Tirana mirëpret Sesionin Hapës të Kongresit Botëror të Ligjit, Ministri Gogu: Shqipëria zgjodhi reformën edhe kur dukej e pamundur
Në Tiranë u mbajt ceremonia e Sesionit Hapës të Kongresit Botëror të Ligjit, një aktivitet që paraprin organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit 2027 në Shqipëri dhe që do të mbledhë në vend personalitete të rëndësishme të drejtësisë ndërkombëtare. Në ceremoni morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Drejtësisë i Francës, Gérald Darmanin, Presidenti i Fondacionit Botëror të Ligjit, Javier Cremades, si dhe përfaqësues institucionesh dhe juristë nga vende të ndryshme. Në fjalën hapëse, Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e cilësoi reformën shqiptare në drejtësi si pjesë të një debati global mbi sundimin e ligjit, demokracinë dhe besimin tek institucionet.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se sfida e demokracive moderne nuk lidhet vetëm me ndërtimin e institucioneve, por edhe me ruajtjen e besimit të qytetarëve te to. “Sundimi i ligjit nuk ndërtohet njëherë e përgjithmonë”, u shpreh ai, duke nënvizuar se drejtësia kërkon institucione që korrigjojnë vetveten, shoqëri që nuk heqin dorë nga kërkesa për drejtësi dhe vullnet politik për të reformuar edhe në momente të vështira.
Gogu u ndal te reforma kushtetuese në drejtësi e vitit 2016, të cilën e cilësoi si një nga transformimet më të thella institucionale të ndërmarra në vend. Sipas tij, reforma nuk ishte një ndërhyrje teknike, por një zgjedhje për të ndryshuar marrëdhënien mes pushtetit dhe ligjit, duke kaluar drejt një sistemi që vetëqeveriset përmes institucioneve të pavarura.
Ministri theksoi se procesi i reformës u ndërtua mbi ekspertizë shqiptare dhe ndërkombëtare, në bashkëpunim me institucionet evropiane dhe nën shqyrtimin e Komisionit të Venecias. Ai kujtoi se miratimi unanim i reformës nga Kuvendi i Shqipërisë përbënte një moment të rrallë konsensusi politik për drejtësinë.
Duke e vendosur zhvillimin shqiptar në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar, ai u ndal edhe te sfidat globale të demokracive moderne. Sipas tij, në vitet e fundit treguesit e sundimit të ligjit kanë mbetur në vend ose janë përkeqësuar në më shumë se gjysmën e vendeve të botës, ndërsa besimi tek institucionet po vihet gjithnjë e më shumë në provë.
Në këtë panoramë, ministri theksoi se Shqipëria përfaqëson vendosmërinë për të reformuar veten, edhe kur reforma ka kosto, kërkon kohë dhe përballet me skepticizëm publik. Ai vlerësoi debatin publik mbi reformën si pjesë të domosdoshme të procesit demokratik, duke theksuar se drejtësia ndërtohet në sytë e publikut dhe përmes besimit të qytetarëve.
Sesioni hapës shënon nisjen e aktiviteteve në kuadër të Kongresit Botëror të Ligjit 2027, i cili do të zhvillohet në Tiranë, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të diskutimeve ndërkombëtare mbi sundimin e ligjit dhe demokracinë.