Ministrja Ibrahimaj: Miratohet projektligji për tatimin mbi të ardhurat, vijon monitorimi dhe masat për stabilizimin e çmimeve
Këshilli i Ministrave miratoi këtë të premte një sërë projektligjesh me ndikim në politikat fiskale dhe ekonomike të vendit, ku në fokus ishte projektligji për ndryshimet në ligjin mbi tatimin mbi të ardhurat, si dhe masat për monitorimin dhe stabilizimin e çmimeve.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se projektligji i propozuar nga Ministria e Financave synon forcimin e drejtësisë sociale dhe tërheqjen e diasporës shqiptare, por edhe të huajve që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri.
Ndryshimet parashikojnë që të gjithë rezidentët tatimorë në Shqipëri, të cilët gjenerojnë të ardhura në vende të tjera dhe i kanë paguar ato taksa jashtë vendit, të mos tatohen sërish në Shqipëri. Ky mekanizëm synon të shmangë tatimin e dyfishtë dhe të rrisë atraktivitetin e vendit për individët që jetojnë apo rikthehen nga jashtë.
Sipas qeverisë, kjo nismë lidhet edhe me zhvillimin e të ashtuquajturës “ekonomi e argjendtë”, duke inkurajuar pensionistët që kanë përfituar të ardhura jashtë vendit të vendosen dhe të kontribuojnë në ekonominë shqiptare.
Projektligji përfshin gjithashtu ruajtjen e lehtësirave fiskale për personat e verbër, duke garantuar vijimin e përjashtimit nga tatimi për këtë kategori, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në mbledhjen e qeverisë u diskutua edhe situata e çmimeve në treg, në kontekstin e zhvillimeve ndërkombëtare, veçanërisht ndikimit të krizës në Lindjen e Mesme. Autoritetet bëjnë të ditur se çmimet monitorohen në mënyrë të vazhdueshme, me fokus të veçantë te karburantet dhe produktet bazë të shportës.
Bordi i Transparencës ka reflektuar luhatjet në tregjet ndërkombëtare, duke ulur së fundmi çmimin e naftës në rreth 210 lekë për litër, pas zhvillimeve pozitive në bursat ndërkombëtare.
Ndërkohë, inflacioni në muajin mars shënoi një rritje të lehtë në nivelin 2.6%, i ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i frutave dhe perimeve, ndërsa kategoritë e tjera ushqimore kanë mbetur relativisht të qëndrueshme. Në këtë kuadër, institucionet shtetërore monitorojnë çdo ditë rreth 80 produkte të shportës në të gjithë vendin, me qëllim garantimin e reflektimit korrekt të çmimeve dhe ndërhyrjen në kohë kur është e nevojshme, ndërsa qeveria konfirmon vijimin e mbështetjes për shtresat në nevojë dhe pensionistët me të ardhura të ulëta, përmes skemave të subvencionimit, siç është vepruar edhe në të kaluarën.