Projekti në Zvërnec ka ndjekur të gjitha procedurat dhe rregullat e shtetit shqiptar

Në lidhje me akuzat se shteti shqiptar po shet Shqipërinë dhe po tradhton shqiptarët me projektin në Zvërnec, qeveria sqaron se investitorët kanë ndjekur proceset ligjore shqiptare dhe se këtu janë përballur me të gjitha vërejtjet dhe me vendimin e radhës për t’u kthyer e për të përmirësuar projektin.

Investitorët u paraqitën për herë të parë në Shqipëri në 2023. Projekti i tyre nuk u miratua në formën e paraqitur fillimisht, pasi Këshilli Kombëtar i Territorit ka rrëzuar projektin dhe ka kërkuar që të zvogëlohet intensiteti i ndërtimit dhe të sigurohet ruajtja e lagunës.

Në mars të vitit 2026 është paraqitur një projekt tjetër, të cilin Këshilli Kombëtar i Territorit nuk e ka miratuar të gjithin ashtu siç e ka paraqitur subjekti zhvillues, por ka vendosur kushte përsëri dhe kufizime konkrete për vijimin e projektit.

E para është që projekti do të zhvillohet vetëm në prona private me titull pronësie në Kadastër dhe në asnjë pronë tjetër të kontestuar apo që mund të rezultojë për momentin tokë shtet.

E dyta është që laguna nuk preket dhe zhvillimi nuk mund të përfshijë marinë. Kishte marinë në versionin e parë dhe në të dytin, e cila u hoq. Për marinën është kërkuar që të hartohet më pas një projekt i detajuar dhe konsultim me të gjithë autoritetet përgjegjëse për mjedisin, burimet ujore, trashëgiminë kulturore, infrastrukturën dhe vetëm pasi të jenë parë projekti tjetër në tërësi.

Qeveria qartëson se investitorëve iu është vendosur kusht se projekti duhet të konsiderojë dhe të respektojë një brez mbrojtës nga vija bregdetare e Lagunës, e cila do përcaktohet pas përfundimit të studimit nga studio ndërkombëtare mjedisore dhe pas koordinimit nga autoritetet përgjegjëse. Kjo distancë duhet të ruajë peizazhin natyror, cilësinë e habitatit dhe të garantojë proceset ekologjike e karakteristike të zonës.

Këshilli Kombëtar i Territorit ka kërkuar ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional për të siguruar zbatimin e kushteve dhe kritereve të zhvillimit brenda zonës së mbrojtur.

Ndërsa leja e infrastrukturës në prill 2026 është dhënë për realizimin e rrugë kalimeve të nevojshme për vendosjen e pajisjeve të përkohshme që do përdoren për studimin e biodiveristetit, ujit dhe lagunës.