Samiti i Diasporës, Ministrja Sala: Diaspora partner i pazëvendësueshëm në reformën e shëndetësisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e cilësoi diasporën një partner të pazëvendësueshëm në reformimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë mes profesionistëve brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë panelit “Diaspora dhe Sistemi Shëndetësor” në Samitin IV të Diasporës, të mbajtur në Tiranë, Sala theksoi se ndërtimi i një sistemi shëndetësor modern, sipas standardeve evropiane, kërkon kontributin e ekspertizës shqiptare kudo që ajo ndodhet. Sipas saj, reformat në shëndetësi nuk mund të realizohen pa përfshirjen aktive të diasporës dhe shkëmbimin e vazhdueshëm të përvojave.

Ministrja nënvizoi se në vitet e fundit janë krijuar ura konkrete bashkëpunimi, duke veçuar kontributin në distancë të mjekëve specialistë, përfshirë në fushën e onkologjisë, të cilët kanë ndihmuar pacientët në Shqipëri të përfitojnë shërbime dhe kontrolle të specializuara sipas protokolleve evropiane.

Ajo shtoi se modeli i ri i zhvillimit të sistemit shëndetësor bazohet te bashkëpunimi, duke e konsideruar samitin si një mundësi për forcimin e lidhjeve profesionale dhe ndërtimin e një rrjeti të qëndrueshëm ekspertize.

Në këtë kuadër, ministrja Sala u bëri thirrje profesionistëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në avancimin e reformave, duke theksuar se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i praktikave më të mira mbeten kyç për zhvillimin e sektorit.