Ministri Gogu: Faza e drejtësisë së prekshme për qytetarin, prioritet efikasiteti dhe aksesi në drejtësi
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi gjatë një konference për mediat se reforma në drejtësi ka hyrë në fazën e rezultateve konkrete për qytetarët, ndërsa Shqipëria shënon 10-vjetorin e nisjes së saj. Ministri theksoi se fokusi tashmë është forcimi i të drejtave të njeriut dhe garancive proceduriale, rritja e aksesit në drejtësi dhe përmirësimi i efikasitetit të sistemit gjyqësor.
Sipas tij, këto prioritete lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian dhe përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 23, që lidhet me gjyqësorin dhe të drejtat themelore.
Gogu bëri të ditur se gjatë 18 muajve të fundit, në kuadër të procesit të integrimit dhe raportit të vlerësimit për IBAR, janë koordinuar rreth 70 institucione dhe 190 ekspertë, ndërsa pranë Komisionit Evropian janë dorëzuar mbi 8 mijë faqe dokumentacion. Sipas tij, raporti ka kaluar tashmë nga grupet teknike në shqyrtim nga ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së.
Duke folur për rezultatet e reformës në drejtësi, ministri theksoi se besimi i qytetarëve te sistemi është rritur nga 26% në 53%, ndërsa perceptimi pozitiv për reformën është rritur nga 34% në 56%. Po ashtu, perceptimi negativ ka rënë nga 38% në 17%.
Sa i përket çështjeve të prapambetura, Gogu deklaroi se backlog-u gjyqësor mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit, megjithëse sipas tij ka nisur një trajektore ulëse. Aktualisht, numri i çështjeve të mbartura është mbi 137 mijë, ndërsa Gjykata e Lartë ka ulur stokun me 60% në pesë vitet e fundit dhe me 24% vetëm gjatë vitit të fundit.
Ministri nënvizoi se po ndërmerren masa për rritjen e kapaciteteve në sistemin gjyqësor, përmes shtimit të këshilltarëve ligjorë, përmirësimit të infrastrukturës dhe avancimit të projekteve, si godina e re e Gjykatës së Apelit Tiranë.
Në fokus të punës së Ministrisë së Drejtësisë mbeten gjithashtu rishikimi i Kodit të Procedurës Penale, modernizimi i Kodit Penal, zgjerimi i skemës së Ndihmës Juridike Falas dhe digjitalizimi i shërbimeve të noterisë dhe përmbarimit.
Forcimi i sigurisë në sistemin penitenciar mbetet një tjetër prioritet, ndërsa ministri Gogu bëri të ditur se gjatë muajve të fundit janë zhvilluar rreth 450 kontrolle dhe 74 inspektime sigurie në institucionet e vuajtjes së dënimit, me fokus disiplinën institucionale.