Ministri Salla: IPARD III në shqyrtim nga Komisioni Evropian, Skema Kombëtare 2026 zgjeron mbështetjen për fermerët
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi gjatë një interpelance në Kuvend se paketat për akreditimin e programit IPARD III janë dorëzuar në Ministrinë e Financave dhe ndodhen në proces shqyrtimi nga Komisioni Evropian që prej 30 prillit, me synim forcimin e standardeve të kontrollit, auditimit dhe integritetit në përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Sipas ministrit, IPARD III mbetet instrumenti kryesor për nxitjen e investimeve në bujqësi, agropërpunim dhe zhvillim rural, duke krijuar mundësi më të mëdha financimi për fermerët dhe sipërmarrjet e sektorit.
Skema kombëtare e mbështetjes për vitin 2026, aplikimet për të cilën nisin më 25 maj, është hartuar pas konsultimeve me fermerët në të gjithë vendin dhe synon përafrimin e instrumenteve të mbështetjes me modelet e Bashkimit Evropian. Ajo bazohet në dy komponentë kryesorë: grantet për investime dhe pagesat direkte për fermerët, me synim rritjen e prodhimit të qëndrueshëm, forcimin e standardeve dhe nxitjen e investimeve në sektor.
Ministri sqaroi se heqja e mbështetjes me naftë për punimet e mekanizuara nuk lidhet me mungesë vëmendjeje ndaj kostove të prodhimit, por me rikonceptimin e instrumenteve të mbështetjes. Në vend të fokusimit te një input i vetëm, skema e re synon të mbështesë më gjerësisht aktivitetin bujqësor, përmes pagesave për sipërfaqen e mbjellë, blegtorinë, investimet, mekanizimin, standardet, certifikimin dhe formalizimin e shitjes së produkteve.
Një nga risitë kryesore të skemës është nisja, për herë të parë, e pagesave për sipërfaqe të mbjellë, ku fermat me mbi 3 hektarë do të përfitojnë 10 mijë lekë për hektar për të gjitha kulturat bujqësore.
Skema parashikon gjithashtu mbështetje të shtuar për të rinjtë, blegtorinë dhe bletarinë, si dhe masa për rritjen e standardeve dhe konkurrueshmërisë së produkteve, përfshirë kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera, bujqësinë organike dhe certifikimin Global GAP.
Një fokus i veçantë do t’u jepet Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, të cilat do të përfitojnë nivelet maksimale të mbështetjes në të gjitha aktivitetet e skemës, me synim forcimin e organizimit të fermerëve dhe rritjen e pozitës së tyre në treg.
Përveç pagesave direkte, fermerët do të përfitojnë edhe një mbështetje shtesë prej 10% të vlerës së autofaturës për produktet bujqësore dhe blegtorale të shitura, një mekanizëm që synon të lidhet drejtpërdrejt me prodhimin e formalizuar dhe kompensimin e një pjese të kostove të inputeve.
Ministri Salla bëri të ditur se buxheti fillestar i Skemës Kombëtare për vitin 2026 është 5.2 miliardë lekë, me mundësi shtese gjatë vitit, ndërsa rreth 2.5 miliardë lekë do të dedikohen për grante investimesh në sera, stalla, pemëtari, vreshta, makineri, përpunim, akuakulturë dhe agroturizëm.
Në përmbyllje, ai theksoi se mbështetja për fermerët nuk është reduktuar, por është rikonceptuar për të qenë më e gjerë, më e lidhur me prodhimin real dhe më pranë standardeve të Bashkimit Evropian.