund të mos jetë pjesë e laboratorit, mund të jetë diçka tjetër, atëherë do duhet të uleni ta shkruani dhe të thoni  – “Kjo gjë na duhet për një, dy, tre, katër arsye”. Nëse qeveria shqiptare do të financojë për këtë gjë, të mirat që do të sjellë kjo gjë do të jenë një, dy, tre”. Duhet të aplikoni dhe pastaj mes shumë projekteve keni gjasë të fitoni. Nëse nuk fitoni duhet të ri-aplikoni përsëri. Duhet të provoni edhe me Bashkimin Evropian dhe kjo është betejë e vazhdueshme. Sepse nëse rrimë presim vetëm që buxheti i qeverisë do t’i bëjë të gjitha, e para nuk i bën, e dyta i heqim vetes mundësi të tjera që janë aty, por janë aty për të shkuar për t’i marrë, e jo janë aty duke pritur që të vijnë.

 

– Ne si studentë gazetarie do donim t’ju pyesnim, duke qenë se ju shumë shpesh keni kritika ndaj gazetarëve, shumë rezerva, a e shihni këtë investim që po bëhet edhe si një gjë për t’i afruar, për t’i marrë me të mirë gazetarët?

Kryeministri Edi Rama: Unë? Nuk besoj. Ju këtu keni një profesor që quhet Mark Marku. Unë nuk besoj se merret me të mirë në pikën që të të marrë me të mira pastaj. Që ai të më marrë mua me të mira, unë duhet të iki nga kjo punë. Për sa kohë do rri në këtë punë, ai s’më merr mua me të mira. Por, që, përtej shakasë, që në këtë rast është më shumë se gjysma e së vërtetës, unë, meraku im nuk është tek kompjuterat apo diçka tjetër. Meraku im është që, sa ju do t’i përkushtoheni dhe një gjëje tjetër, që në fakt është themeli i gjithë punës së një gazetari, sipas meje, që është kultura e të lexuarit dhe kultura e të shkruarit. Dhe sa, për shembull, ato fletët që pashë rrugës nëpër shkallë, me QR Code që ishin vendosur për të lexuar në mënyrë digjitale pjesë nga Ismail Kadareja, janë tërheqëse, saqë ju të ndaloni dhe t’i lexoni të gjitha. Nëse ju bëni këtë, me siguri që do jeni më pak të kritikueshëm si gazetarë. Sepse ajo që të revolton me gazetarët, nuk është kur të thonë të vërtetën, pavarësisht se ty mund të të vijë hidhur, por ajo që të revolton, është që një opinion e paraqesin si fakt. Ndërkohë që faktet janë fakte dhe opinionet janë opinione dhe duhet të jenë të ndara. Ky është dhe besoj që kultura e leximit, kultura e të shkruarit janë sfida kryesore. Se ja, podcastin ne e bëmë por as u munduam të lexojmë, as u munduam të shkruajmë, thjesht bëmë muhabet.

 

– Shpresojmë shumë të jeni ndjerë mirë në praninë tonë sepse jemi dy gazetare të ardhshme kështu që ju falënderojmë shumë për kohën dhe që ishit pjesë e inaugurimit të studios sonë të re të multimedias.

Kryeministri Edi Rama: E di çfarë, për shembull, bëtë ju ndryshe nga shumë gazetarë? Ju bëtë sot pyetje dhe morët përgjigje. Nuk folët sot sikur, ditën e dielë, unë dhe ju do të jemi atje për t’u zgjedhur dhe për të treguar se kush është më i zoti dhe kush është më i forti. Ky është ndryshimi. Ju jeni dëshmitarë të historisë, ne jemi njerëz që bëjmë mirë ose bëjmë keq në histori. Ju jeni dëshmitarë.

 

– Më bëhet qejfi shumë që jeni ndjerë kështu. Edhe për ne ishte shumë kënaqësi.

Kryeministri Edi Rama: Si mund të ndjehesha keq? Unë ishalla nuk jeni ndjerë ju keq, por unë në rregull jam.

Previous “Tirana Training Center”, një dritare e re për të rinjtë krijues