Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Qershor 2026
P R O J E K T L I GJ
PËR
CENSIN E BUJQËSISË
Në mbështetje të neneve 78, 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj rregullon organizimin dhe realizimin e censit të bujqësisë në nivelin e njësive ekonomike bujqësore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Qëllimi i censit të bujqësisë
Censi i bujqësisë bëhet me qëllim që:
a) të sigurojë informacion të përgjithshëm dhe të detajuar për të gjitha njësitë ekonomike bujqësore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë;
b) të ofrojë të dhëna të besueshme statistikore, përfshirë ato gjinore në fushën e bujqësisë, të nevojshme për planifikimin dhe vënien në zbatim të politikave të përgjithshme të zhvillimit bujqësor në Republikën e Shqipërisë, duke zbatuar parimet statistikore të përcaktuara në legjislacionin për statistikat zyrtare;
c) të krijojë regjistrin statistikor të njësive ekonomike bujqësore.
Neni 3
Fusha e zbatimit të censit të bujqësisë
1. Censi i bujqësisë përfshin të gjitha njësitë ekonomike, që kanë në përdorim tokë bujqësore apo që kryejnë aktivitet bujqësor dhe/ose blegtoral, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Objekt i censit janë njësitë ekonomike bujqësore që tregtojnë plotësisht ose pjesërisht produktet e tyre, si dhe ato që prodhojnë vetëm për konsum familjar.
2. Të dhënat e mbledhura nga njësitë ekonomike bujqësore, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet të mbulojnë 98% të sipërfaqes së përdorur për qëllime bujqësore, me përjashtim të kopshtarisë, dhe 98% të njësive blegtorale brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
3. Pyjet dhe kullotat në pronësi publike nuk përfshihen në fushën e zbatimit të këtij censi, përveç rasteve kur shfrytëzohen drejtpërdrejt nga njësitë ekonomike bujqësore për aktivitetin e tyre bujqësor ose blegtoral.
Neni 4
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Censi i bujqësisë”, vrojtimi, në një kohë të caktuar, i njësive ekonomike bujqësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat janë të detyruara të përgjigjen sipas ligjit.
2. “Njësi ekonomike bujqësore (NJEB)”, një njësi e vetme, si nga pikëpamja teknike, ashtu edhe ekonomike, e cila drejtohet nga një person i vetëm ose grup personash, që ndërmerr veprimtari ekonomike në bujqësi ose mirëmban tokën bujqësore, duke e kultivuar atë në gjendje të mirë bujqësore dhe mjedisore brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
3. “Drejtues i njësisë ekonomike bujqësore”, individi, personi fizik ose administratori i personit juridik, i cili, personalisht, si kultivues dhe mbarështues i drejtpërdrejtë ose me vartës e bashkëpjesëmarrës apo me persona dhe subjekte të tjera merr përsipër dhe udhëheq zhvillimin e një njësie ekonomike bujqësore.
4. “Vendndodhje”, vendbanimi i zotëruesit të njësisë ekonomike bujqësore ose vendndodhja administrative e selisë së njësisë ekonomike bujqësore.
5. “Njësi bujqësore e tokës së përbashkët”, sipërfaqja e tokës mbi të cilën zbatohen të drejtat e përbashkëta dhe e cila përdoret nga dy ose më shumë njësi bujqësore për prodhim bujqësor, por që nuk ndahet ndërmjet tyre.
6. “Njësi blegtorale”, një njësi matëse standarde për kategoritë individuale të bagëtive, të vendosura nga INSTAT-i, e cila lejon grumbullimin e kategorive të ndryshme të kafshëve në mënyrë që ato të krahasohen.
7. “Sipërfaqe e destinuar për përdorim bujqësor”, sipërfaqja e tokës që përdoret për bujqësi, duke përfshirë tokën e punueshme, tokën me bar të përhershëm, kulturat e përhershme dhe tokën tjetër bujqësore të shfrytëzuar.
8. “Ditë e censit”, dita e parë e fillimit të mbledhjes së të dhënave në terren.
9. “Vit referencë”, viti kalendarik të cilit i referohen periudhat e referencës.
10. “Kopshtari”, zonat e përdorura për prodhimin e ushqimit të destinuar për konsum personal.
11. “Mbledhje e të dhënave”, procesi i mbledhjes së informacionit të censit në një territor të caktuar, për një periudhë të caktuar kohore, nëpërmjet intervistave të kryera nga personeli i terrenit, plotësimit të pyetësorëve për secilën njësi ekonomike bujqësore në atë territor.
12. “Periudhë e mbledhjes së të dhënave”, periudha kohore gjatë së cilës të dhënat mblidhen nëpërmjet personelit të censit në terren.
13. “INSTAT”, Instituti i Statistikave të Shqipërisë, që është autoriteti ekzekutiv përgjegjës për planifikimin, zbatimin, menaxhimin e censit, si dhe shpërndarjen e statistikave të gjeneruara nga të dhënat e censit.
14. “Të dhëna personale” kanë të njëjtin kuptim me përkufizimin e dhënë në lëgjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
15. “Identifikim i drejtpërdrejtë” dhe “identifikim i tërthortë” kanë kuptim të njëjtë me atë të përcaktuar në legjislacionin për statistikat zyrtare.
16. “Zonë censi”, njësia më e vogël gjeografike për qëllime statistikore, e përdorur nga INSTAT-i për mbledhjen e të dhënave në cens.
17. “Treguesit gjinorë në censin e njësive ekonomike bujqësore”, statistika të ndjeshme ndaj gjinisë që synojnë të masin dhe të analizojnë dallimet mes grave dhe burrave brenda strukturës dhe funksionimit të njësive ekonomike bujqësore.
18. “Anonimizim” ka të njëjtin kuptim me përkufizimet e dhëna në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Neni 5
Përdorimi i gjuhës së ndjeshme gjinore
Shprehjet e përdorura në këtë ligj për personat në gjininë mashkullore nënkuptojnë të njëjtat shprehje edhe në gjininë femërore.
Neni 6
Burimet e të dhënave dhe metodat
1. Për marrjen e të dhënave sipas këtij ligji dhe për të mundësuar prodhimin e statistikave sipas kërkesave të cilësisë statistikore, të përcaktuara në nenin 12 të këtij ligji, INSTAT-i ka të drejtë të përdorë një ose më shumë nga burimet ose metodat e mëposhtme:
a) Të dhënat e censit të popullsisë dhe banesave;
b) Anketat statistikore të zhvilluara për prodhimin e statistikave zyrtare;
c) Të dhënat administrative sipas pikës 3 të këtij neni;
ç) Burime dhe metoda të tjera alternative.
2. INSTAT-i gëzon të drejtën e hyrjes dhe përdorimit të të dhënave menjëherë dhe pa pagesë, duke përfshirë edhe të dhënat personale mbi njësitë ekonomike bujqësore dhe të dhënat personale për zotëruesit e tyre, të cilat janë të përpiluara dhe disponohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin për statistikat zyrtare dhe legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Institucionet publike, përgjegjëse për bujqësinë, turizmin e mjedisin, punët e brendshme e pushtetin vendor dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës bashkëpunojnë me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të vënë në dispozicion të INSTAT-it të dhëna administrative për lehtësimin e veprimtarive të censit, sipas kërkesës së këtij organi, nëpërmjet ndërveprimit të databazave.
4. Për zbatimin e këtij neni, marrëdhëniet ndërmjet INSTAT-it dhe institucioneve publike për vënien në dispozicion të të dhënave personale rregullohen nëpërmjet marrëveshjeve të posaçme të bashkëpunimit, në të cilat përcaktohen baza ligjore, qëllimi, kategoritë e të dhënave që shkëmbehen, rolet dhe përgjegjësitë e palëve, mënyrat dhe kushtet e transmetimit, masat e sigurisë, si dhe afatet e ruajtjes së të dhënave, në përputhje me legjislacionin për statistikat zyrtare dhe legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Neni 7
Të dhënat e mbledhura
1. Kategoritë e të dhënave të mbledhura gjatë censit janë:
a) të dhëna për karakteristikat e përgjithshme të njësive ekonomike bujqësore, ku përfshihen të paktën:
i. të dhëna identifikuese mbi NJEB-të;
ii. statusi dhe forma ligjore e pronësisë;
iii. gjinia, mosha e anëtarëve të njësisë ekonomike bujqësore dhe personave të tjerë të përfshirë në aktivitetet e NJEB-së;
b) të dhëna të hollësishme mbi tokën, sipërfaqen e kulturave bujqësore (bimë arash, pemëtari), pyjet dhe kullotat, në pronësi dhe/ose në përdorim të NJEB-së;
c) të dhëna të hollësishme mbi numrin e krerëve, sipas kategorive kryesore blegtorale, përfshirë bletarinë;
ç) të dhëna të tjera mbi metodat e prodhimit bimor, si dhe të dhëna mbi karakteristikat e punësimit të anëtarëve të njësisë ekonomike bujqësore dhe personave që nuk janë anëtarë të këtyre njësive, por të angazhuar në këtë njësi.
2. Të dhënat e mbledhura nga censi përdoren vetëm për qëllime statistikore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për prodhimin e statistikave zyrtare, si dhe sipas standardeve e rekomandimeve të Eurostatit dhe të Kombeve të Bashkuara për censet e bujqësisë.
3. Të dhënat e mbledhura nga censi do të shërbejnë gjithashtu edhe për ngritjen e regjistrit statistikor të njësive ekonomike bujqësore, i cili do të mirëmbahet dhe do të administrohet vetëm nga INSTAT-i dhe nuk do të përdoret për asnjë qëllim krijimi a përditësimi të ndonjë regjistri tjetër administrativ.
Neni 8
Pyetësori i censit
Pyetësori i censit është instrumenti i hartuar dhe i miratuar nga INSTAT-i, i cili përmban pyetjet e detyrueshme dhe kërkesat e nevojshme për mbledhjen e informacionit për prodhimin e statistikave zyrtare, sipas pikës 1, të nenit 6, të këtij ligji.
Neni 9
Detyrimi për t’u përgjigjur
1. Drejtuesit e njësive ekonomike bujqësore janë të detyruar të japin informacion të plotë, korrekt e të vërtetë, sipas pyetësorit të censit, të hartuar nga INSTAT-i.
2. Në rast se informacioni i kërkuar në pyetësorin e censit nuk mund të sigurohet nga personat, sipas pikës 1, të këtij neni, atëherë personi përgjegjës për dhënien e informacionit është një anëtar tjetër i NJEB-së, madhor dhe i autorizuar nga drejtuesi.
Neni 10
Organet zbatuese dhe mbështetëse
Censi i bujqësisë organizohet dhe realizohet nga INSTAT-i, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, me mbështetjen e Komisionit Qendror të Censit të Bujqësisë dhe komisioneve të censit në nivel bashkie. Detyrat dhe përgjegjësitë e këtyre organeve përcaktohen në kreun II të këtij ligji.
Neni 11
Dita e censit dhe periudha e mbledhjes së të dhënave
Dita e censit përcaktohet nga INSTAT-i. Periudha e mbledhjes së të dhënave në terren përcaktohet në planin vjetor për zbatimin e Programit të Statistikave Zyrtare, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për statistikat zyrtare.
Neni 12
Periudha e referencës
Informacioni i mbledhur do t’i referohet një viti të vetëm referues, duke iu referuar situatës gjatë një afati kohor ose date të caktuar, si më poshtë vijon:
a) Për variablat e tokës, përdorimi i tokës do t’i referohet vitit referues. Në rastin e kulturave të njëpasnjëshme nga e njëjta pjesë toke, përdorimi i tokës i referohet një kulture që është korrur gjatë vitit referues, pavarësisht se kur është mbjellë kultura në fjalë.
b) Për variablat mbi praktikat e ujitjes dhe menaxhimit të tokës, periudha e referencës është një periudhë 12-mujore që përfundon brenda vitit referues, me synimin për të mbuluar ciklet përkatëse të prodhimit.
c) Për variablat mbi blegtorinë, strehimin e kafshëve dhe menaxhimin e plehut organik, INSTAT-i do të vendosë një ditë referimi të përbashkët brenda vitit referues. Variablat për menaxhimin e plehut organik do t’i referohen një periudhe 12-mujore, duke përfshirë atë datë.
Neni 13
Cilësia statistikore
1. INSTAT-i merr masat e nevojshme për të siguruar cilësinë e të dhënave të grumbulluara.
2. Për qëllimet e këtij ligji, kriteret e cilësisë statistikore janë në përputhje me parimet statistikore, të përcaktuara në legjislacionin për statistikat zyrtare.
3. Për vlerësimin e cilësisë, INSTAT-i është i detyruar të prodhojë dhe të publikojë një raport cilësie, i cili përshkruan procesin statistikor për çdo vit referencë të mbuluar nga ky ligj, në përputhje me kërkesat dhe standardet e përcaktuara nga legjislacioni i Bashkimit Evropian dhe Eurostati.
Neni 14
Mbrojtja e të dhënave dhe konfidencialiteti
1. Të dhënat e grumbulluara nga censi janë konfidenciale dhe mbrohen sipas legjislacionit në fuqi për statistikat zyrtare dhe legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Çdo person ose autoritet publik, i cili, nëpërmjet përfshirjes në proceset e censit merr ose ka dijeni për të dhëna personale, i nënshtrohet detyrimit për ruajtjen e konfidencialitetit mbi to, sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi për statistikat zyrtare dhe legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Personat sipas pikës 2, të këtij neni, janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave edhe pas përfshirjes në cens.
4. INSTAT-i merr të gjitha masat e duhura teknike, organizative dhe të sigurisë për të parandaluar hyrjen e paautorizuar në instalimet ku përpunohen ose ruhen të dhënat e censit, si dhe për t’i mbrojtur ato nga shkatërrimet e paligjshme, aksidentale, humbjet aksidentale apo nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi.
5. INSTAT-i i trajton të dhënat e mbledhura, të përpunuara e të ruajtura të censit të bujqësisë si rreptësisht konfidenciale, duke mos lejuar individët dhe njësitë statistikore të identifikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
6. Kur përpunimi i të dhënave të censit nga INSTAT-i kryhet në mënyrë të tillë që mundëson identifikimin e subjektit të të dhënave, të dhënat duhet të anonimizohen menjëherë, në mënyrë që subjektet të mos jenë më të identifikueshme.
7. INSTAT-i i ruan të dhënat e mbledhura të censit, sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi për statistikat zyrtare. Pas përfundimit të afatit të ruajtjes, të dhënat personale fshihen ose anonimizohen, në përputhje me procedurat e miratuara.
Neni 15
Rezultatet e censit të bujqësisë
1. Rezultatet statistikore të censit të bujqësisë shpërndahen, në përputhje me kushtet e mëposhtme:
a) INSTAT-i publikon rezultatet e censit mbi baza shkencore e profesionale;
b) Rezultatet statistikore, të përcaktuara në shkronjën “a”, të kësaj pike, publikohen në nivel kombëtar, vendor dhe në nivel tjetër gjeografik, duke siguruar që ato të paraqiten në një formë që pengon identifikimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të individit apo njësisë ekonomike bujqësore;
c) Në rezultatet e censit të bujqësisë përfshihen edhe të dhënat statistikore gjinore në fushën e bujqësisë.
ç) INSTAT-i publikon rezultatet e censit vetëm në një formë që pengon identifikimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të individëve dhe njësive të tjera statistikore;
d) Për qëllime kërkimore-shkencore, e drejta e hyrjes në të dhënat konfidenciale jepet vetëm sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi për statistikat zyrtare.
2. INSTAT-i ia dërgon rezultatet e censit Eurostatit brenda 12 muajve nga përfundimi i periudhës së referencës.
KREU II
PËRBËRJA, PËRGJEGJËSITË DHE MARRËDHËNIET E ORGANEVE TË NGARKUARA PËR CENSIN E BUJQËSISË
Neni 16
Ngritja dhe përbërja e Komisionit Qendror të Censit të Bujqësisë
1. Me qëllim mbështetjen e INSTAT-it në përgatitjen dhe zbatimin e censit të bujqësisë, ngrihet Komisioni Qendror i Censit të Bujqësisë, i cili drejtohet nga Zëvendëskryeministri.
2. Komisioni Qendror i Censit të Bujqësisë ka në përbërje:
a) ministrin përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural;
b) ministrin përgjegjës për punët e brendshme;
c) ministrin përgjegjës për drejtësinë;
ç) ministrin përgjegjës për mbrojtjen;
d) ministrin përgjegjës për mirëqenien sociale;
dh) ministrin përgjegjës për turizmin, kulturën dhe sportin;
e) ministrin përgjegjës për mjedisin;
ë) ministrin përgjegjës për pushtetin vendor;
f) drejtorin e Përgjithshëm të ASHK-së;
g) drejtorin e Përgjithshëm të INSTAT-it;
gj) dy përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë të INSTAT-it, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it;
h) rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës;
i) Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Neni 17
Përgjegjësitë e Komisionit Qendror të Censit të Bujqësisë
Komisioni Qendror i Censit të Bujqësisë ka këto përgjegjësi:
a) Harton dhe miraton rregulloren e funksionimit të Komisionit Qendror të Censit të Bujqësisë;
b) Ndjek përgatitjen dhe zbatimin e censit të bujqësisë dhe mbështet INSTAT-in për të siguruar furnizimin me të dhëna nga institucionet publike, rrethet shkencore dhe shoqëria civile;
c) Lehtëson bashkërendimin e punës ndërmjet ministrive dhe institucioneve publike e shkencore për mbështetjen e censit;
ç) Miraton projektkalendarin e veprimtarive për përgatitjen dhe zbatimin e censit të bujqësisë, i cili përgatitet nga INSTAT-i;
d) Shqyrton çdo kërkesë të paraqitur nga individët apo organizatat, sipas nenit 26 të këtij ligji, dhe lëshon autorizim në lidhje me miratimin për mbledhjen e informacionit nga publiku gjatë periudhës prej 4 javësh përpara ditës së censit dhe gjatë periudhës së mbledhjes së të dhënave të censit.
Neni 18
Funksionimi i Komisionit Qendror të Censit të Bujqësisë
1. Komisioni Qendror i Censit të Bujqësisë zhvillon mbledhjen e tij të parë jo më vonë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe e ushtron veprimtarinë e tij deri në përfundimin e periudhës së mbledhjes së të dhënave në terren.
2. Komisioni mblidhet jo më pak se një herë në muaj.
3. Në mungesë të kryetarit të Komisionit, mbledhja kryesohet nga ministri përgjegjës për bujqësinë.
Neni 19
Përgjegjësitë e Institutit të Statistikave
1. Instituti i Statistikave (INSTAT) ka këto përgjegjësi:
a) Përcakton ditën e censit, harton programin e punës, përcakton metodologjinë, harton pyetësorin, përzgjedh mjetet teknike dhe programet kompjuterike të përshtatshme, nxjerr udhëzimet e nevojshme dhe kryen përgatitjen e zbatimin e censit në baza profesionale dhe shkencore;
b) Menaxhon burimet njerëzore dhe financiare përkatëse dhe informon Komisionin Qendror të Censit të Bujqësisë dhe donatorët ndërkombëtarë mbi përdorimin e këtyre burimeve;
c) Udhëzon komisionet e censit të bujqësisë në nivel bashkie, të ngritura sipas parashikimeve të nenit 20, të këtij ligji, për detyrat që kanë për mbështetjen e censit;
ç) U propozon autoriteteve publike përkatëse hapat që duhen të ndërmarrin për censin e bujqësisë;
d) Zhvillon fushatën për informimin e publikut;
dh)Kryen procedurat e përzgjedhjes, të rekrutimit dhe trajnimit të personelit të terrenit me mbështetjen, sipas nevojës, të komisioneve të censit të bujqësisë në nivel bashkie;
e) Siguron trajnime për personelin e censit të bujqësisë mbi respektimin e parimeve të barazisë gjinore;
ë) Drejton punën për realizimin e censit të bujqësisë në të gjitha fazat, në bashkëpunim me institucionet dhe organet mbështetëse të censit të bujqësisë;
f) Përpunon të dhënat e mbledhura nga censi i bujqësisë dhe ndërmerr masat e duhura për mbrojtjen e konfidencialitetit të tyre, në përputhje me parashikimet e nenit 14 të këtij ligji;
g) Publikon rezultatet e censit në përputhje me nenin 15 të këtij ligji;
gj) I raporton Komisionit Qendror të Censit të Bujqësisë ecurinë e aktiviteteve të censit;
h) Mbulon detyrën e sekretariatit të Komisionit Qendror të Censit të Bujqësisë dhe ka këto detyra:
i. Njofton anëtarët e Komisionit për mbledhjen e radhës;
ii. Mban procesverbalin e mbledhjes;
iii. Përgatit dokumentacionin bazë të mbledhjes, të paktën 5 ditë përpara datës së mbledhjes.
2. Për kryerjen e suksesshme të censit të bujqësisë dhe për të siguruar zbatimin e parimeve statistikore sipas legjislacionit për statistikat zyrtare, INSTAT-i ka të drejtë të ndërmarrë çdo aktivitet tjetër, të paparashikuar në pikën 1 të këtij neni.
3. INSTAT-i, gjatë hartimit të pyetësorit dhe planifikimit të censit, organizon konsultime për përfshirjen e perspektivës gjinore në të gjitha fazat e censit.
Neni 20
Ngritja dhe përbërja e komisioneve të censit të bujqësisë në nivel bashkie
1. Komisionet e censit të bujqësisë ngrihen në çdo bashki brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim që të mbështesin INSTAT-in gjatë planifikimit, zbatimit dhe menaxhimit të punës në terren për censin e bujqësisë.
2. Komisionet e censit të bujqësisë në nivel bashkie ndjekin udhëzimet dhe instruksionet e INSTAT-it, japin informacion, ofrojnë lehtësira dhe asistencë për personelin e censit brenda territorit të bashkisë, si dhe marrin çdo masë tjetër të nevojshme për të siguruar kryerjen e suksesshme të procesit të mbledhjes së të dhënave të censit brenda territorit përkatës.
3. Komisioni i censit të bujqësisë në nivel bashkie drejtohet nga kryetari i bashkisë përkatëse ose një person i autorizuar prej tij.
4. Komisioni i censit të bujqësisë në nivel bashkie përbëhet nga këta anëtarë:
a) Administratorët e njësive administrative përkatëse brenda bashkisë;
b) Përfaqësuesi i INSTAT-it, i cili caktohet nga drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it;
c) Përfaqësuesi i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, i cili caktohet me urdhër të veçantë të ministrit përgjegjës për bujqësinë;
ç) Përfaqësuesi i drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, i cili caktohet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shetërore të Kadastrës;
d) Një përfaqësues nga Policia e Shtetit, i cili përcaktohet nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Neni 21
Detyrat dhe përgjegjësitë e komisioneve të censit të bujqësisë në nivel bashkie
1. Komisionet e censit të bujqësisë në nivel bashkie kanë detyrat dhe përgjegjësitë e mëposhtme:
a) Mbështesin INSTAT-in në organizimin e punës të censit të bujqësisë në zonat e numërimit, brenda juridiksionit përkatës të bashkisë;
b) Ndihmojnë INSTAT-in në përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve që do të përdoren gjatë fushatës së informimit;
c) Ndihmojnë INSTAT-in gjatë procesit të rekrutimit për punonjës terreni;
ç) I sigurojnë dhe vënë në dispozicion të personelit të censit ambiente të nevojshme për të mbështetur proceset e censit, sipas kërkesave të INSTAT-it dhe/ose Komisionit Qendror të Censit të Bujqësisë;
d) Mbështesin INSTAT-in për zgjidhjen e problematikave të mundshme gjatë procesit të censit të bujqësisë;
dh)I raportojnë periodikisht INSTAT-it dhe sipas kërkesës së këtij të fundit për ecurinë e përmbushjes së detyrave të parashikuara në këtë nen. Raportimi përmban vlerësime mbi përfshirjen gjinore në të gjitha fazat e procesit të censit.
2. Komisionet e censit të bujqësisë në nivel bashkie funksionojnë deri një muaj pas përfundimit të procesit të mbledhjes së të dhënave.
Neni 22
Funksionimi dhe mbledhjet e komisionit të censit të bujqësisë në nivel bashkie
1. Në mbledhjen e komisionit të censit të bujqësisë në nivel bashkie marrin pjesë vetëm anëtarët e tij, me përjashtim të rasteve kur kryetari i komisionit fton, sipas çështjeve që diskutohen:
a) specialistët e institucioneve në nivel qarku apo nivel vendor, të cilët nuk përfaqësohen në komisionin e censit;
b) ekspertë apo personel tjetër të INSTAT-it, të angazhuar për censin.
2. Komisionet e censit të bujqësisë në nivel bashkie mblidhen brenda 5 ditëve nga paraqitja e kërkesës me shkrim nga njëri prej anëtarëve të komisionit.
3. Mbledhjet e komisionit zhvillohen kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Vendimet e komisionit merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm dhe në rast barazie votash, vota e kryetarit është përcaktuese.
4. Rregullat e detajuara për procedurat e thirrjes, organizimit, zhvillimit të mbledhjes e miratimit të vendimeve të komisioneve të censit të bujqësisë në nivel bashkie si dhe masat për garantimin e barazisë gjinore në të gjitha fazat e zbatimit të censit përcaktohen në rregulloren për funksionimin e komisionit të censit të bujqësisë në nivel bashkie, të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it.
Neni 23
Institucionet e tjera të përfshira në cens
Ministria, që mbulon çështjet e bujqësisë dhe zhvillimit rural, ministria që mbulon çështjet e turizmit dhe mjedisit, ministria përgjegjëse për punët e brendshme dhe ministri përgjegjës për pushtetin vendor, në bashkëpunim me INSTAT-in, vënë në dispozicion të Komisionit Qendror të Censit të Bujqësisë të dhëna dhe informacione për lehtësimin e veprimtarive të censit, sipas kërkesës së këtij organi.
KREU III
PROCEDURAT E CENSIT TË BUJQËSISË
Neni 24
Fushata informuese
1. Qëllimet dhe procedurat e censit të bujqësisë, si dhe detyrimet ligjore lidhur me të bëhen publike, nëpërmjet shkëmbimeve shkresore zyrtare, medias dhe një fushate të gjerë informimi, të drejtuar nga INSTAT-i.
2. Fushata informuese kryhet sipas një strategjie komunikimi, e përgatitur nga INSTAT-i jo më vonë se 4 muaj nga dita e censit të bujqësisë. Ajo synon informimin e të gjitha grupeve shoqërore dhe duhet të përmbajë gjuhë korrekte, sipas përcaktimit të nenit 5, të këtij ligji.
3. Fushata informuese fillon të paktën 4 javë para ditës së censit të bujqësisë dhe përfundon me nxjerrjen e rezultateve përfundimtare të tij.
4. Radiotelevizioni Publik Shqiptar i transmeton materialet informuese të përgatitura nga INSTAT-i pa pagesë.
Neni 25
Personeli i censit të bujqësisë
1. Në përbërje të personelit të censit të bujqësisë janë:
a) personeli i terrenit, i cili autorizohet dhe pajiset nga INSTAT-i me një shenjë dalluese të zyrtarizuar dhe ka në përbërje:
i. anketuesit, të cilët shkojnë në çdo njësi ekonomike bujqësore brenda territorit të caktuar të mbledhjes së të dhënave, për të plotësuar tërësisht dhe me saktësi pyetësorin e censit;
ii. kontrollorët, të cilët kontrollojnë, mbështesin dhe raportojnë punën e anketuesve të varësisë;
iii. specialistët IT, të cilët mbështesin personelin e terrenit për sigurimin dhe mirëmbajtjen e çdo pajisjeje për mbledhjen e të dhënave;
iv. personelin ndihmës për gjeoinformacionin, i cili ndjek mbarëvajtjen e procesit të numërimit në terren nga ana gjeografike dhe mbështet anketuesit për zgjidhjen e problematikave që kanë të bëjnë me orientimin në terren dhe përditësimin e zonave të censit.
b) personeli tjetër, ku përfshihen:
i. personeli i organikës së INSTAT-it, i cili drejton dhe zbaton të gjitha proceset e censit nga ana administrative, teknike dhe operacionale;
ii. trajnerët, të cilët trajnojnë personelin e terrenit për kryerjen e detyrave të tyre;
iii. operatorët, të cilët hedhin të dhëna në sistemet e kompjuterizuara;
iv. statisticienët dhe personeli tjetër, të cilët përpunojnë të dhënat, analizojnë dhe publikojnë rezultatet statistikore të censit.
c) punonjës të institucioneve të varësisë së ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
2. INSTAT-i përcakton kriteret dhe ngre komisione ad hoc vlerësimi për përzgjedhjen dhe rekrutimin e personelit të censit.
3. Personeli i INSTAT-it, sipas nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, si dhe personeli i ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, i përfshirë gjatë periudhës së zbatimit të aktiviteteve të censit të bujqësisë përfiton një pagesë për punën shtesë të kryer prej tyre.
4. Personeli i censit të bujqësisë sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, rekrutohet dhe kontraktohet nga INSTAT-i sipas dispozitave ligjore në fuqi.
5. Personeli i censit të bujqësisë, sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, angazhohet në përputhje me kërkesat dhe udhëzimet e INSTAT-it për personelin e censit.
6. INSTAT-i merr masa për të siguruar përfaqësim të barabartë gjinor në proceset e rekrutimit dhe trajnimit të personelit të censit.
7. Kriteret e përfitimit, koha dhe pozicionet e punës që përfitojnë, masa e pagesës shtesë për personelin e parashikuar në pikën 3, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për bujqësinë.
Neni 26
Ndalimi për mbledhjen e të dhënave të ngjashme
1. Gjatë periudhës prej katër javësh para ditës së censit të bujqësisë dhe gjatë të gjithë periudhës së mbledhjes së të dhënave për censin, është e ndaluar për të gjithë individët dhe organizatat, me përjashtim të INSTAT-it, të mbledhin të dhëna nga njësitë ekonomike bujqësore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Të gjitha subjektet, të cilave, gjatë periudhës së përmendur në pikën 1, të këtij neni, u nevojitet mbledhja e të dhënave, e zhvillojnë këtë veprimtari vetëm me autorizim të veçantë, lëshuar nga Komisioni Qendror i Censit të Bujqësisë, në përputhje me këtë ligj.
KREU IV
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 27
Kundërvajtjet dhe gjobat
1. Shkeljet e mëposhtme përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, përkatësisht, si më poshtë vijon:
a) Refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar ose dhënia e informacionit të rremë, sipas nenit 9 të këtij ligji, me gjobë nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.
b) Mosrespektimi i rregullave të konfidencialitetit statistikor trajtohet dhe dënohet, në përputhje me legjislacionin për statistikat zyrtare;
c) Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në nenin 26, të këtij ligji, nga personi/personat përgjegjës, me gjobë nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.
2. Për hetimin administrativ të kundërvajtjeve të parashikuara në këtë nen, INSTAT-i ka të drejtë të konsultojë bazat e të dhënave shtetërore në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin për statistikat zyrtare.
Neni 28
Verifikimi i kundërvajtjeve administrative
1. INSTAT-i është autoriteti përgjegjës për shqyrtimin, verifikimin dhe marrjen e vendimeve për kundërvajtjet administrative të konstatuara, në respektim të dispozitave të këtij ligji dhe ligjit për kundërvajtjet administrative. Vendimi i njoftohet me shkrim shkelësit brenda 10 ditëve kalendarike.
2. Gjobat e vendosura, sipas përcaktimeve të nenit 27, të këtij ligji, janë tituj ekzekutivë dhe ekzekutohen në përputhje me përcaktimet e ligjit për kundërvajtjet administrative.
3 INSTAT-i është përgjegjës për konstatimin e shkeljeve të detyrimit për ruajtjen e konfidencialitetit statistikor, në përputhje me nenin 14, të këtij ligji. Në rastet e shkeljes së të dhënave personale zbatohen dispozitat e ligjit nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Neni 29
Ankimi ndaj sanksionit për kundërvajtjen administrative
1. Ankimi për vendosjen e një gjobe, sipas përcaktimeve të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, të nenit 27, të këtij ligji, paraqitet pranë drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT-it, brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni të vendimit për vendosjen gjobës.
2. Në rast se përpunimi i të dhënave personale kryhet në shkelje të nenit 14 të ligjit, ankimi paraqitet pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sipas dispozitave të ligjit nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
3. Kundër vendimit të drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT-it, sipas pikës 1, të këtij neni, mund të paraqitet ankim në Gjykatën Administrative brenda 45 ditëve nga data e shpalljes së këtij vendimi.
Neni 30
Financimi
1. Financimi i censit të bujqësisë sigurohet nga buxheti i shtetit, përmes fondeve të veçanta të miratuara për këtë qëllim në buxhetin vjetor të INSTAT-it.
2. Përveç buxhetit të shtetit, censi i bujqësisë mund të mbështetet edhe nga:
a) fondet e Bashkimit Evropian dhe programet e tjera të ndihmës financiare nga institucione evropiane;
b) kontributet e donatorëve ndërkombëtarë dhe organizatave partnere në fushën e zhvillimit rural dhe statistikave;
c) burime të tjera financiare, të ligjshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 31
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktin nënligjor në zbatim të pikës 7, të nenit 25, të këtij ligji.
2. Ngarkohet drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it, që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë rregulloren për funksionimin e komisionit të censit të bujqësisë në nivel bashkie, në zbatim të pikës 4, të nenit 22, të këtij ligji.
KREU V
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 32
Shfuqizime
Ligji nr.10201, datë 17.12.2009, “Për regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike bujqësore”, shfuqizohet.
Neni 33
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR CENSIN E BUJQËSISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për censin e bujqësisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA