Skema Kombëtare në Bujqësi 2026, Ministri Salla: Mbi 5 mijë aplikime në ditën e parë, afati deri më 25 qershor
Kanë nisur këtë të hënë (25 maj) aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, ndërsa interesi i fermerëve ka qenë i lartë që në orët e para. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se mbi 5 mijë fermerë kanë aplikuar deri tani, ndërsa afati për aplikime do të mbetet i hapur deri më 25 qershor.
Gjatë një konference për mediat, ministri theksoi se Skema Kombëtare synon të rrisë mbështetjen për fermerët dhe të zgjerojë përfitimin, veçanërisht për fermat e vogla, përmes uljes së pragjeve minimale dhe aksesit në 12 masa mbështetëse. Ai nënvizoi se numri i aplikimeve vijon të rritet, duke reflektuar interesin e shtuar ndaj skemës.
Fondi total i Skemës Kombëtare për vitin 2026 arrin në 5.2 miliardë lekë dhe synon forcimin e prodhimit vendas, formalizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor, në funksion të përafrimit të instrumenteve të mbështetjes me modelet e Bashkimit Evropian.
Ministri Salla bëri të ditur gjithashtu se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po punon me 26 bashki për ngritjen e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), si një model organizimi që synon uljen e kostove, rritjen e fitimit dhe zgjerimin e aksesit të fermerëve në tregje dhe financime.
Sipas ministrit, aktualisht në këtë nismë janë përfshirë 334 fermerët e parë, ndërsa modeli do të zgjerohet edhe në bashki të tjera me potencial në prodhim, përpunim dhe tregtim bujqësor. Organizimi i fermerëve në SHBB, bazuar në modele të vendeve të Bashkimit Evropian, synon të ulë kostot e prodhimit me 25–30%, të reduktojë humbjet dhe të rrisë aksesin në fondet mbështetëse, përfshirë ato të Bashkimit Evropian.