Nisma “Paketa e Maleve” nuk e prek pronën private

Në përgjigje të deklaratave se “Paketa e Maleve” është një nismë për investitorët e mëdhenj dhe të pasurit, qeveria shqiptare qartëson se “Paketa e Maleve” nuk ka lidhje me këto kategori dhe nuk prek në asnjë rast pronën private.

Qeveria sqaron se “Paketa e Maleve” është një nismë e ndërtuar për t’i dhënë një drejtim të ri zhvillimit të zonave rurale dhe për të kthyer potencialin e pashfrytëzuar në ekonomi reale për komunitetet. Ajo zbatohet vetëm mbi prona që figurojnë të regjistruara në shtet dhe nuk prek në asnjë rast pronën private. Ligji përcakton qartë rastet e përfitimit, përfshirë edhe lidhjen e vazhdueshme ndër breza me tokën dhe përdorimin e saj ndër vite.

Roli i bashkive dhe i komunitetit është thelbësor. Janë bashkitë që përcaktojnë zonat prioritare të zhvillimit dhe procesi zhvillohet me transparencë dhe përfshirje lokale. Në çdo rast ku ka kontestime apo pretendime mbi pronësinë, procedura pezullohet.

“Paketa e Maleve” është një nismë zhvillimi, për të kthyer tokat në investim, për të nxitur agroturizmin, për të krijuar vende pune dhe për të sjellë më shumë ekonomi e jetë në territor.

Qëllimi është i qartë: t’u japim mundësi njerëzve të zhvillojnë potencialin e zonave të tyre dhe të ndërtojnë një të ardhme më të qëndrueshme aty ku kanë rrënjët.

Deklaratat që e paraqesin këtë nismë si diçka tjetër nuk i shërbejnë as së vërtetës dhe as zhvillimit që këto zona kanë nevojë.