Ministri Salla prezanton “YLLI”, asistentin e parë virtual të fermerit shqiptar në kuadër të programit “Bujqësia Digjitale për Shqipërinë 2030”

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural prezantoi programin “Bujqësia Digjitale për Shqipërinë 2030” dhe “YLLI”-n, asistentin e parë virtual të fermerit shqiptar, i integruar në Portalin e Fermerit. I bazuar në inteligjencën artificiale dhe i disponueshëm në gjuhën shqipe, “YLLI” do të ofrojë informacion, orientim dhe asistencë në kohë reale për fermerët, duke mbështetur modernizimin e sektorit dhe përafrimin me standardet evropiane.

Gjatë prezantimit, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, theksoi se transformimi digjital është një domosdoshmëri për përballimin e sfidave me të cilat përballet bujqësia, si ndryshimet klimatike, rritja e kostove të prodhimit, konkurrenca në treg dhe nevoja për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian.

Në qendër të këtij transformimi është Portali i Fermerit, i cili do t’u mundësojë fermerëve të aplikojnë online për skemat mbështetëse, të aksesojnë informacion agronomik mbi përdorimin e inputeve bujqësore, të monitorojnë parcelat përmes të dhënave meteorologjike dhe të marrin orientim për tregun.

Një nga risitë kryesore të portalit është “YLLI”, asistenti virtual që do të ofrojë mbështetje të menjëhershme dhe praktike për fermerët, duke lehtësuar aksesin në informacion dhe shërbime në çdo kohë. Portali do të ofrojë gjithashtu publikimin në kohë reale të çmimeve të tregjeve dhe të pikave të grumbullimit, si edhe mundësi komunikimi dhe koordinimi ndërmjet fermerëve dhe subjekteve të sektorit. Këto funksionalitete synojnë të rrisin transparencën e tregut dhe të përmirësojnë aksesin e fermerëve në informacion dhe shërbime.

Ministri Salla vlerësoi se suksesi i këtij procesi mbështetet në bashkëpunimin ndërinstitucional, duke përfshirë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, AZHBR-në, AKSHI-n, universitetet, partnerët ndërkombëtarë, si FAO dhe Banka Botërore, si edhe sektorin privat. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në sektor, duke e konsideruar bujqësinë si një fushë me potencial për inovacion, teknologji dhe zhvillim të sipërmarrjeve të reja. Në këtë kuadër, ai vlerësoi rolin e startup-eve të ngritura nga të rinjtë në bujqësi, si modele që kontribuojnë në modernizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit.

Programi “Bujqësia Digjitale për Shqipërinë 2030” synon ndërtimin e një sektori bujqësor më produktiv, më konkurrues, më të formalizuar dhe më transparent, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit evropian të vendit.