Nuk ka bllokim negociatash të Shqipërisë me BE-në
Në përgjigje të lajmeve që qarkullojnë në media se nëntë vende anëtare të Bashkimit Evropian, kanë bllokuar procesin IBAR, një proces ku shikohet ecuria e deritanishme e Shqipërisë, qeveria shqiptare sqaron opinionin publik se ky është një pretendim i pavërtetë dhe se nuk ka asnjë bllokim të procesit të negociatave.
Është një fakt i konfirmuar nga institucionet europiane dhe vendet anëtare se Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm dhe shembullor në avancimin e negociatave, duke vijuar punën për përmbushjen e detyrimeve që kemi marrë bashkërisht me Komisionin Europian.
Negociatat janë një proces testimesh të vazhdueshme dhe bisedimet po ecin sipas agjendës së parashikuar nga qeveria. Prilli është muaji i diskutimeve intensive, pasi në fund të marsit janë mbledhur të gjitha pyetjet e vendeve anëtare dhe pas të gjitha diskutimeve do të vijë edhe vendimmarrja për Shqipërinë.