Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Shkurt 2025 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Shkurt 2025

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Shkurt 2025:

 

V E N D I M
PËR

HAPJEN E AMBASADËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BRUKSEL, MBRETËRIA E BELGJIKËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Hapjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bruksel, Mbretëria e Belgjikës.

2. Shpenzimet për hapjen e kësaj ambasade përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për vitin 2025.

3. Vendimi nr.612, datë 16.9.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për riorganizimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe të Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian”, shfuqizohet.

4. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË ELBASANIT

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Ali Mysliu, prefekt i Qarkut të Elbasanit, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Ilir Bejtja emërohet prefekt i Qarkut të Elbasanit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR LOJËRAT MESDHETARE, PRISHTINA 2030

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për Lojërat Mesdhetare, Prishtina 2030, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GARANCISË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR MARRËVESHJEN E HUAS, NDËRMJET OPERATORIT TË SHPËRNDARJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE GROUP, SH.A., (OSHEE) DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN E QËNDRUESHMËRISË SË OSHEE-SË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Group, sh.a., (OSHEE) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e qëndrueshmërisë së OSHEE-së, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

HAPJEN E MISIONIT TË PËRHERSHËM TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË BASHKIMIT EVROPIAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Hapjen e Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian.

2. Shpenzimet për hapjen e këtij misioni përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për vitin 2025.

3. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.491, DATË 24.7.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË BARNAVE, QË RIMBURSOHEN NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR, DHE TË MASËS SË MBULIMIT TË ÇMIMIT TË TYRE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 37, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, dhe të pikave 2, shkronja “b”, e 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Listat I dhe II, bashkëlidhur vendimit nr.491, datë 24.7.2024, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen me listat I dhe II, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2025.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 mars 2025.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Për vitin 2025, procedura e plotësimit të pozicioneve të lira të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese, për të cilat lëvizja paralele është mbyllur pa fitues, është e hapur edhe për kandidatë të tjerë nga jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendet e lira.

2. Numri maksimal i pozicioneve për të cilat do të përdoret procedura e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, është 75 (shtatëdhjetë e pesë) pozicione të kategorisë së mesme dhe të ulët drejtuese.

3. Pozicionet në të cilat mund të konkurrojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil për nivelin e mesëm drejtues dhe për nivelin e ulët drejtues përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.784, DATË 18.12.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR ZHVILLIMIN E ZONAVE AEROPORTUALE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 28, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.784, datë 18.12.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për zhvillimin e zonave aeroportuale”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Zona e mbrojtur e aeroportit, në kuptim të këtij vendimi, nënkupton zonat territoriale, që shtrihen sipas rrezeve përkatëse, të përcaktuara dhe të ndara më poshtë, në të cilat zbatohen rregulla të posaçme për zhvillimin apo ndërtimin e objekteve:

a) Zona “A” është zona e cila shtrihet në një rreze prej 2 (dy) kilometrash nga pika e referimit të aeroportit.
b) Zona “B” është zona e cila shtrihet në një rreze prej 2 (dy) kilometrash nga përfundimi i zonës “A”.
c) Zona “C” është zona e cila shtrihet në një rreze prej 11 (njëmbëdhjetë) kilometrash nga përfundimi i zonës “B”.”.

2. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon
“6. Leja për zhvillim apo ndërtim në zonën “A” merret pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (në vijim “KKTU”), sipas parashikimeve në vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar.”.

3. Pas pikës 6 shtohen pikat 6/1 dhe 6/2, me këtë përmbajtje:

“6/1. Leja për zhvillim apo ndërtim në zonën “B” merret pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, sipas parashikimeve në vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, përveç rasteve dhe kërkesave për leje për objektet jo më shumë se 15 metra lartësi nga toka.

6/2. Në zonën “C”, për objektet, që janë 30 metra lartësi nga toka ose më shumë, leja për zhvillim apo ndërtim merret pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, sipas parashikimeve në vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.”.

4. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“8. KKTU-ja dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas rastit, për çdo objekt apo strukturë të planifikuar për ndërtim apo instalim në zonat e mbrojtura “A” dhe “B” të aeroportit, përpara dhënies së lejes duhet që të marrin miratimin nga AAC-ja. Në zonën “C”, miratimi nga AAC-ja jepet vetëm për objektet që janë 30 metra lartësi nga toka ose më shumë, për të cilat leja jepet nga KKTU-ja, sipas pikës 6/2, të këtij vendimi. Miratimi i AAC-së jepet vetëm për zhvillimin apo ndërtimin e objekteve që sjellin pengesa për operimet ajrore.”.

5. Pas pikës 12 shtohet pika 12/1, me këtë përmbajtje:

“12/1. Hartat treguese për zonat e mbrojtura “A”, “B” dhe “C” të aeroportit, sipas këtij vendimi, janë sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi.”.

6. Në pikën 13, në fund të fjalisë pas fjalëve “… pranë KKTU-së” shtohen “… ose njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas përcaktimeve në këtë vendim.”.

II. Shtesat dhe ndryshimet e bëra me këtë vendim i shtrijnë efektet që nga data 23.12.2024.

III. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, autoritetet vendore të zhvillimit të territorit dhe Autoriteti i Aviacionit Civil për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Dokumenti i Politikave të Arsimit të Lartë 2030 – për arsimin e lartë në harmoni me standardet ndërkombëtare, mbështetës i procesit të integrimit dhe zhvillimit të vendit