Në QSUNT nuk mungon asnjë medikament

Në përgjigje të akuzave se ka mungesë barnash në Spitalin Onkologjik, qeveria shqiptare sqaron opinionin publik se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk mungon asnjë medikament dhe se nuk ka pasur asnjë rritje të barnave gjatë vitit 2026. Buxheti për barnat për vitin 2026 arrin në 19.5 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme për barnat onkologjike, ndërkohë që janë shënuar edhe raste të ulje të çmimit të barnave, si rezultat i një metodologjie të përmirësuar, e cila bazohet në standardet europiane dhe në zbatimin rigoroz të legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, në lidhje me deklaratat se pas datës 20 të çdo muaji pacientët në spitale përballen me mungesë të shërbimit të analizave nga ana e koncensionarit, qeveria qartëson se shërbimi për qytetarët nuk ndërpritet për asnjë moment. Kontrata parashikon një planifikim mujor të volumit dhe buxhetit të analizave për çdo spital. Në momentin kur arrihet rreth 75% e këtij vëllimi, koncesionari njofton strukturat drejtuese përkatëse si një mekanizëm monitorimi dhe menaxhimi të përdorimit të shërbimit. Në këtë fazë shërbimi vijon normalisht, por prioriteti i jepet analizave urgjente dhe atyre të domosdoshme për vendimmarrje klinike. Në asnjë rast nuk cenohet ekzaminimi, diagnostikimi apo trajtimi i pacientit.