Integrimi europian po ecën me ritme të shpejta

Procesi i negociatave për anëtarësimin e vendit në BE është në rrugën e duhur për të përmbyllur kushtet dhe kriteret e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 dhe nuk ka asnjë ngecje të procesit.

Shqipëria ka avancuar me 7-8 kapitujt e parë me gatishmërinë e mbylljeve. Nga 600 masa ligjore dhe nënligjore, rreth 150 prej tyre janë hartuar tashmë dhe transmetuar Komisionit Europian. Ndërkohë, puna vijon me ritëm të shpejtë në të gjithë kapitujt e tjerë.

Shqipëria çeli negociatat për të gjithë grup-kapitujt gjatë vitit të kaluar në një kohë rekord dhe për këtë vendi ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian.

Të gjitha institucionet publike kanë nisur punën sa i përket kushteve për mbylljen e kapitujve. Me çeljen e negociatave për anëtarësim, BE i ka dhënë Shqipërisë kushtet për mbylljen e negociatave për 31 nga 33 kapitujt. Ndërkohë, në lidhje me dy kapitujt që janë rendi dhe drejtësia, ato do t’i jepen Shqipërisë pas miratimit të raportit të pikave të ndërmjetme, i cili është në proces.

Qeveria shqiptare mbetet e vendosur për të përmbushur çdo detyrim brenda afateve të përcaktuara, duke garantuar një proces të besueshëm dhe të qëndrueshëm drejt anëtarësimit, në shërbim të zhvillimit të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve.