Nënshkruhet marrëveshja KAYO-Fincantieri për prodhimin e anijeve ushtarake, Ministri Nufi: 400 vende pune në kantierin e Pashalimanit

Shqipëria do të nisë prodhimin e anijeve lundruese në kantierin e Pashalimanit, në funksion të Forcave të Armatosura dhe të vendeve aleate, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes shoqërisë shqiptare KAYO dhe kompanisë italiane Fincantieri. Projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe zhvillimin e industrisë ushtarake në vend.

Marrëveshja parashikon krijimin e një baze prodhimi në Shqipëri për anije të vogla dhe të mesme, duke e pozicionuar vendin si një qendër të re evropiane për këtë segment të industrisë detare. Prodhimi do të shërbejë si për nevojat e brendshme, ashtu edhe për eksport, kryesisht për klientë ndërkombëtarë të kompanisë italiane.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vlerësoi se bashkëpunimi sjell përfitime strategjike për vendin, duke rritur kapacitetet industriale dhe duke forcuar pozicionin e Shqipërisë në zinxhirin ndërkombëtar të prodhimit ushtarak. Sipas tij, projekti do të kontribuojë edhe në zhvillimin e burimeve njerëzore dhe transferimin e teknologjisë së avancuar.

Në kuadër të planit të biznesit, pritet që në kantierin e ri të punësohen rreth 400 persona, ndërsa investimi synon të krijojë një industri moderne me fokus në teknologjitë e fundit dhe standardet ndërkombëtare të prodhimit.

Bashkëpunimi me Fincantieri, një nga kompanitë më të mëdha globale në ndërtimin e anijeve, konsiderohet gjithashtu një tregues i forcimit të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe një hap konkret drejt integrimit në rrjetet industriale evropiane.