Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në një vizitë pune në Slloveni me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën e 20-të ndërkombëtare të Forumit Strategjik të Bledit, si dhe të një sërë eventeve në kuadër të Forumit.
Për dy dekada, Forumi Strategjik i Bledit ka ofruar një platformë për diskutime strategjike të nivelit të lartë mbi çështjet më emergjente me të cilat përballet Evropa dhe bota.
Forumi 2025 ”A Runaway World” bën bashkë udhëheqës, ekspertë dhe vizionarë për të eksploruar rolin e Evropës në formësimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe bashkëpunuese. Përmes dialogut strategjik dhe ideve inovative, konferenca do të adresojë sfidat e forcimit të qeverisjes globale, nxitjes së sovranitetit strategjik dhe ndërtimit të besimit në një botë gjithnjë e më të polarizuar.
Kryeministri Rama ishte i ftuar special në diskutimin mbi rolin e shteteve dhe të ardhmen e Bashkimit Europian me moderator Stjepan Oresković, Sipërmarrës, President dhe themelues i IEDC Bled, Future 500 (International Executive Development Center)
“Përtej asaj çfarë themi dhe përtej asaj çfarë shprehemi besnikëria jonë nuk është asnjëherë në dyshim. Kemi një ide të qartë të madhësisë sonë dhe të peshës sonë dhe po kështu edhe të sfidave tona. Si europianë duam të jemi të lirë dhe të shprehim lirisht atë që mendojmë. Por, kur vjen puna të ndjekim Europën , ne jemi ndjekës vërtetë besnikë dhe meqë ra fjala politika jonë e jashtme 100% e harmonizuar me politikën e jashtme të BE. Ne as nuk jemi lëkundur dhe as nuk e kemi vënë ndonjëherë në dyshim.” – u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama në bisedën mbi temën e të ardhmes së BE.