Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2025 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2025

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2025:
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Florian Semani emërohet zëvendësministër i Financave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË FINANCIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zëri “Transfertë në buxhetet familjare” (llogaria ekonomike 606), përdoret për:
a) rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve bujqësore në mjedise të mbrojtura, të bimëve mjekësore dhe aromatike e të prodhimeve blegtorale, duke ulur kostot nëpërmjet pagesave për sipërfaqe të kultivuar dhe për kafshë të matrikulluara;
b) mbështetjen e fermerëve nëpërmjet pagesave për uljen e kostos për naftën që përdoret, për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore;
c) certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike;
ç) mbështetjen e formave të kooperimit në bujqësi.
2. Masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë, si më poshtë vijon:
2.1. Bujqësia dhe blegtoria
a) Pagesa për gjedh të matrikulluar, në vlerën deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë lopë/mëshqerrë dhe deri në 5 000 (pesë mijë) lekë/krerë viça për fermer/aplikant, me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë gjedhe.
Për pjesën mbi 50 (pesëdhjetë) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “Shoqëri e bashkëpunimit bujqësor (në vijim SHBB)”;
b) Pagesa, në vlerën deri në 1 200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese) për fermer/aplikant, me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi.
Për pjesën mbi 300 (treqind) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”.
c) Mbarështimi i bletarisë, në vlerën deri në 1 000 (një mijë) lekë për zgjua për fermer/aplikant, me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje.
Për pjesën mbi 150 (njëqind e pesëdhjetë) zgjoje, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”;
ç) Pagesa, në vlerën deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë për ha për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermer/aplikant, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha.
Për sipërfaqen mbi 5 (pesë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”.
Përfitojnë pagesë shtesë fermerët që përdorin kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve (domate, speca, tranguj, luleshtrydhe).
Masa e përfitimit është në 50% të vlerës totale të faturave tatimore për blerjen e materialeve biologjike, përfshirë insektet e dobishme, por jo më shumë se 30 000 mijë lekë për dynym, në rastin e dy mbjelljeve në vit.
Për fermerët individualë, që aplikojnë për mbështetje vetëm për kontrollin biologjik, sipërfaqja minimale e kultivuar është 3 (tre) dynym, ndërsa për aplikantët me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”, sipërfaqja minimale është 1 (një) ha për secilën nga mbjelljet.
d) Pagesa për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike, në vlerën deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë/ha për fermer/aplikant, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha.
Për sipërfaqen mbi 10 (dhjetë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”;
dh) Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, në vitin e tretë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) lekë për fermë të certifikuar;
e) Implementimi dhe certifikimi global GAP, përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore:
i. por jo më shumë se 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë për sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha për certifikim individual;
ii. por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për sipërfaqe jo më pak se 3 (tre) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 (dhjetë) ha në fushë të hapur për certifikim në grup, me minimum 10 (dhjetë) fermerë të përfshirë;
iii. por jo më shumë se 700 000 (shtatëqind mijë) lekë për sipërfaqe jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 30 (tridhjetë) ha në fushë të hapur për certifikim në grup, me minimum 20 (njëzet) fermerë të përfshirë.
2.2. Mbështetje për naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi
2.2.1. Subjektet përfitojnë pagesa në barasvlerë të lehtësimit fiskal për uljen e kostos për naftën, që përdoret për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, sipas kritereve dhe masës së përfitimit, të përcaktuara në këtë vendim.
2.2.2. Kulturat bujqësore/grup-kulturat, normativat e konsumit të naftës, për të cilën përllogaritet vlera e përfitimit, janë sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Çmimi referencë për naftën është çmimi mesatar për muajin dhjetor 2024, i publikuar nga INSTAT-i.
2.2.3. Subjektet përfituese duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
i. Të kenë tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës;
ii. Sipërfaqja totale për të cilën aplikohet duhet të jetë jo më pak se 1 (një) ha, ndërsa madhësia e parcelave, me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha.
2.2.4. Aplikimi për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet me vetëdeklarim.
2.2.5. Përfitimi për sipërfaqen që kultivohet është, si më poshtë vijon:
i. Deri në 100% të vlerës për fermerët/aplikantët, me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra, referuar aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ii. Për sipërfaqen mbi 10 (dhjetë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”.
2.2.6. Aplikimet i nënshtrohen procesit të verifikimit/kontrollit administrativ dhe për aplikimet fituese kryhet kontrolli në terren. Procesi i kontrollit në terren kryhet:
i. për të vlerësuar përputhshmërinë e vetëdeklarimeve me situatën reale dhe shmangien e lejuar të faktit të verifikuar të kulturave dhe të sipërfaqes së kultivuar, në raport me vlerën e përfituar, e cila është jo më e madhe se 20%;
ii. në jo më pak se 10% të subjekteve përfituese, përfshirë kontrollin e të gjitha subjekteve me sipërfaqe mbi 10 (dhjetë) ha.
2.2.7. Çdo subjekt, në rastet kur verifikohet se ka përfituar më shumë se 20% nga vlera për të cilën plotëson kriteret sipas nënndarjes “i”, të pikës 2.2.6, ose ka paraqitur dokumente të pasakta, përjashtohet 3 (tre) vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit.
2.3. Mbështetje për investime në ferma, në zbatim të pikave 2.3 dhe 3/2, të vendimit nr.130, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2024”, të ndryshuar.
3. Për masat mbështetëse, sipas shkronjave “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “d”, të pikave 2.1 e 2.2, kur fondi në dispozicion rezulton më i vogël se totali i kërkesës së aplikimeve të bëra për masën përkatëse, vlera e financimit që përfitohet për njësi (krerë, zgjua apo ha), si dhe në total për subjekt, reduktohet në përputhje me këtë fond. Në rastet e shtesave/alokimeve eventuale të fondit, vlera e financimit që përfitohet nuk mund të jetë më e madhe se kufiri për masën përkatëse, i përcaktuar në këtë vendim.
Nga rregulli i mësipërm bëjnë përjashtim aplikantët me status “Grup fermerësh” dhe “SHBB”, të cilët përfitojnë vlerën maksimale të financimit të parashikuar në këtë vendim, edhe kur fondi në dispozicion rezulton më i vogël se totali i kërkesës së aplikimeve të bëra për masën përkatëse.
4. Për aplikimet në masat mbështetëse, sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të pikës 2.1, kryhet kontrolli në terren për verifikimin faktik të numrit të krerëve, në jo më pak se 30% të subjekteve përfituese.
Çdo subjekt, në rastet kur verifikohet se ka përfituar më shumë se 20% nga vlera për të cilën plotëson kriteret, përjashtohet 3 (tre) vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit.
5. Përfitues për masat e mbështetjes nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë fermerët individualë, grupet e fermerëve, personat fizikë e juridikë, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB).
6. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË SHËRBIMIT TË PROVËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10, të ligjit nr.78/2020, “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Provës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Ermal Pacaj, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MARRJEN E MASAVE TË PËRKOHSHME PËR SHMANGIEN E NDIKIMEVE NEGATIVE TË PLATFORMËS ON-LINE “TIKTOK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 1, 139, pika, 2, 174 e 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit dhe Sportit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndërprerjen e aksesit në platformën on-line “TikTok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Ndërprerja e platformës on-line “TikTok” zgjat deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta.
3. Caktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore sektoriale e nëpërmjet tyre, si dhe autoritetet e tjera, që përfshihen në këtë proces, për të komunikuar e negociuar me përfaqësuesit e platformës on-line “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera on-line, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital, duke përfshirë:
a) operimin efektiv të sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës;
b) operimit të sistemeve të kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve;
c) shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhe urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm;
ç) përshtatjen e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare.
4. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, të marrë masat e nevojshme për realizimin e ndërprerjes së aksesit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.
5. Pasi të realizohet nga platforma on-line “TikTok” vendosja e filtrave të nevojshëm, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe autoritetet rregullatore sektoriale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË MËNYRËS PËR MBROJTJEN E VEÇANTË TË PUNONJËSIT TË POLICISË, TË CILIT I KËRCËNOHET JETA, FAMILJA DHE PRONA PËR SHKAK TË DETYRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 109, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Punonjësit të Policisë së Shtetit, të cilit, për shkak të detyrës, i kërcënohet jeta, familja dhe prona nga veprime të paligjshme të të tretëve, i sigurohet mbrojtje e veçantë.
2. Me mbrojtje të veçantë kuptohen masat me karakter organizativ e profesional për sigurimin e ruajtjen e veçantë të jetës, familjes dhe të pronës së punonjësit të kërcënuar të policisë, si dhe çdo masë tjetër, që lidhet me këtë mbrojtje.
3. Kushtet, që punonjësi i kërcënuar i policisë të përfitojë mbrojtje të veçantë, janë:
a) prania e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit të policisë;
b) gjendja e punonjësit të policisë në një situatë që kërkon kryerjen e veprimeve apo marrjen e masave të menjëhershme për ta zgjidhur atë, si dhe për të shmangur çdo lloj dëmtimi të mundshëm;
c) prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe rrezikut të dëmtimit me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.
4. Mënyrat e mbrojtjes së veçantë konsistojnë në:
a) ruajtjen apo shoqërimin fizik të punonjësit të policisë të rrezikuar;
b) ruajtjen apo shoqërimin fizik të familjarëve të rrezikuar të punonjësit të policisë;
c) ruajtjen e pronës së punonjësit të policisë të rrezikuar.
5. Mbrojtja e veçantë për punonjësin e kërcënuar të policisë bëhet me vendim të Komisionit për Vlerësimin e Mbrojtjes së Veçantë (KVMV), i cili ngrihet dhe funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
6. Komisioni për Vlerësimin e Mbrojtjes së Veçantë përbëhet nga:
a) drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, kryetar;
b) drejtori i Hetimit të Krimeve të Rënda, anëtar;
c) shefi i Njësisë Speciale të Mbrojtjes së Veçantë, anëtar;
ç) drejtori i policisë së qarkut, ku banon personi i kërcënuar, anëtar;
d) drejtori i Forcave Kombëtare të Sigurisë, anëtar.
7. Kërkesa, me shkrim, për mbrojtje të veçantë të punonjësit të kërcënuar të policisë i paraqitet Komisionit për Vlerësimin e Mbrojtjes së Veçantë nga:
a) punonjësi i policisë, që i kërcënohet jeta, familja dhe prona;
b) strukturat policore, që marrin dijeni për praninë e rrethanave serioze, të cilat i rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të policisë;
c) çdo organ tjetër publik, që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të policisë.
8. Kërkesa për mbrojtje të veçantë përmban:
a) gjenealitetet e plota të punonjësit të kërcënuar të policisë;
b) një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për punonjësin e policisë, të cilat e detyrojnë atë të kërkojë mbrojtje të veçantë, si dhe burimin e provave, ku ato bazohen.
9. Komisioni i Vlerësimit të Mbrojtjes së Veçantë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje të veçantë, vendos:
a) pranimin e kërkesës, duke përcaktuar edhe masat konkrete të mbrojtjes;
b) mospranimin e kërkesës.
10. Vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Mbrojtjes së veçantë miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe përmban:
a) pjesën hyrëse, ku pasqyrohen subjekti që ka bërë kërkesën, koha dhe vendi i marrjes së vendimit, si dhe përbërja emërore e komisionit;
b) pjesën përshkruese, ku jepen rrethanat, që e kanë shtyrë subjektin për të bërë kërkesën, veprën penale të kryer, personalitetin e të kërcënuarit, rrezikshmërinë shoqërore të kërcënimeve dhe vlerësimet për të dhënat që zotërohen rreth një fakti të tillë;
c) pjesën vendimmarrëse, ku përcaktohen masat konkrete për mbrojtjen e veçantë, kohën, ekzekutuesin e vendimit, afatin e zgjatjes së masave, shpenzimet dhe subjektin që do t’i përballojë këto shpenzime.
11. Në vendimin e Komisionit për Vlerësimin e Mbrojtjes së Veçantë për sigurimin e mbrojtjes së veçantë përcaktohen mënyrat e mbrojtjes dhe kohëzgjatja e saj.
12. Krahas marrjes së masave mbrojtëse, Policia e Shtetit bashkëpunon me institucionet e tjera për marrjen në vazhdimësi të informacioneve, në funksion të parandalimit të ngjarjeve të mundshme kriminale, në drejtim të punonjësit të policisë të marrë në mbrojtje, familjes dhe pronës së tij.
13. Në rastet kur punonjësi i kërcënuar i policisë ushtron detyrën larg vendbanimit dhe familjes së tij, masat urgjente mbrojtëse merren sipas nevojës për të dhe për familjen, në funksion të mbrojtjes e në varësi të intensitetit që ka kërcënimi.
14. Në rastin e një rreziku serioz dhe të çastit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron strukturat përkatëse në Policinë e Shtetit të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e jetës, familjes dhe pronës së punonjësit të kërcënuar të policisë. KVMV-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve, vlerëson masat e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe vendos për vazhdimin ose jo të tyre.
15. Vendimi nr.331, datë 22.4.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për mbrojtjen e veçantë të punonjësit të Policisë së Shtetit që, për shkak të detyrës, i kërcënohet jeta, familja dhe prona”, shfuqizohet.
16. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.28, DATË 17.1.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E ANËTARËVE TË BORDIT TË MENAXHIMIT TË AUTORITETIT RRUGOR SHQIPTAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.10164, datë 15.10.2009, “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shkronja “b”, e pikës 1, të vendimit nr.28, datë 17.1.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për emërimin e anëtarëve të Bordit të Menaxhimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Z. Renald Petriti, Ministria e Financave.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.414, DATË 27.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “MENAXHIMI I INTEGRUAR I MBETJEVE TË NGURTA TË RAJONIT TË VLORËS””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.414, datë 27.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Menaxhimi i integruar i mbetjeve të ngurta të rajonit të Vlorës””, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 3, vlera “… prej 29 442 300 (njëzet e nëntë milionë e katërqind e dyzet e dy mijë e treqind) lekësh.” zëvendësohet me “… prej 32 768 112 (tridhjetë e dy milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë e mijë e njëqind e dymbëdhjetë) lekësh.”;
b) Pika 4 riformulohet, si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 32 768 112 (tridhjetë e dy milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e njëqind e dymbëdhjetë) lekësh, përballohet, si më poshtë vijon:
a) Vlera prej 29 442 300 (njëzet e nëntë milionë e katërqind e dyzet e dy mijë e treqind) lekësh mbulohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2020;
b) Vlera prej 3 325 812 (tre milionë e treqind e njëzet e pesë mijë e tetëqind e dymbëdhjetë) lekësh përballohet nga Bashkia Vlorë.”.
c) Tabelës, bashkëlidhur vendimit, i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Bashkia Vlorë.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.594, DATË 31.8.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “VIJA BREGDETARE E QYTETIT TË VLORËS, FAZA 1, SHTESAT, PJESA LINDORE”, VLORË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.594 datë 31.8.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Vija bregdetare e qytetit të Vlorës, faza 1, shtesat, pjesa lindore”, Vlorë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 3, vlera prej “… 371 116 970.26 (treqind e shtatëdhjetë e një milionë e njëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë pikë njëzet e gjashtë) lekësh” zëvendësohet me “… 382 565 120.26 (treqind e tetëdhjetë e dy milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e njëqind e njëzet pikë njëzet e gjashtë) lekësh”;
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 382 565 120.26 (treqind e tetëdhjetë e dy milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e njëqind e njëzet pikë njëzet e gjashtë) lekësh” përballohet, si më poshtë vijon:
a) 371 116 970.26 (treqind e shtatëdhjetë e një milionë e njëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë pikë njëzet e gjashtë) lekë përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë;
b) 11 448 150 (njëmbëdhjetë milionë e katërqind e dyzet e tetë mijë e njëqind e pesëdhjetë) lekë përballohen nga buxheti i Bashkisë Vlorë.”.
c) Tabelës 2/C, bashkëlidhur vendimit nr.594, datë 31.8.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Vlorë.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.617, DATË 29.7.2020, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RRUGA E ARBRIT” (SHTESA)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.617 datë 29.7.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rruga e Arbrit” (shtesa)”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 3, togfjalëshi “… prej 16 808 960 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tetë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) lekësh” zëvendësohet me “… prej 16 834 460 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tridhjetë e katër mijë e katërqind e gjashtëdhjetë) lekësh”.
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 16 834 460 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tridhjetë e katër mijë e katërqind e gjashtëdhjetë) lekësh, përballohet, si më poshtë vijon:
a) Vlera e shpronësimit, prej 16 808 960 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tetë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) lekësh, të përballohet nga fondet buxhetore për vitin 2020,të miratuara në zërin “Shpronësime”, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, në programin buxhetor “Transporti rrugor”.
b) Vlera, prej 25 500 (njëzet e pesë mijë e pesëqind) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
c) Tabelës bashkëlidhur vendimit në fuqi i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën shtesë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
3. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
4. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Bulqizë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Dibër dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME “ANSAMBËL ARKITEKTONIK URBAN” TË QYTETIT TË PESHKOPISË, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE TË TIJ DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “a” e “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të nënndarjes “ii”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 53, të pikës 3, të nenit 62, dhe të pikës 1, të nenit 96, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “Ansambël arkitektonik urban” të një zone në qytetin e Peshkopisë, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Përcaktimin e zonës mbrojtëse të “Ansamblit arkitektonik urban” të një zone në qytetin e Peshkopisë, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për publikimin e hartave të “Ansamblit arkitektonik urban” të qytetit të Peshkopisë dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe me aktet nënligjore në fuqi.
6. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Dibër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.104, DATË 28.2.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR KRIJIMIN E REGJISTRIT SHTETËROR TË MËSUESVE TË GJUHËS SHQIPE E TË KULTURËS SHQIPTARE DHE DHËNIEN E CERTIFIKATËS PËR NXËNËSIT NË DIASPORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 49, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.104, datë 28.2.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve për krijimin e regjistrit shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare dhe dhënien e certifikatës për nxënësit në diasporë”, bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Në fund të pikës 8 shtohen fjalët, me këtë përmbajtje:
“… i cili lëshon vërtetim për mësuesit, që janë pjesë e këtij regjistri.”.
b) Pas pikës 11 shtohet pika 11/1, me këtë përmbajtje:
“11/1. Për nxënësit që kanë ndjekur programin e mësimit të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë lëshohet vërtetim i pjesëmarrjes nga autoritetet që organizojnë mësimin e gjuhës e të kulturës shqiptare në diasporë. Ky vërtetim prodhohet nga Qendra e Botimeve të Diasporës, sipas modelit dhe kërkesave të përcjella nga misionet diplomatike të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.305, DATË 22.5.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I SEGMENTIT RRUGOR DALJE ELBASAN-PËRRENJAS-QAFË-THANË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.305, datë 22.5.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga nga realizimi i projektit “Zgjerimi i segmentit rrugor dalje Elbasan – Përrenjas – Qafë – Thanë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 6 942 926.9 (gjashtë milionë e nëntëqind e dyzet e dy mijë e nëntëqind e njëzet e gjashtë pikë nëntë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 6 942 926.9 (gjashtë milionë e nëntëqind e dyzet e dy mijë e nëntëqind e njëzet e gjashtë pikë nëntë) lekësh, përballohet, si më poshtë vijon:
a) 3 223 464 (tre milionë e dyqind e njëzet e tre mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar;
b) 3 719 462.90 (tre milionë e shtatëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e dy pikë nëntëdhjetë) lekë, nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë.”.
b) Tabelës, bashkëlidhur vendimit, i shtohet tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën shtesë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
3. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
4. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Librazhd, dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2025, MIRATUAR PËR MINISTRINË E ARSIMIT DHE SPORTIT, PËR FINANCIMIN E KËSTIT TË DYTË TË KONTRATËS PËR REALIZIMIN E TRI TUREVE TË PARA TË “GIRO D’ITALIA 2025”, NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, në zërin “Shpenzime korrente”, në artikullin 605 “Transferta me jashtë”, të programit buxhetor “Zhvillimi i sportit”, i shtohet fondi prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh, për financimin e këstit të dytë të kontratës për realizimin e tri tureve të para të “Giro d’Italia 2025”, në Republikën e Shqipërisë.
2. Fondi sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2025, dhe përdoret për kryerjen e pagesës së këstit të dytë, sipas përcaktimeve në kontratën e nënshkruar ndërmjet palëve, për vitin 2025.
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË DHE PLANIT TË VEPRIMIT 2025 – 2030
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 38, të ligjit nr.10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Dokumentit të Politikave për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë dhe planit të veprimit 2025 – 2030, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.371, datë 18.5.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Dokumentit Politik për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, 2016 – 2020, dhe planit të veprimit të zbatimit të tij”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen të gjitha ministritë e linjës dhe institucionet e tjera, të përmendura në dokumentin e politikave dhe planin e veprimit, për ndjekjen dhe zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË KUKËS, TË NJË PJESE TË PASURIVE ME NR.940, NR.2/1 DHE TË PASURISË NR.1/16, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 2315, NJËSIA ADMINISTRATIVE KUKËS, DHE PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.167, DATË 10.3.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin, në pronësi të Bashkisë Kukës, të një pjese të pasurive me nr.940, nr.2/1 dhe të pasurisë nr.1/16, me vendndodhje në zonën kadastrale 2315, njësia administrative Kukës, sipas formularit dhe planeve të rilevimit bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur në fushën e shërbimeve funerale.
2. Pasuritë e përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, me numrat rendorë 989-991, i shtohen listës së inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.167, datë 10.3.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Kukës, të Qarkut të Kukësit”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Kukës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurive të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Bashkia Kukës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN E PRONËSISË TE SHOQËRIA SHTETËRORE “KAYO” SH.A., TË PRONAVE TE PALUAJTSHME TË OBJEKTIT, ME EMËRTIMIN “ISH-UZINA E PËRPUNIMIT TË BAKRIT, RUBIK”, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 3244
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin e pronësisë te shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., të pronave të paluajtshme të objektit, me emërtimin “Ish-Uzina e Përpunimit të Bakrit, Rubik”, në përgjegjësi administrimi të Albbaker, sh.a.-së, me vendndodhje në zonën kadastrale 3244, sipas lidhjes nr.1 dhe kartelave të pasurive, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim përdorimin sipas objektit të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.336, datë 1.6.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Albbakër, sh.a.-së”, të ndryshuar, hiqen pronat sipas listës së inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit përtej objektit të veprimtarisë ose t’i tjetërsojë pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Albbakër, sh.a.-ja, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E ZONAVE KADASTRALE NË TË CILAT LEJOHET KULTIVIMI I BIMËS SË CANNABIS-IT PËR QËLLIME INDUSTRIALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e zonave kadastrale në të cilat lejohet kultivimi i bimës së cannabis-it për qëllime industriale, sipas shtojcave, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ushtrimin e aktivitetit të kultivimit të bimës së cannabis-it për qëllime industriale, në përputhje me kufizimet e përcaktuara në vendimin nr.50, datë 22.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e standardeve për zonat dhe parcelat e tokës në të cilat do të lejohet kultivimi i bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale”.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe subjektet e lejuara për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

Previous Italia miraton marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë!