Ministrja Ibrahimaj: Zhvillimi i aftësive dhe kapitalit njerëzor, kyç për konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, ku u prezantuan rezultatet e reformës në arsimin profesional dhe vizioni “Aftësi 2030” për zhvillimin e aftësive, rritjen e punësimit dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Gjatë konferencës, ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, përfaqësues të institucioneve vendase dhe partnerë ndërkombëtarë, ministrja Ibrahimaj theksoi se ekonomia shqiptare po kalon një transformim strukturor, duke u orientuar drejt sektorëve me vlerë të shtuar, teknologjisë, inovacionit dhe shërbimeve të avancuara.
Ajo theksoi se sektorë si turizmi, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, energjia e rinovueshme, si edhe shërbimet profesionale dhe financiare, po krijojnë kërkesa të reja për aftësi dhe profesionistë të kualifikuar, ndërsa kapitali njerëzor mbetet një nga avantazhet më të rëndësishme konkurruese të ekonomisë shqiptare.
Sipas saj, zhvillimi i aftësive dhe kapitalit njerëzor është një nga faktorët kryesorë për rritjen ekonomike, tërheqjen e investimeve dhe integrimin evropian të vendit. Ajo nënvizoi se investimi në aftësi përbën një politikë ekonomike të mirëfilltë dhe një nga investimet më të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë.
Duke iu referuar zhvillimeve ekonomike të viteve të fundit, Ibrahimaj tha se Shqipëria ka regjistruar rritje ekonomike mesatare prej rreth 4% në vit, ndërsa papunësia ka rënë në 8.3%, niveli më i ulët historik. Sipas saj, këta tregues pasqyrojnë jo vetëm dinamizmin e ekonomisë, por edhe transformimin cilësor të modelit të zhvillimit të vendit.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj prezantoi edhe rezultatet e reformave në arsimin dhe formimin profesional, duke theksuar se zhvillimi i aftësive është vendosur në qendër të Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2030.
Aktualisht, mbi 17 mijë të rinj ndjekin arsimin profesional në 31 shkolla publike në të gjithë vendin, ndërsa pjesëmarrja në arsimin profesional ka arritur në 19.4% të arsimit të mesëm, krahasuar me 12.7% në vitin 2013. Punësueshmëria e të diplomuarve është rritur në 63%, nga 40% katër vite më parë.
Po ashtu, modeli i arsimit dual po zbatohet në 15 shkolla në bashkëpunim me 240 biznese partnere, ndërsa Programi Kombëtar i Kodimit ka trajnuar mbi 2,500 përfitues. Gjatë viteve të fundit janë zhvilluar 154 kualifikime profesionale dhe janë realizuar investime në laboratorë modernë, mjedise digjitale dhe programe të lidhura me inteligjencën artificiale dhe ekonominë e gjelbër.
Ministrja njoftoi gjithashtu nisjen e zbatimit kombëtar të Garancisë Rinore, me synimin për të përfshirë 40 mijë të rinj deri në vitin 2032, si dhe zhvillimin e qendrave multifunksionale të aftësive, të cilat do të mbështesin të nxënit gjatë gjithë jetës.
Sipas saj, vizioni “Aftësi 2030” synon ndërtimin e një ekonomie të mbështetur te dija, produktiviteti, teknologjia dhe inovacioni, duke krijuar më shumë mundësi për punësim, zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie për qytetarët.