Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Prill 2026
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MASAVE PËR SIGURIMIN E VAZHDUESHMËRISË SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE NË SITUATA TË JASHTËZAKONSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 174, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Infrastrukturën dhe Energjinë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e masave për sigurimin e vazhdueshmërisë së ofrimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike në situata të jashtëzakonshme, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.752, DATË 19.12.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ORGANIZIMIT, FUNKSIONIMIT DHE PËRCAKTIMIT TË MASËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË BORDIT TË APELIT TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 5 e 7, të nenit 193/b, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në rregulloren, që i bashkëlidhet vendimit nr.752, datë 19.12 2018, të Këshillit Ministrave, “Për miratimin e rregullores së organizimit, funksionimit dhe përcaktimit të masës së shpërblimit të anëtarëve të bordit të apelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale”, të ndyshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 2, e nenit 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Shpërblimi i kryetarit dhe i anëtarëve të BA-së është i barabartë me shumën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë për çdo mbledhje, por, në çdo rast, numri i shpërblimeve nuk duhet të jetë më shumë se 12 (dymbëdhjetë) pagesa në vit, pavarësisht nga numri i mbledhjeve të BA-së.”.
2. Pika 3, e nenit 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Shpërblimi i sekretarit teknik është i barabartë me shumën 10 000 (dhjetë mijë) lekë për çdo mbledhje, por, në çdo rast, numri i shpërblimeve nuk duhet të jetë më shumë se 12 (dymbëdhjetë) pagesa në vit, pavarësisht nga numri i mbledhjeve të BA-së.”.
II. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, mbulohen nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale.
III. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT KOMBËTAR PËR PARANDALIMIN E KRIJIMIT TË MBETJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 66, të ligjit nr.57/2025, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Programit Kombëtar për Parandalimin e Krijimit të Mbetjeve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Arsimit, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, Agjencia e Prokurimit Publik dhe struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e mjedisit, nën mbikëqyrjen e Inspektoratit të Përgjithshëm, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN “PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME” TË PARKUT ARKEOLOGJIK BYLIS DHE KLOS DHE MIRATIMIN E ZONIFIKIMIT E TË PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TIJ
Në mbështetje të pikës 5, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të shkronjave “a” e “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin “Pasuri kulturore e paluajtshme” të Parkut Arkeologjik Bylis dhe Klos dhe miratimin e zonifikimit e të planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tij.
2. Miratimin e zonifikimit, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje meligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe aktet nënligjore në fuqi.
5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartën e Parkut Arkeologjik Bylis dhe Klos në Gjeoportalin Kombëtar.
6. Në vendimin nr.396, datë 31.3.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kufijve dhe të rregullores së administrimit të parqeve arkeologjike të Shkodrës, Lezhës, Apolonisë, Bylisit, Amantias, Orikumit, Antigonesë, Finiqit dhe Butrintit”, bëhen këto ndryshime:
a) Kudo në vendim dhe në rregullore, fjala “Bylis” hiqet.
b) Harta e Parkut Arkeologjik “Bylis”, bashkëlidhur vendimit, shfuqizohet.
7. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, Njësia e Administrimit të Parkut Arkeologjik Bylis dhe Klos, Bashkia Mallakastër dhe institucionet e organet e tjera të trashëgimisë kulturore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN “PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME” TË ZONËS ARKEOLOGJIKE “A” TË BUSHATIT, BASHKIA VAU I DEJËS, DHE MIRATIMIN E ZONIFIKIMIT E TË PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN E ADMINISTRIMIN E SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, pika 3, shkronjat “a” dhe “ç”, e 53, pika 3, shkronja “b”, nënndarja “iv”, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin “Pasuri kulturore e paluajtshme” të zonës arkeologjike “A” të Bushatit, Bashkia Vau i Dejës.
2. Miratimin e zonifikimit të zonës arkeologjike “A” të Bushatit, Bashkia Vau i Dejës, sipas koordinatave dhe hartave të zonifikimit në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen e administrimin e kësaj zone, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi në hartat kadastrale, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartën e zonës arkeologjike “A” të Bushatit në Gjeoportalin Kombëtar.
6. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Vau i Dejës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME “ANSAMBËL ARKITEKTONIK URBAN” TË NJË ZONE NË QYTETIN E DELVINËS, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE TË TIJ DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, dhe të pikës 3, të nenit 62, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “Ansambël arkitektonik urban” të një zone në qytetin e Delvinës, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Përcaktimin e zonës mbrojtëse të “Ansamblit arkitektonik urban” të një zone në qytetin e Delvinës, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartat e “Ansamblit arkitektonik urban” të qytetit të Delvinës dhe zonës mbrojtëse të tij në Gjeoportalin Kombëtar.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe me aktet nënligjore në fuqi.
6. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Delvinë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN “PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME” TË PARKUT ARKEOLOGJIK ORIKUM, MIRATIMIN E ZONIFIKIMIT DHE TË PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TIJ DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.396, DATË 31.3.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të pikës 5, të nenit 100, të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, dhe të pikës 3, të nenit 62, të ligjit nr.27/2018,“Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin “Pasuri kulturore e paluajtshme” të Parkut Arkeologjik Orikum, sipas hartës së zonifikimit dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e Parkut Arkeologjik Orikum, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartën e Parkut Arkeologjik Orikum në Gjeoportalin Kombëtar.
4. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
5. Kudo në vendimin nr.396, datë 31.3.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kufijve dhe të rregullores së administrimit të parqeve arkeologjike të Shkodrës, Lezhës, Apolonisë, Bylisit, Amantias, Orikumit, Antigonesë, Finiqit dhe Butrintit”, të ndryshuar, dhe në rregulloren që i bashkëlidhet këtij vendimi, fjala “Orikum/Orikumit” dhe harta që i përket parkut arkeologjik Orikum, hiqen.
6. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, institucionet dhe organet e tjera të trashëgimisë kulturore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Për vitin 2026, procedura e plotësimit të pozicioneve të lira të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese, për të cilat lëvizja paralele është mbyllur pa fitues, të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë nga jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendet e lira.
2. Numri maksimal i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, është 61 (gjashtëdhjetë e një) pozicione të kategorisë së mesme dhe të ulët drejtuese.
3. Pozicionet, në të cilat mund të konkurrojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil për nivelin e mesëm drejtues dhe për nivelin e ulët drejtues, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QENDRËS KOMBËTARE TË KËRKIM-SHPËTIMIT DHE PËRCAKTIMIN E KOMPETENCAVE TË QENDRËS KOMBËTARE TË KËRKIM-SHPËTIMIT E TË KOORDINATORIT KOMBËTAR PËR KËRKIM-SHPËTIMIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 2, e 7, pika 2, të ligjit nr.10435, datë 23.6.2011, “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit (SAR) në Republikën e Shqipërisë në rast aksidentesh ajrore dhe detare”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti
Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i mënyrës së organizimit dhe funksionimit të Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, si dhe përcaktimi i kompetencave të Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit e të Koordinatorit Kombëtar për Kërkim-Shpëtimin.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij vendimi është garantimi i një sistemi të unifikuar kombëtar për menaxhimin, drejtimin e koordinimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Neni 3
Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit
1. Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (në vijim, QKKSH) është institucion publik buxhetor në varësi të ministrit të Mbrojtjes.
2. QKKSH-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
3. QKKSH-ja organizohet në nivel qendror, me seli në Tiranë.
4. Rregullorja, që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të QKKSH-së, miratohet nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e kryetarit të QKKSH-së.
5. QKKSH-ja ka stemën, vulën e vet zyrtare dhe logon. Vula ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjen e vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula prodhohet, administrohet e ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
6. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes, Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
Neni 4
Kryetari i QKKSH-së
1. Kryetari i QKKSH-së siguron drejtimin e veprimtarisë së qendrës dhe ushtron kompetencat në përputhje me legjislacionin në fuqi për shërbimin e kërkim-shpëtimit.
2. Kryetari i QKKSH-së, përveç sa parashikohet në ligj, ka përgjegjësitë e mëposhtme:
a) I propozon ministrit të Mbrojtjes, për miratim, tabelën e organizimit dhe të pajisjeve të QKKSH-së;
b) I propozon ministrit të Mbrojtjes, për miratim, vendin e vendosjes, objektin dhe infrastrukturën e përshtatshme për personelin, pajisjet dhe instalimet e tjera të nevojshme, në përmbushje të misionit të QKKSH-së;
c) Raporton te ministri i Mbrojtjes, sa herë që i kërkohet, por jo më pak se një herë në vit, për veprimtarinë e QKKSH-së;
ç) Përfaqëson QKKSH-në në marrëdhëniet me institucionet shtetërore dhe subjektet private, me të cilat ka nënshkruar marrëveshje;
d) Monitoron zbatimin e strategjive dhe të planeve në përputhje me detyrimet kombëtare e ndërkombëtare në fushën e kërkim-shpëtimit;
dh) Kryen çdo funksion tjetër të nevojshëm, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Kryetar i QKKSH-së emërohet personi, i cili mund të jetë me status ushtarak ose joushtarak.
Neni 5
Kriteret për përzgjedhjen e kryetarit të QKKSH-së
1. Emërimi i kryetarit të QKKSH-së, në rast se është me status ushtaraku, bëhet nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, dhe plotëson kriteret e mëposhtme:
a) Është oficer me gradën “kolonel”;
b) Ka kryer kurse dhe kualifikime të ndryshme ushtarake për formimin e përgjithshëm dhe atë profesional;
c) Ka mbaruar kursin e lartë të oficerit;
ç) Ka kryer kurse në fushën e kërkim-shpëtimit, që mbulon aksidentet ajrore ose detare;
d) Ka eksperiencë punë si drejtues në struktura ushtarake;
dh) Zotëron gjuhën angleze;
e) Nuk ka konflikt interesi me detyrën ose funksionin që kryen, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.
2. Emërimi i kryetarit të QKKSH-së, në rast se është joushtarak, bëhet nga ministri i Mbrojtjes dhe plotëson kriteret e mëposhtme:
a) Është shtetas shqiptar;
b) Ka zotësi të plotë për të vepruar;
c) Është i aftë nga ana shëndetësore për të kryer detyrën përkatëse;
ç) Zotëron diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional” të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike;
d) Ka të paktën 10 (dhjetë) vjet eksperiencë në punë;
dh) Nuk i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
e) Nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
ë) Plotëson kushtet e sigurisë për kontrollin e verifikimit të pasurisë e të figurës;
f) Nuk është larguar për shkelje disiplinore nga administrata publike, si dhe nuk ka marrë masë disiplinore, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
g) Zotëron gjuhën angleze;
gj) Nuk ka konflikt interesi me detyrën ose funksionin që kryen, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesit.
Neni 6
Lirimi nga detyra i kryetarit të QKKSH-së
1. Kryetari i QKKSH-së lirohet nga detyra në rastet kur:
a) plotëson moshën për pension pleqërie;
b) jep dorëheqjen nga detyra;
c) humbet shtetësinë shqiptare;
ç) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar;
d) emërohet në një detyrë tjetër;
dh) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
e) i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë.
2. Në rast se kryetari i QKKSH-së është me status ushtaraku, përveç sa më lart, mund të lirohet nga detyra dhe nëse plotëson kohën e qëndrimit në shërbim në Forcat e Armatosura.
Neni 7
Shkarkimi nga detyra i kryetarit të QKKSH-së
1. Kryetari i QKKSH-së shkarkohet nga detyra në rastet kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
b) kryen veprimtari që krijon konflikt interesi, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesit;
c) i hiqet ose i refuzohet certifikata e sigurisë, sipas legjislacionit në fuqi;
ç) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës;
d) në rastet e moszbatimit haptazi të dispozitave ligjore në përmbushjen e detyrave funksionale;
dh) mungon në detyrë, pa shkaqe të arsyeshme, për më shumë se 30 (tridhjetë) ditë pune në vijim;
e) nuk përmbush objektivat e punës.
2. Në rast se kryetari i QKKSH-së është me status ushtaraku, përveç sa më lart, mund të shkarkohet nga detyra dhe nëse kryen akte dhe sjellje, që diskreditojnë rëndë pozitën e ushtarakut të Forcave të Armatosura.
Neni 8
Punonjësi i QKKSH-së
1. Marrëdhëniet e punës së punonjësve joushtarakë të QKKSH-së rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Emërimi, lirimi ose shkarkimi nga detyra i personelit joushtarak bëhet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.
2. Emërimi, lirimi ose shkarkimi nga detyra i personelit ushtarak bëhet sipas legjislacionit në fuqi për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
3. Parimet bazë mbi të cilat mbështetet përzgjedhja e punonjësit, janë formimi arsimor, profesional, pastërtia e figurës, përvoja e tij dhe specifikat e pozicionit të punës.
Neni 9
Buxheti i Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit
Buxheti i QKKSH-së përbën zë të veçantë në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Neni 10
Marrja e informacionit në rast të emergjencave të kërkim-shpëtimit
1. Emergjencat e kërkim-shpëtimit vijnë nga:
a) satelitët e sistemit COSPAS-SARSAT, që kapin sinjalet nga pajisjet sinjalizuese ELT/ELT-DT (transmetimi i vendndodhjes së emergjencës, gjurmim i sinjalit të rrezikut për avionët), EPIRB (fener radio për sinjalizimin e pozicionit në rast emergjence për mjetet detare) dhe PLB (pajisje personale për sinjalin e pozicionit në rast emergjence për individ);
b) Albcontrol-i;
c) Qendra e Kontroll-Raportimit e Komandës së Forcës Ajrore;
ç) Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare;
d) Komanda e Forcës Detare;
dh) thirrjet direkte nga anijet, avionët ose individët në rrezik përmes sistemit global të sinjalizimit të rrezikut dhe të sigurisë detare (GMDSS), radiostacioneve me frekuencë shumë të lartë dhe me frekuencë të lartë ose telefonisë satelitore;
e) struktura të tjera shtetërore.
2. Pas pranimit të sinjalit të alarmit, QKKSH-ja verifikon vërtetësinë e tij, lokalizon aksidentin dhe fillon analizën e rrethanave për të vendosur llojin e përgjigjes që duhet të jepet.
3. QKKSH-ja është pika e kontaktit për emergjencat e kërkim-shpëtimit, e cila funksionon pa ndërprerje 24 (njëzet e katër) orë në 7 (shtatë) ditë të javës.
Neni 11
Marrëdhëniet e bashkëpunimit
1. Në varësi të informacionit të marrë dhe llojit të aksidentit të ndodhur, QKKSH-ja koordinon bashkëpunimin me strukturat dhe njësitë, të cilat kanë deklaruar kapacitete operacionale kërkim-shpëtimi në Planin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit në Republikën e Shqipërisë.
2. Pas verifikimit të sinjalit të alarmit të emergjencës ajrore apo detare, QKKSH-ja merr masat për koordinimin e veprimeve, në varësi të sinjalit të marrë, me:
a) njësitë/ekuipazhet e Forcës Ajrore apo të Forcës Detare;
b) Policinë e Shtetit;
c) Urgjencën Kombëtare Mjekësore;
ç) Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin;
d) struktura të tjera të përcaktuara në Planin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit në Republikën e Shqipërisë.
3. QKKSH-ja mbikëqyr zhvillimin e operacionit dhe rregullon strategjinë bazuar në informacionet e reja.
4. QKKSH-ja bashkëpunon me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për shfrytëzimin e kapaciteteve të deklaruara në Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe për shkëmbimin e informacionit në rastet e emergjencave civile dhe SAR.
Neni 12
Koordinimi dhe bashkëpunimi me strukturat rajonale e ndërkombëtare
1. QKKSH-ja merr pjesë në takimet e në aktivitetet stërvitore, trajnuese dhe promovuese me vendet, me të cilat janë nënshkruar marrëveshjet në fushën e kërkim-shpëtimit.
2. Në rastin e një aksidenti ajror në ujërat e brendshme afër kufijve ose në ujërat ndërkombëtare, QKKSH-ja kontakton qendrat e koordinimit të kërkim-shpëtimit të vendeve fqinje për koordinimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit, në zbatim të konventave ndërkombëtare dhe të marrëveshjeve të nënshkruara.
Neni 13
Bashkëpunimi me koordinatorët kombëtarë të ajrit dhe të detit
1. QKKSH-ja koordinon në nivel kombëtar operacionet e kërkim-shpëtimit në hapësirën tokësore, detare dhe në ujërat e brendshme të Republikës së Shqipërisë.
2. QKKSH-ja e ushtron aktivitetin e saj operacional nëpërmjet:
a) Qendrës Ajrore të Kërkim-Shpëtimit, e cila kryen edhe rolin e Qendrës Ajrore të Koordinimit të Shpëtimit;
b) Qendrës Detare të Kërkim-Shpëtimit, e cila kryen dhe rolin e Qendrës Detare të Koordinimit të Shpëtimit;
c) institucioneve/strukturave të tjera të parashikuara në Planin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit.
3. QKKSH-ja e operon sistemin e kërkim-shpëtimit nëpërmjet strukturave të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 2, të këtij neni.
Neni 14
Kompetencat e Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit
QKKSH-ja, përveç sa parashikohet në ligj, ka dhe kompetencat e mëposhtme:
a) Zbaton Planin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit në Republikën e Shqipërisë;
b) Bashkëpunon me vendet fqinje për incidentet që ndodhin pranë ose në vijën kufitare;
c) Zbaton marrëveshjet e nënshkruara me institucionet shtetërore, subjektet private dhe strukturat rajonale në fushën e kërkim-shpëtimit;
ç) Vlerëson aktivitetin e shërbimit të kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë dhe përcakton përparësitë e ndërhyrjeve në rastet e operacioneve të shpëtimit të jetës njerëzore;
d) Mban kontakte të drejtpërdrejta dhe bashkëpunon me qendrat rajonale të kërkim-shpëtimit të vendeve fqinje, sipas konventave ndërkombëtare e rajonale të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë dhe legjislacionit kombëtar në fushën e kërkim-shpëtimit;
dh) Koordinon e bashkërendon veprimet me institucionet shtetërore dhe subjektet private, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi në fushën e kërkim-shpëtimit;
e) Aktivizon, sipas fushës së përgjegjësisë, koordinatorët dhe njësitë/ekuipazhet kombëtare SAR për ndërhyrje, kryerje të operacioneve të kërkim-shpëtimit në tokë, në det dhe në ujërat e brendshme;
ë) Vendos në dispozicion të strukturave kombëtare reaguese të gjitha asetet e nevojshme për realizimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit;
f) Përgatit plane, udhëzime, procedura standarde operacionale për marrjen, shkëmbimin, vlerësimin e informacionit, angazhimin në operacion, si dhe modulet e trajnimit për kapacitetet kombëtare të deklaruara për kërkim-shpëtim;
g) Planifikon kërkesat për mjete, materiale, pajisje kërkim-shpëtimi dhe nevojat për përdorimin sa më racional të burimeve e mjeteve të deklaruara në interes të realizimit të operacioneve të kërkim-shpëtimit;
gj) Kontrollon zbatimin e planit operacional kombëtar për operacionet e kërkim-shpëtimit, në rast incidenti ajror e detar;
h) Merr pjesë në grupin ndërinstitucional të punës për përgatitjen e Planit Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit në Republikën e Shqipërisë;
i) Menaxhon informacionin e prodhuar nga Qendra Ajrore e Kërkim-Shpëtimit dhe Qendra Detare e Kërkim-Shpëtimit;
j) Siguron mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit të nevojshëm për koordinimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit dhe informimin sipas linjës së komandim-kontrollit dhe strukturave të tjera përkatëse.
Neni 15
Kompetencat e Koordinatorit Kombëtar për Kërkim-Shpëtimin
1. Koordinatori Kombëtar për Kërkim-Shpëtimin në Republikën e Shqipërisë është shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
2. Koordinatori Kombëtar për Kërkim-Shpëtimin, përveç sa parashikohet në ligj, ka dhe përgjegjësitë, si më poshtë:
a) Drejton Komitetin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit;
b) Siguron përdorimin e kapaciteteve ajrore, detare dhe tokësore në operacionet e kërkim-shpëtimit;
c) Raporton, të paktën një herë në vit dhe sa herë që i kërkohet, te ministri i Mbrojtjes për zbatimin e Planit Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit në Republikën e Shqipërisë;
ç) Koordinon me institucionet shtetërore, institucionet ndërkombëtare për sigurimin e një reagimi të shpejtë dhe efikas, në rast aksidentesh ajrore dhe detare.
Neni 16
Dispozita të fundit
1. Vendimi nr.742, datë 16.10.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit”, shfuqizohet.
2. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit dhe Koordinatori Kombëtar për Kërkim-Shpëtimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RRUGËT PARALELE NE HEKURUDHËN NGA KTHESA E KAMZËS DERI TEK STACIONI HEKURUDHOR NË KASHAR – LOTI I”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rrugët paralele me hekurudhën nga kthesa e Kamzës deri tek stacioni hekurudhor në Kashar – loti I”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 634 311 (një milion e gjashtëqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e njëmbëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 1 634 311 (një milion e gjashtëqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e njëmbëdhjetë) lekësh përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Rurale 2, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Rurale 2, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I TUNELIT TË LLOGARASË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “kullotë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 791 165.6 (një milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e një mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 791 165.6 (një milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e një mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë gjashtë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar e të dërguar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I TERRENEVE SPORTIVE DHE MURI RRETHUES PËR SHKOLLËN “MUSTAFA GREBLLESHI” DHE “SANDËR PROSI””, BASHKIA TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i terreneve sportive dhe muri rrethues për shkollën “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi””, Bashkia Tiranë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 62 092 322.50 (gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëdhjetë e dy mijë e treqind e njëzet e dy pikë pesëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 62 092 322.50 (gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëdhjetë e dy mijë e treqind e njëzet e dy pikë pesëdhjetë) lekësh, përballohet nga Bashkia Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
8. Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim për çdo pasuri, objekt shpronësimi, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, të konfirmuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse, që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi, si dhe në rast se prona është në proces gjyqësor, masa e shpërblimit ose e kompensimit do të vendoset në dispozicion të personit, që rezulton nga vendimi i formës së prerë të gjykatës.
9. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
10. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
13. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
FORMËN, MËNYRËN DHE PROCEDURËN E RAPORTIMIT TË TË DHËNAVE TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim përcakton formën, mënyrën dhe procedurën e raportimit, që duhet të zbatohet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, sipas përcaktimeve në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.
2. Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e përkufizuar në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.
3. Për qëllim dhe zbatim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Raport i aktivitetit të dyshimtë” (RAD), formulari që subjekti raportues, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, raporton tek autoriteti përgjegjës, Agjencia e Inteligjencës Financiare, për çdo dyshim, informacion ose të dhëna për pastrim parash apo financim terrorizmi, për veprimtarinë nën juridiksionin e saj, sipas aneksit I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) “Raport i transaksionit të vlerave” (RTV), formulari që subjekti raportues, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, detyrohet ta plotësojë dhe ta raportojë, brenda 72 (shtatëdhjetë e dy) orëve, regjistrimin e kontratës së tjetërsimit të pronës, me një vlerë të barabartë ose më të madhe se 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, sipas aneksit II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Agjencia Shtetërore e Kadastrës raporton tek autoriteti përgjegjës, Agjencia e Inteligjencës Financiare, brenda 72 (shtatëdhjetë e dy) orëve, regjistrimin e kontratës së tjetërsimit të pronës, me një vlerë të barabartë ose më të madhe se 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, sipas formularit RTV.
5. Agjencia Shtetërore e Kadastrës raporton menjëherë dhe jo më vonë se 72 (shtatëdhjetë e dy) orë pranë autoritetit përgjegjës, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, çdo dyshim, informacion ose të dhëna për pastrim parash apo financim terrorizmi për veprimtaritë nën juridiksionin e vet, sipas formularit RAD.
6. Raportimet, sipas kërkesave të formularëve RTV dhe RAD, kryhen në rrugë elektronike, sipas formateve të përcaktuara në këtë vendim.
7. Në zbatim të këtij vendimi, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës:
a) cakton në drejtorinë e përgjithshme një person që të shërbejë si person kontakti për autoritetin përgjegjës, Agjencinë e Inteligjencës Financiare;
b) cakton një person përgjegjës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, në nivel administrimi ose drejtimi në drejtorinë e përgjithshme dhe në çdo drejtori vendore të saj, ku të gjithë punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës raportojnë çdo fakt, që mund të përbëjë dyshim për pastrim parash apo financim terrorizmi;
c) organizon procesin e monitorimit dhe siguron kryerjen e detyrave të përcaktuara nga ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
ç) ngarkon kontrollin e brendshëm për të monitoruar zbatimin e detyrimeve
ligjore nga personat përgjegjës të caktuar për raportimin, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi dhe të këtij vendimi;
d) merr masa administrative dhe bashkëpunon me autoritetin përgjegjës, Agjencinë e Inteligjencës Financiare, për përgatitjen dhe organizimin e trajnimeve periodike të personave përgjegjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe tipologjitë përkatëse, që lidhen me këto fusha.
8. Personi përgjegjës ka këto kompetenca dhe detyra:
a) Analizon çdo të dhënë apo informacion, që është njoftuar si i dyshimtë, apo ka konstatuar nëpërmjet punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në funksion të dërgimit të RAD-it në Agjencinë e Inteligjencës Financiare;
b) Merr çdo informacion të nevojshëm për të përmbushur funksionet, në përputhje me ligjin dhe këtë vendim;
c) Dërgon RAD-in në Agjencinë e Inteligjencës Financiare, nëse informacioni vlerësohet si i dyshimtë;
ç) Ruan konfidencialitetin në aktivitetin e kryer, në përmbushje të ligjit dhe të këtij vendimi;
d) Personi përgjegjës merr masa për zbatimin e masave parandaluese të përcaktuara në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar;
dh) Përgatit raport me shkrim, të paktën 1 (një) herë në vit, për procesin e monitorimit, në të cilin përfshin edhe numrin e raporteve të aktivitetit të dyshimtë të identifikuara dhe ia dorëzon atë drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
9. Personit përgjegjës dhe çdo punonjësi të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës i ndalohet të informojnë personin ose çdo person tjetër për dërgimin apo përgatitjen për dërgim të informacionit për autoritetin përgjegjës, Agjencinë e Inteligjencës Financiare, për raportimin e aktivitetit të dyshimtë, si dhe për çdo informacion që kërkohet nga autoriteti përgjegjës apo për hetimet që janë duke u kryer.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës i kthen përgjigje kërkesave të autoritetit përgjegjës, jo më vonë se brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës për informacion.
11. Kur autoriteti përgjegjës, Agjencia e Inteligjencës Financiare, ka bllokuar ose përgatitet të bllokojë një transaksion për 72 (shtatëdhjetë e dy) orë, sipas dispozitave të ligjit, apo në rastet urgjente kur ka arsye të bazuar për pastrim parash apo financim terrorizmi dhe ka nevojë urgjente për informacion nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, autoriteti përgjegjës i drejtohet zyrtarisht në formë të shkruar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Gjithashtu, kjo kërkesë brenda ditës së punës duhet të përcillet edhe në rrugë digjitale on-line, në përputhje me parashikimet e vendimit nr.389, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës dhe të tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës i vë në dispozicion autoritetit përgjegjës informacionin apo dokumentacionin e kërkuar, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga paraqitja e kërkesës, apo nëpërmjet këqyrjes së informacionit në ambientet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga personat e autorizuar të autoritetit përgjegjës.
12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në zbatim të shkronjës “b”, të nenit 22, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, dhe të pikës 6, të nenit 28, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, i ofron akses të drejtpërdrejtë në bazën e të dhënave autoritetit përgjegjës, Agjencisë së Inteligjencës Financiare. Kërkesat për shërbime kadastrale (kërkesë për informacion dhe dokumentacion) ofrohen pas paraqitjes së kërkesës në rrugë digjitale on-line, në përputhje me parashikimet e nenit 63, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, duke iu nënshtruar procedurave të parashikuara në vendimin nr.389, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës dhe të tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar.
13. Ky vendim, së bashku me anekset I, II dhe instruksionet përkatëse, janë të vetmet standarde të pranueshme për raportim tek autoriteti përgjegjës.
14. Udhëzimi nr.1, datë 1.4.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për formën, mënyrat e procedurat e raportimit të të dhënave të subjekteve, Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në kuadrin e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, shfuqizohet.
15. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU