Samiti i Diasporës, Ministri Hoxha: Koordinim institucional rajonal për fuqizimin e diasporës

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë fjalës së mbajtur në panelin “Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkërisht?” në Samitin IV të Diasporës, theksoi nevojën për një koordinim më të ngushtë dhe një qasje të përbashkët për forcimin e lidhjeve mes shtetit dhe diasporës, me synim rritjen e kontributit të saj në zhvillimin e vendit dhe arritjen e objektivave të përbashkëta.

Ai vuri në dukje rëndësinë e bashkërendimit të institucioneve dhe organizatave që merren me diasporën, përfshirë përfaqësitë diplomatike dhe aktorë të tjerë në rajon, si në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, me qëllim rritjen e efektivitetit të aktiviteteve dhe nismave.

Ministri nënvizoi se mbështetja për diasporën duhet të jetë më e harmonizuar në fusha kyçe si gjuha, identiteti, kultura, investimet dhe inovacioni, duke nënvizuar nevojën për një qasje të bashkërenduar, veçanërisht në promovimin kulturor.

Hoxha evidentoi gjithashtu disa nga strukturat dhe nismat ekzistuese, si drejtoritë e specializuara në ministri, agjencitë kombëtare për diasporën dhe qendrat e botimeve për shqiptarët jashtë vendit, por shtoi se, pavarësisht këtyre hapave, mbetet ende fragmentarizim në këtë proces.

Në përfundim, ministri rikonfirmoi angazhimin për bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët, me synim forcimin e rolit të diasporës në zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet ku ajo jeton.