Punonjësja e biletarisë nuk ka penguar qytetarët të hyjnë në Kalanë e Gjirokastrës

Në lidhje me lajmin e publikuar në rrjetet sociale ku pretendohet se punonjësja e biletarisë në Kalanë e Gjirokastrës nuk ka lejuar qytetarët të hyjnë, qeveria sqaron opinionin publik se, bazuar në verifikimin e pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë dhe raportimin e administratës së monumentit, pretendimet e publikuara nuk pasqyrojnë të vërtetën e ngjarjes.

Qeveria shqiptare qartëson se qytetarët nuk janë përballur me asnjë arrogancë dhe pengesa për të hyrë në kala dhe se pretendimi që punonjësja e biletarisë e ka kthyer kalanë në pronë private është i pavërtetë.

Kamerat e sigurisë dëshmojnë se qytetari në fjalë ka shmangur radhën e vizitorëve dhe ka hyrë në ambientet e kalasë nga zona e daljes, pa kryer pagesën e biletës, i ndjekur menjëherë edhe nga shoqëruesja e tij.

Punonjësja e Kalasë së Gjirokastrës i ka kërkuar qytetarit të respektojë procedurën e rregullt të hyrjes dhe të kryejë pagesën sipas rregullave në fuqi për të gjithë vizitorët, vendas apo të huaj.

Sipas raportimit të stafit prezent dhe asaj që evidentohet në pamjet filmike, qytetari ka refuzuar të zbatojë kërkesën dhe më pas ka nxjerrë telefonin celular duke filmuar punonjësen, ndërsa komunikimi ka vijuar me tone intimidimi, fyese dhe kërcënuese ndaj saj.

Për shkak të situatës së krijuar është kërkuar ndërhyrja e rojeve të sigurisë, me qëllim menaxhimin e incidentit dhe rikthimin e normalitetit në shërbim.