Pishë Poroja ka qenë dhe është peizazh i mbrojtur
Në përgjigje të deklaratave se Pishë Porosë i është hequr klasifikimi si peizazh i mbrojtur për t’i hapur rrugë ndërtimeve në zonë, qeveria shqiptare sqaron se Pishë Poroja ka qenë dhe mbetet një peizazh i mbrojtur.
Pishë Poroja nuk është një zonë e mbrojtur e kategorisë së parë apo të dytë, por klasifikohet edhe sipas IUCN-së kategori e pestë, si një peizazh i mbrojtur, ku është e lejuar bashkëjetesa e natyrës me aktivitetin ekonomik, social dhe turistik.
Në nenin 20 të ligjit, në 2017-tën përcaktohet se peizazhi i mbrojtur është një territor ku mund të ekzistojnë deri te qendra banimi dhe aktivitete si bujqësia, turizmi, peshkimi dhe përdorime të tjera të territorit dhe specifikisht në pikën 4, të nenit 20, përcaktohet se veprimtaritë që ndryshojnë përdorimin e territorit si ndërtimet, trajtimet e ujërave të zeza, autostrada, kanale lundruese, zonat urbane dhe të ngjashme, lejohen të ushtrohen vetëm nëse subjekti që kërkon t’i kryejë këto veprimtari, pajiset me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Qeveria sqaron se nuk po ndërtohet në Vjosë dhe nuk po shkatërrohet grykëderdhja e Vjosës, zona e këtij projekti nuk ka lidhje me zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Vjosës, e cila ka nivelin më të lartë të mbrojtjes dhe aty nuk mund të ndërtohen dot resorte.