Konferenca Rajonale për Klimën në Tiranë, Koçiu dhe Jaupaj: Ndryshimet klimatike kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe bashkëpunim rajonal

Në Tiranë po zhvillohet Konferenca Rajonale për Klimën “Të Bashkuar për Klimën”, e cila mbledh rreth 200 përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, institucione ndërkombëtare, partnerë zhvillimi dhe ekspertë të mjedisit. Aktiviteti fokusohet në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe kthimin e politikave klimatike në veprime konkrete dhe investime, si një hap drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme.

Në sesionin e hapjes, Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu theksoi se ndryshimet klimatike përbëjnë një sfidë që nuk njeh kufij dhe kërkon përgjigje të përbashkëta. Ajo nënvizoi se fenomenet si përmbytjet, zjarret dhe thatësirat po ndikojnë drejtpërdrejt në rajon, duke sjellë kosto ekonomike të konsiderueshme, të vlerësuara mesatarisht në 1-1.5% të PBB-së çdo vit për Ballkanin Perëndimor.

Koçiu vuri në dukje se rruga drejt integrimit në Bashkimin Evropian është e lidhur ngushtë me përballimin e krizës klimatike, duke theksuar rëndësinë e ndarjes së burimeve, të dhënave dhe përgjegjësive ndërmjet vendeve. Sipas saj, rajoni ka bërë progres në hartimin e strategjive, ndërsa sfida kryesore mbetet zbatimi i tyre në praktikë.

Ajo identifikoi tre shtylla kryesore për përballimin e krizës klimatike: financimin, të dhënat dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Në këtë kuadër, u theksua se investimet për klimën nuk janë çështje bamirësie, por investim në sigurinë e përbashkët. Ndërkohë, modernizimi i sistemeve hidrometeorologjike dhe ndërtimi i kuadrit për shërbimet klimatike konsiderohen thelbësore për rritjen e qëndrueshmërisë.

Nga ana e tij, Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, në një videomesazh drejtuar pjesëmarrësve dhe në panelin “Të bashkuar për klimën – Veprim për përshtatjen dhe bashkëpunim rajonal”, deklaroi se ndryshimet klimatike janë tashmë një realitet që po ndikon drejtpërdrejt ekonomitë, infrastrukturën dhe komunitetet. Ai nënvizoi nevojën për përshpejtimin e veprimeve konkrete, forcimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe lidhjen më të mirë të të dhënave klimatike me politikat dhe investimet.

Jaupaj theksoi gjithashtu rëndësinë e përputhjes me Agjendën e Gjelbër të Bashkimit Evropian dhe procesin e integrimit, duke vënë në dukje se bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor për përballimin e rreziqeve të përbashkëta klimatike.

Konferenca zhvillohet në një moment kur vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me rritje të rreziqeve klimatike, përfshirë përmbytje të përsëritura, thatësira, valë të të nxehtit dhe zjarre, të cilat kanë shkaktuar dëme në ekonomi, bujqësi dhe infrastrukturë.

Takimi dyditor në Tiranë shërben si platformë për koordinimin e veprimeve ndërmjet vendeve të rajonit, në përputhje me angazhimet e Procesit të Berlinit dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë dhe mbrojtjen e mjedisit në afatgjatë.