Ministrja Kumbaro: Forcohen programet edukative jashtë orarit mësimor, dyfishohet pagesa dhe zgjerohet përfshirja e mësuesve dhe specialistëve
Qeveria ka miratuar një vendim të ri për forcimin e programeve edukative jashtë orarit mësimor në sistemin parauniversitar, duke synuar rritjen e cilësisë së përvojës së nxënësve në shkollë përmes aktiviteteve të larmishme.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se vendimi parashikon zgjerimin e kohës që nxënësit kalojnë në shkollë përtej orarit të detyrueshëm, duke e plotësuar atë me aktivitete si arti dhe zejet, olimpiadat, festivalet dhe nisma të tjera që tashmë janë pjesë e programit edukativ të sanksionuar me ligj.
Një nga elementet kryesore të këtij vendimi është mbështetja financiare për programet pas shkollore. Qeveria ka vendosur dyfishimin e pagesës për orët jashtë mësimit të detyruar, duke e çuar atë në 1000 lekë të vjetra për 60 minuta, nga 500 lekë që ishte parashikuar më parë.
Vendimi parashikon gjithashtu zgjerimin e rrethit të bashkëpunëtorëve që mund të angazhohen në këto programe. Përveç mësuesve brenda sistemit arsimor, do të përfshihen edhe mësues në pension, si dhe specialistë të fushave të artit, muzikës dhe zejeve.
Sipas Ministres Kumbaro, kjo nismë synon të krijojë një mjedis më të pasur dhe gjithëpërfshirës për nxënësit, duke zhvilluar talentet dhe duke nxitur aftësitë krijuese përmes aktiviteteve jashtë kurrikulës së detyrueshme.