Pullat fiskale me elemente të reja sigurie dhe barkod, Malaj: Përafrohen me standardet e BE-së
Pullat fiskale në Shqipëri do të pajisen me elemente të reja sigurie dhe teknologji gjurmimi, me synim uljen e falsifikimit, rritjen e transparencës dhe forcimin e standardeve të sigurisë ushqimore. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas ministrit, pullat e reja fiskale do të kenë dy elemente shtesë sigurie, të cilat synojnë të forcojnë mbrojtjen e sistemit fiskal dhe të reduktojnë mundësitë për falsifikim. Gjithashtu, në to do të integrohet teknologji gjurmimi, që do t’u mundësojë autoriteteve ndjekjen e produktit përgjatë gjithë zinxhirit, nga prodhuesi deri te konsumatori.
Një tjetër risi është vendosja e barkodit në pullat fiskale, i cili do t’u japë mundësi konsumatorëve të aksesojnë informacion mbi produktet e akcizës përmes skanimit. Qytetarët do të mund të verifikojnë të dhëna si prodhuesi, importuesi dhe data e hyrjes së produktit në vend, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e sigurisë ushqimore.
Prej një viti pullat fiskale prodhohen nga kompania shtetërore Albtrace sh.a., me një kosto rreth 20% më të ulët krahasuar me operatorin e mëparshëm.
Ministri Malaj theksoi se këto zhvillime janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe mbështesin përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore në vend.