Shoqëria shtetërore KAYO funksionon si kompani “holding”: bashkëprodhon me kompani private të specializuara në industrinë e mbrojtjes

Në lidhje me deklaratat që e shohin me dritëhije funksionimin e kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO, pasi është duke bashkëpunuar me partnerë privatë, qeveria shqiptare sqaron opinionin publik se shoqëria KAYO, që është 100% pronë e Ministrisë së Mbrojtjes, është konceptuar që në fillim jo si shoqëri drejtpërdrejtë prodhuese, por si një kompani “holding”, pra që bashkëprodhon me kapitale me partnerë privatë që njohin industrinë dhe kanë kapitale për të investuar në industrinë e mbrojtjes.

Ky nuk është një model që është shpikur në Shqipëri, por ndërkombëtar, që funksionon në shumë vende të tjera, me qëllim që të angazhojë kapitale private dhe jo shtetërore për ngritjen e industrisë ushtarake.

Kjo është një praktikë e cila siguron transparencë, pasi ka vende europiane ku prodhuesi dhe rregulluesi janë në të njëjtin institucion, ndërkohë rasti i Shqipërisë është i kundërti. Kompania shtetërore KAYO është më vete dhe kontrollori i saj, licencuesi i saj është më vete.

Qeveria sqaron se kompanitë private me të cilat KAYO bashkëpunon, janë të specializuara në fushën e prodhimit të municioneve. Ndër to, kompania Timak Defence ka bashkëpunuar me KAYO-n për prodhimin e autoblindave ushtarakë duke prodhuar prototipin e parë ushtarak “Shotën”, linjë prodhimi për të cilën Kosova dhe Kroacia kanë shprehur interesin që të shtohet. Kjo kompani ka një angazhim jo më pak se 15 milionë euro.

Ndërsa shoqëria M.K.D ka një angazhim prej 60 milionë euro, linjat e prodhimit të saj janë të fjalës së fundit, me teknologji të BE-së dhe me certifikata europiane.

Përfitimet e Shqipërisë nga bashkëpunimi me kompanitë private janë mbi 1 mijë vende pune për qytetarët dhe fitime deri në 400 milionë euro, ndërkohë që angazhimi i buxhetit të shtetit për shoqërinë KAYO është 3 milionë euro në total.

Ushtria shqiptare është tashmë në një proces të shpejtë modernizimi dhe përmes KAYO-s, Republika e Shqipërisë po krijon mundësinë që të prodhojë këtu në vend dhe jo të jetë më e varur nga importet.