Ratifikohet marrëveshja Shqipëri-Poloni për sigurimet shoqërore
Këshilli i Ministrave ka ratifikuar marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore, duke garantuar njohjen e ndërsjellë të periudhave të punës dhe përfitimeve për shtetasit që jetojnë dhe punojnë në të dy vendet.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se marrëveshja e propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit është pjesë e një serie iniciativash të qeverisë për mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit. Ajo përbën marrëveshjen e 21-të të këtij lloji dhe të 10-ën me vendet e Bashkimit Evropian, duke forcuar më tej kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë fushë.
Zbatimi i saj u krijon mundësi shtetasve shqiptarë që punojnë në Poloni, si dhe atyre polakë në Shqipëri, të përfitojnë nga bashkimi i periudhave kontributive për efekt pensioni dhe përfitime të tjera, duke shmangur humbjen e të drejtave të fituara.
Qeveria shqiptare ka konfirmuar angazhimin për të vijuar zgjerimin e këtij rrjeti marrëveshjesh me vende të tjera ku ka prani të diasporës shqiptare, me synim garantimin e mbrojtjes sociale dhe lehtësimin e lëvizjes së punonjësve.