Financim nga Banka Evropiane e Investimeve për bizneset, Ibrahimaj: Shqipëria drejt integrimit evropian me ekonomi më konkurruese

Një linjë e re financimi prej 20 milionë eurosh për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shqiptare u firmos ndërmjet Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, me synim mbështetjen e investimeve në inovacion, digjitalizim, teknologji dhe tranzicion të gjelbër. Në aktivitet morën pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.

Sipas ministres Ibrahimaj, marrëveshja përfaqëson një instrument të rëndësishëm financiar për të mbështetur modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve, në funksion edhe të procesit të integrimit evropian. Ajo theksoi se Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor ku prezantohet ky instrument financimi, duke e cilësuar këtë si tregues të besimit të partnerëve evropianë ndaj zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministrja bëri të ditur se financimi do të mbështesë investime në tranzicionin e gjelbër dhe digjital, automatizimin industrial, inteligjencën artificiale, sistemet cloud, logjistikën inteligjente, energjinë e rinovueshme dhe eficiencën energjetike. Një element i instrumentit është edhe mekanizmi “cashback”, përmes të cilit bizneset do të mund të përfitojnë kthim të 10% të investimeve të realizuara në inovacion, digjitalizim dhe transformim të gjelbër, pas zbatimit të suksesshëm të projekteve.

Duke folur për zhvillimin ekonomik të vendit, Ibrahimaj nënvizoi se ekonomia shqiptare ka kaluar një transformim të rëndësishëm në dekadën e fundit, duke u bërë më e formalizuar, më transparente dhe më konkurruese. Sipas saj, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur nga 13 miliardë në mbi 27 miliardë euro, ndërsa rreth 70% e eksporteve shqiptare orientohen drejt tregut evropian.

Ajo theksoi gjithashtu se vendi ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe ka përmirësuar financat publike, ndërsa ekonomia vijon të rritet me ritme nga 3.5% në 4%. Sipas ministres, transformimi i bizneseve shqiptare po mbështetet gjithnjë e më shumë te përdorimi i teknologjisë, ku 99.4% e ndërmarrjeve përdorin internetin dhe mjetet digjitale në aktivitetin e tyre.

Në fokus të fjalës së saj ishte edhe avancimi i digjitalizimit të shërbimeve publike, ku mbi 95% e tyre ofrohen online, me rreth 1200 shërbime të aksesueshme në mënyrë digjitale, duke reduktuar kostot administrative dhe burokracinë për qytetarët dhe bizneset.

Ministrja Ibrahimaj e cilësoi integrimin evropian si një mundësi dhe njëkohësisht sfidë për ekonominë shqiptare, duke theksuar nevojën për investime të mëtejshme në produktivitet, teknologji dhe inovacion, me qëllim rritjen e aftësisë konkurruese të bizneseve shqiptare në tregun e përbashkët evropian.