Samiti i Diasporës, Ministri Gonxhja: Kultura dhe turizmi shtylla të zhvillimit dhe pranisë globale përmes bashkëpunimit me komunitetet shqiptare
Shqipëria po thellon bashkëpunimin me diasporën shqiptare, duke e vendosur atë në qendër të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe diplomatik të vendit, në kuadër të një qasjeje të re më të strukturuar dhe gjithëpërfshirëse. Gjatë Samitit IV të Diasporës, në panelin “Identiteti kombëtar dhe qendrat kulturore, institucionalizimi i diplomacisë kulturore: CulturAlb dhe rrjeti i ri i qendrave kulturore”, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, theksoi se marrëdhënia me diasporën po kalon nga lidhje simbolike drejt një partneriteti konkret, me fokus në investime, vendimmarrje dhe projekte kombëtare.
Gonxhja nënvizoi se, në këtë kuadër, kultura dhe turizmi po konsolidohen si dy shtylla të ndërthurura të zhvillimit dhe diplomacisë publike. Sipas tij, diplomacia kulturore është tashmë një nga instrumentet kryesore të politikave publike dhe një ndër shtyllat bazë të Strategjisë Kombëtare të Kulturës 2026-2030, duke e pozicionuar kulturën si një faktor ndërsektorial me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, imazh ndërkombëtar dhe turizëm.
Duke u ndalur te zhvillimi i turizmit, ministri evidentoi se Shqipëria mirëpret mbi 12 milionë vizitorë në vit, çka e konsolidon vendin si një destinacion në rritje në hartën globale. Ky trend ka nxitur zgjerimin e sipërmarrjes në sektorët e mikpritjes, shërbimeve dhe turizmit të përvojës, duke krijuar vende të reja pune dhe duke forcuar ekonominë lokale.
Gonxhja theksoi gjithashtu rolin në rritje të diasporës shqiptare në këtë proces, përmes investimeve, transferimit të njohurive dhe përvojës ndërkombëtare, si dhe vendosjes së standardeve të reja të menaxhimit dhe inovacionit. Diaspora po kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së sipërmarrjes dhe në ndërtimin e një modeli zhvillimi më të qëndrueshëm dhe konkurrues.
Në funksion të rritjes së pranisë ndërkombëtare, ministri vuri në dukje se Shqipëria ka ndërmarrë iniciativa konkrete për ndërkombëtarizimin e kulturës, përfshirë programin “CulturAlb – Ditët Kulturore Shqiptare në Botë”, i cili ka sjellë aktivitete dhe artistë shqiptarë në skena ndërkombëtare, duke forcuar dukshmërinë kulturore të vendit.
Paralelisht, pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare si ITB Berlin dhe FITUR në Madrid ka rritur prezencën e Shqipërisë në tregjet globale, duke e promovuar vendin jo vetëm si destinacion turistik, por si një përvojë të integruar kulturore dhe historike.
Një tjetër drejtim strategjik është krijimi i qendrave kulturore shqiptare jashtë vendit, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Këto qendra synojnë të shërbejnë si hapësira për promovimin e gjuhës, artit dhe traditave shqiptare, si dhe si pika referimi për komunitetet shqiptare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kulturës.
Në nivel vendor, ministri u ndal edhe te programet për zhvillimin e trashëgimisë kulturore, duke veçuar Programin e Kullave të Shqipërisë së Veriut, i cili synon restaurimin dhe rijetëzimin e kullave tradicionale, duke i kthyer ato në qendra kulturore, muze komunitarë dhe pjesë të ofertës së turizmit malor dhe kulturor.
Në përfundim, Gonxhja theksoi se diaspora mbetet një faktor kyç në këtë proces, jo vetëm për lidhjen me vendin e origjinës, por për aftësinë për të sjellë modele të reja zhvillimi, partneritete dhe ide inovative që rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.