Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 Maj 2026:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E UDHËRRËFYESIT PËR ARRITJEN E OBJEKTIVAVE TË ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM 2026-2030
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit të udhërrëfyesit për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2026-2030, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, ministritë e linjës dhe institucionet e tjera përgjegjëse, të përcaktuara në udhërrëfyes, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 3038, FSHATI POVELÇË, NJËSIA ADMINISTRATIVE DËRMENAS, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “FOS SOLAR”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën kadastrale 3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “FOS SOLAR”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “FOS SOLAR”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: M41713005G;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 40 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën kadastrale 3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “FOS SOLAR”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “FOS SOLAR”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “FOS SOLAR”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROJEKTEVE FITUESE TË FINANCUARA PËR VITIN 2026 NGA FONDI PËR PARANDALIMIN DHE MENAXHIMIN E FATKEQËSIVE NATYRORE, SI DHE TË AUTORITETIT KONTRAKTOR PËR ZBATIMIN E PROJEKTEVE, SIPAS NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 15, e të pikës 9, të aneksit 6, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së projekteve fituese të financuara për vitin 2026 nga fondi për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore, si dhe të autoritetit kontraktor për zbatimin e projekteve, sipas njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË GJIROKASTËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Gjirokastër të zonave, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, fshatrat Fushëbardhë dhe Zhulat, pjesë të njësisë administrative Cepo, Bashkia Gjirokastër, Qarku Gjirokastër, me sipërfaqe 1215 (një mijë e dyqind e pesëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
b) Zona nr.2, fshati Asim Zeneli, pjesë e njësisë administrative Antigonë, Bashkia Gjirokastër, Qarku Gjirokastër, me sipërfaqe 96.4 (nëntëdhjetë e gjashtë pikë katër) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
c) Zona nr.3, fshati Golem, pjesë e njësisë administrative Picar, Bashkia Gjirokastër, Qarku Gjirokastër, me sipërfaqe 10 (dhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ç) Zona nr.4, fshati Kolonjë, pjesë e njësisë administrative Picar, Bashkia Gjirokastër, Qarku Gjirokastër, me sipërfaqe 12 (dymbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
d) Zona nr.5, fshatrat Krinë dhe Tranoshisht, pjesë të njësisë administrative Antigonë, Bashkia Gjirokastër, Qarku Gjirokastër, me sipërfaqe 190 (njëqind e nëntëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
dh) Zona nr.6, fshati Erind, pjesë e njësisë administrative Lunxhëri, Bashkia Gjirokastër, Qarku Gjirokastër, me sipërfaqe 8.8 (tetë pikë tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
e) Zona nr.7, fshati Erind, pjesë e njësisë administrative Lunxhëri, Bashkia Gjirokastër, Qarku Gjirokastër, me sipërfaqe 36 (tridhjetë e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ë) Zona nr.8, fshatrat Nokovë dhe Mingul, pjesë të njësisë administrative Lunxhëri, Bashkia Gjirokastër, Qarku Gjirokastër, me sipërfaqe 4.5 (katër pikë pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
f) Zona nr.9, fshati Shtëpëz, pjesë e njësisë administrative Picar, Bashkia Gjirokastër, Qarku Gjirokastër, me sipërfaqe 7 (shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Gjirokastër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË FIER
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” të disa zonave në territorin e Bashkisë Fier, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, fshatrat Libofshë, Rreth Libofshë, Vanaj dhe Daullas, pjesë të njësisë administrative Libofshë, Bashkia Fier, Qarku Fier, me sipërfaqe 1 198 (një mijë e njëqind e nëntëdhjetë e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
b) Zona nr.2, fshatrat Cakran, Cakran i Ri, Vreshtas, Gorishovë, Gjonç, Buzmadh, Hambar, Floq, Varibop, Vjosë, Kreshpan dhe Gjorgos, pjesë të njësisë administrative Cakran, Bashkia Fier, Qarku Fier, me sipërfaqe 6 100 (gjashtë mijë e njëqind) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
c) Zona nr.3, fshatrat Radostinë dhe Kryegjatë, pjesë të njësisë administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier, me sipërfaqe 863 (tetëqind e gjashtëdhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ç) Zona nr.4, fshatrat Peshtan Bregas, Frakull e Madhe, Kafaraj dhe Frakull e Vogël, pjesë të njësisë administrative Frakull, Bashkia Fier, Qarku Fier, me sipërfaqe 2 181 (dy mijë e njëqind e tetëdhjetë e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
d) Zona nr.5, fshatrat Levan, Shtyllas, Peshtan i Madh dhe Peshtan i Vogël, pjesë të njësisë administrative Levan, Bashkia Fier, Qarku Fier, me sipërfaqe 2 547 (dy mijë e pesëqind e dyzet e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
dh)Zona nr.6, fshatrat Mbrostar dhe Petov, pjesë të njësisë administrative Mbrostar Ura, Bashkia Fier, Qarku Fier, me sipërfaqe 542 (pesëqind e dyzet e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
e) Zona nr.7, fshatrat Mbyet, Portëz, Plyk, Kraps, Lalar dhe Patos Fshat, pjesë të njësisë administrative Portëz, Bashkia Fier, Qarku Fier, me sipërfaqe 2 488 (dy mijë e katërqind e tetëdhjetë e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ë) Zona nr.8, fshatrat Zhupan dhe Vadhizë, pjesë të njësisë administrative Qendër, Bashkia Fier, Qarku Fier, me sipërfaqe 346 (treqind e dyzet e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MARRËDHËNIET E PUNËS, STRUKTURËN DHE KRITERET E PËRZGJEDHJES SË PUNONJËSVE TË NJËSISË PËRGJEGJËSE TË SINJALIZIMIT NË AUTORITETET PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 13, të nenit 14, të ligjit nr.96/2025, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Njësia përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve në autoritetet publike me mbi 50 (pesëdhjetë) të punësuar dhe në personat juridikë publikë, që ushtrojnë veprimtari në fushat e shërbimeve financiare, të produkteve dhe të tregjeve financiare, të sigurimeve e të fondeve të pensionit, të parandalimit të pastrimit të parave e të financimit të terrorizmit, si dhe në çdo fushë tjetër të parashikuar nga aktet e Bashkimit Evropian, që kërkojnë ngritjen e kanaleve të brendshme të raportimit, përbëhet nga 2 (dy) punonjës.
2. Njësia përgjegjëse në autoritetet publike përbëhet nga drejtuesi i njësisë së auditimit të brendshëm dhe 1 (një) punonjës i saj. Në mungesë të drejtuesit, kjo njësi përbëhet nga 2 (dy) punonjës të njësisë së auditimit të brendshëm.
3. Në ato raste kur autoriteti publik nuk ka në strukturën e tij njësi auditimi të brendshëm, njësia përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve përbëhet nga drejtuesi i strukturës së burimeve njerëzore dhe 1 (një) nëpunës/punonjës i saj. Në mungesë të drejtuesit, kjo njësi përbëhet nga 2 (dy) nëpunës/punonjës të strukturës së burimeve njerëzore.
4. Autoritetet publike, të cilat në strukturën e tyre kanë njësi të posaçme, ndër të tjera, për luftën ndaj korrupsionit dhe praktikave apo veprimeve të dyshuara të korrupsionit kryejnë edhe detyrën e njësisë përgjegjëse, në zbatim të ligjit nr.96/2025 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. Në këto raste, njësia përgjegjëse për sinjalizimin përbëhet nga 1 (një) ose 2 (dy) punonjës, në varësi të përbërjes së njësisë së posaçme.
5. Në ato autoritete publike, në të cilat nuk mund të zbatohen pikat 2, 3 dhe 4, të këtij vendimi, për shkak se nuk kanë njësi auditimi apo të burimeve njerëzore ose nuk plotësohet numri, sipas pikës 1, të këtij vendimi, njësia përgjegjëse plotësohet ose përbëhet nga 2 (dy) nëpunës/punonjës të përhershëm të autoritetit, të cilët, përveç kërkesave/kritereve të përgjithshme e të veçanta, të përcaktuara në legjislacionin që rregullon marrëdhënien e punës, duhet të plotësojë edhe këto kërkesa/kritere:
a) Të ketë përvojë në profesion jo më pak se 2 (dy) vjet;
b) Të ketë mbaruar arsimin e lartë në shkencat juridike, shkencat sociale, shkencat ekonomike ose disiplina të tjera, që lidhen me fushën e veprimtarisë së institucionit;
c) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e ndonjë vepre penale.
6. Autoritetet publike, që kanë degë territoriale në Republikën e Shqipërisë, krijojnë njësinë përgjegjëse vetëm në strukturën qendrore të tyre.
7. Caktimi si punonjës i njësisë përgjegjëse në autoritetin publik, krahas detyrave dhe funksioneve të pozicionit të punës, sipas aktit të emërimit, është pa afat dhe përfundon sipas njërit prej rasteve të parashikuara në pikën 12, të këtij vendimi.
8. Njësia përgjegjëse për zbatimin e ligjit nr.96/2025, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, si strukturë që ndjek në vazhdimësi sinjalizimin e shkeljeve të mundshme ligjore gjatë angazhimit në një kontekst pune/veprimeve të kundërligjshme, që cenojnë interesin publik, si dhe mbrojtjen e sinjalizuesve mban kontakte të vazhdueshme me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (në vijim ILDKPKI). Njësia përgjegjëse në sektorin publik vepron në mënyrë të pavarur dhe jashtë çdo influence tjetër, të padrejtë, që mund të pengojë realizimin e detyrave të saj, në zbatim të ligjit nr.96/2025, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.
9. Punonjësit e njësisë përgjegjëse ushtrojnë funksionet e tyre, në përputhje me parimet dhe rregullat e përcaktuara në ligjin nr.96/2025, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, veçanërisht në lidhje me konfidencialitetin, paanshmërinë dhe mbrojtjen e sinjalizuesit. Gjatë ushtrimit të detyrës, punonjësit e njësisë përgjegjëse garantojnë ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit dhe mbrojtjen e identitetit të sinjalizuesit, në përputhje me nenet 9 dhe 10, të ligjit nr.96/2025, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. Punonjësit e njësisë përgjegjëse ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të pavarur dhe shmangin çdo situatë të konfliktit të interesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
10. Autoritetet publike marrin masat për të siguruar kushtet dhe mjetet e nevojshme të punës e të komunikimit, në mënyrë që punonjësit e njësisë përgjegjëse të ushtrojnë efektivisht detyrat e tyre, në përputhje me parashikimet e pikës 9, të këtij vendimi.
11. Për çdo ndërprerje të marrëdhënies së punës, ndërmjet autoritetit publik dhe punonjësit të njësisë përgjegjëse, informohet menjëherë ILDKPKI-ja. Titullari i autoritetit publik merr masat e nevojshme që të zëvendësojë menjëherë punonjësin e larguar të njësisë përgjegjëse me punonjës të strukturës përkatëse ose, sipas rastit, të strukturave të tjera, duke zbatuar kriteret e përcaktuara në këtë vendim.
12. Punonjësi i njësisë përgjegjëse largohet nga kjo detyrë me urdhër të titullarit të autoritetit publik, kur:
a) jep dorëheqjen me shkrim nga detyra e njësisë përgjegjëse, e cila i dërgohet njëkohësisht edhe ILDKPKI-së;
b) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
c) kryen shkelje të rëndë të legjislacionit, që rregullon sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve;
ç) përfundon marrëdhënien e punës me autoritetin publik.
13. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të njësisë përgjegjëse rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës ose legjislacionit të posaçëm, që zbatohet për pozicionin në të cilin ata janë të emëruar.
14. Titullarët e autoriteteve publike caktojnë punonjësit në detyrën e njësisë përgjegjëse, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dhe njoftojnë me shkrim inspektorin e përgjithshëm të ILDKPKI-së për krijimin e njësisë përgjegjëse, së bashku me kontaktet e saj.
15. Vendimi nr.816, datë 16.11.2016, i Këshillit të Ministrave “Për strukturën, kriteret e përzgjedhjes dhe marrëdhëniet e punës së punonjësve të njësisë përgjegjëse në autoritetet publike, në zbatim të ligjit nr.60/2016, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.325, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGAVE, NIVELEVE TË PAGAVE DHE SHTESAVE TË TJERA MBI PAGË ZËVENDËSMINISTRIT, FUNKSIONARËVE TË KABINETEVE, PREFEKTIT, NËNPREFEKTIT, NËPUNËSVE CIVILË DHE NËPUNËSVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, të shkronjës “h”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të neneve 7 e 9, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 1, të kreut IV, të vendimit nr.325, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Punonjësit e njësisë për zbatimin e projektit me titull “Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit Smart – City”, deri në përfundimin e projektit, të trajtohen me pagë, si më poshtë vijon:
a) drejtues/menaxher projekti – klasa I-5;
b) koordinator/punonjës teknik – klasa II-2.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i miratuar për programin “Policia e Shtetit” dhe fillojnë nga data e emërimit të punonjësve në detyrë.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.132, DATË 6.3.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË EKONOMISË SË MBETJEVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shfuqizimin e vendimit nr.132, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve”, të ndryshuar.
2. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.37, DATË 21.1.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E ORGANIZIMIT TË BRENDSHËM TË ORGANEVE DREJTUESE E TË MËNYRËS SË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË EKONOMISË SË MBETJEVE, SH.A.”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 22, të ligjit nr.57/2025, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.37, datë 21.1.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e organizimit të brendshëm të organeve drejtuese e të mënyrës së funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, sh.a.”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Kapitali fillestar për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, sh.a., është 100 000 000 (njëqind milionë) lekë.”.
2. Në pikën 12, pas fjalës “… objektivat …” shtohen fjalët “… mbart të drejtat dhe detyrimet e AKEM-it …”.
3. Në pikën 19, fjalët “… në vlerën 20 000 000 (njëzet milionë) lekë …” zëvendësohen me “… në vlerën 100 000 000 (njëqind milionë) lekë …”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I SUPERSTRADËS TIRANË – DURRËS (LOTI 1) – FAZA I DHE FAZA II”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës (Loti 1) – faza I dhe faza II”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 25 136 045.80 (njëzet e pesë milionë e njëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e dyzet e pesë pikë tetëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 25 136 045.80 (njëzet e pesë milionë e njëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e dyzet e pesë pikë tetëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim për pasuritë, pronë private, që miratohen me anë të këtij vendimi, do të verifikohen kufizimet hipotekore dhe likuidimi i pronarëve të shpronësuar do të bëhet pasi të vlerësohet dokumentacioni përkatës ligjor, lidhur me përmbushjen e detyrimeve financiare nga institucionet bankare.
10. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dheEnergjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
13. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “BAZA AJRORE FARKË”, ME VENDNDODHJE NË BASHKINË TIRANË, ME SUBJEKT ZHVILLUES MINISTRINË E MBROJTJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Baza Ajrore Farkë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues Ministrinë e Mbrojtjes.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Komandës së Forcës Ajore, Ministria e Mbrojtjes.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “dru frutorë”, me një vlerë të përgjithshme prej 18 396 117 (tetëmbëdhjetë milionë e treqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e shtatëmbëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 18 396 117 (tetëmbëdhjetë milionë e treqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e shtatëmbëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Komandës së Forcës Ajrore, Ministria e Mbrojtjes.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Komandës së Forcës Ajrore, Ministria e Mbrojtjes.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Komandës së Forcës Ajrore, Ministria e Mbrojtjes.
8. Komanda e Forcës Ajrore, Ministria e Mbrojtjes, kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Komanda e Forcës Ajrore, Ministria e Mbrojtjes.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Rurale 1, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, për Komandën e Forcës Ajrore, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, për Komandën e Forcës Ajrore, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mbrojtjes, Komanda e Forcës Ajrore, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Rurale 1, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, ME VENDNDODHJE NË FSHATRAT FUSHË DHE POVELÇË, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “EURON SOLAR-PV”, SH.P.K
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në fshatrat Fushë dhe Povelçë, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “EURON SOLAR-PV”, sh.p.k., me elementet. si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “EURON SOLAR-PV”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: M41512025J;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 100 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh)Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në fshatrat Fushë dhe Povelçë, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “EURON SOLAR-PV”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “EURON SOLAR-PV”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “EURON SOLAR-PV”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.475, DATË 8.6.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E NJË TOGE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK TË NATO-s NË LETONI”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 5, e vendimit nr.475, datë 8.6.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e një toge të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të NATO-s në Letoni”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 31.12.2029, me sistem rotacioni. Kohëzgjatja për çdo rotacion është deri në 6 (gjashtë) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me togën e radhës.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2026.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJËSIMIN E GRADAVE USHTARAKE ME FUNKSIONET ORGANIKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 23, të ligjit nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Njësimin e gradave ushtarake me funksionet organike në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
2. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, që shërbejnë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.1 e nr.1/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, që shërbejnë në repartet dhe në strukturat në varësi të ministrit të Mbrojtjes, njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.2 e nr.2/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
4. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, që shërbejnë në repartet dhe në strukturat në varësi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.3 e nr.3/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
5. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, që shërbejnë në Forcën Tokësore dhe në repartet në varësi të saj, njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.4 e nr.4/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
6. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, që shërbejnë në Forcën Detare dhe në repartet në varësi të saj, njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.5 e nr.5/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
7. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, që shërbejnë në Forcën Ajrore dhe në repartet në varësi të saj, njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.6 e nr.6/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
8. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, që shërbejnë në Komandën Mbështetëse dhe në repartet në varësi të saj, njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.7 e nr.7/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
9. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, që shërbejnë në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe në repartet në varësi të saj, njësohen me funksionet organike, sipas lidhjeve nr.8 e nr.8/1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
10. Gradat për ushtarakët e shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, që emërohen në shtabe ndërkombëtare, shtabe ushtarake ndërkombëtare, në strukturën e komandës, strukturën e forcës, agjencitë dhe qendrat e NATO-s në organizatat ndërkombëtare e rajonale, njësohen me funksionet organike të përcaktuara në kërkesat e vendit të punës, të dërguara nga këto struktura për plotësim, nëpërmjet shtesave ose me rotacion midis shteteve.
11. Njësimi i gradave ushtarake me funksionet organike në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë të përfundojë brenda 1 (një) muaji nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
12. Vendimi nr.194, datë 4.3.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për njësimin e gradave ushtarake me funksionet organike në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.
13. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe institucionet/strukturat e tjera, pjesë të fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË KUADRIT TË BASHKËPUNIMIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR SHQIPËRINË 2027-2031, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të kuadrit të bashkëpunimit të Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë 2027-2031, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA