Samiti i Diasporës, Ministri Jaupaj: Diaspora thelbësore për tranzicionin e gjelbër dhe integrimin evropian

Roli i diasporës shqiptare në përballimin e sfidave mjedisore dhe në përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër në Shqipëri ishte në fokus të ditës së tretë të Samitit IV të Diasporës. Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, e cilësoi diasporën një partner strategjik në procesin e integrimit evropian dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Gjatë fjalës së tij në panelin “Diaspora shqiptare si partner mbështetës për integrimin evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, ministri u ndal te Kapitulli 27 i negociatave me Bashkimin Evropian, duke e vlerësuar atë si një nga më kompleksët dhe më të kushtueshmit, për shkak të fushave që mbulon, si cilësia e ujit, menaxhimi i mbetjeve, ndryshimet klimatike dhe mbrojtja e natyrës. Sipas tij, Shqipëria përballet me një volum të konsiderueshëm pune, ku, brenda rreth një viti e gjysmë, parashikohet miratimi i rreth 400 akteve ligjore dhe nënligjore, me angazhimin e 29 institucioneve, për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.

Në këtë proces, ministri theksoi se, përveç investimeve publike, një rol të rëndësishëm duhet të luajë edhe sektori privat, veçanërisht në drejtim të transformimit të gjelbër. Ai vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare në sjelljen e modeleve bashkëkohore në fusha si ekonomia qarkulluese, riciklimi dhe menaxhimi i qëndrueshëm.

Ndër iniciativat konkrete u prezantua programi “Krijo dhe Qarkullo”, i cili synon të përfshijë bizneset e diasporës në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër. Gjithashtu, u vu në dukje rëndësia e zonave të mbrojtura, të cilat përbëjnë rreth 22% të territorit të vendit dhe një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Në këtë kuadër, ministri prezantoi edhe nismën “Paketa e Maleve”, e orientuar drejt zhvillimit të ekoturizmit dhe nxitjes së investimeve në zonat malore. Ai shtoi se turizmi natyror po fiton gjithnjë e më shumë peshë, me një rritje të vizitorëve drejt zonave të brendshme të vendit, përfshirë parqet kombëtare dhe zonat malore.

Sa i përket energjisë, u nënvizua se Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të përdorimit të burimeve të rinovueshme, ku rreth 99% e prodhimit të energjisë vjen nga burime hidrike dhe solare, ndërsa janë në zhvillim edhe projektet për energjinë e erës.

Në përfundim, ministri Jaupaj theksoi se një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e ekspertëve të specializuar në disa fusha të mjedisit, duke nënvizuar nevojën për përfshirjen më të madhe të profesionistëve shqiptarë nga diaspora në këtë proces.