Masa e naftës falas, ristrukturohet në Skemën Kombëtare për Bujqësinë 2026

Në lidhje me diskutimet se është hequr masa e naftës falas për fermerët nga Skema Kombëtare për Bujqësinë 2026, qeveria sqaron opinionin publik se e cilësuara si masë nafte, realisht është masë për uljen e kostos së prodhimit për fermerin dhe masat e reja që janë vendosur për vitin 2026 janë më gjithëpërfshirëse dhe çdo fermer është pjesë e kësaj pakete.

Skema e naftës është në fakt një çështje e politikave fiskale dhe jo një pagesë direkte e skemave të mbështetjes në bujqësi. Skema e naftës në tërësi është një skemë e cila mbështet uljet e kostos së fermerit dhe në vitet në të cilat është aplikuar, ka konsistuar në dhënien e karburantit dhe më pas ka kaluar në mbështetje me pagesë të drejtpërdrejtë për fermerët.

Ndërsa në skemën e re të vitit 2026, për uljen e kostos së prodhimit është përfshirë një masë e re, e cila konsiston në pagesën me 10 mijë lekë për ha të mbjellë, për fermat me sipërfaqe mbi 3 ha.

Gjithashtu këtë vit, qeveria ka nisur me kompensimin me 10% për çdo autofaturë të lëshuar nga shitësi, duke e bërë mbështetjen e inputeve të dedikuar për të gjithë ata që prodhojnë dhe shesin.