Zhvillohet Konferenca e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional
U mbajt sot Konferenca e 3-të Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional, ku u diskutuan rezultatet e reformës në arsimin dhe formimin profesional, si edhe vizioni “Aftësi 2030” për zhvillimin e aftësive, rritjen e punësimit dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Kryeministri Rama i cili ishte i pranishëm në punimet e konferencës u shpreh ndër të tjera se synimi është që të shtojmë numrin e të rinjve që zgjedhin arsimin profesional dhe “mundësisht t’ia dalim që brenda 2030-ës një në tre nxënës të shkojnë në arsimin profesional.”
* * *
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe të gjithave, mësueseve këtu të pranishme dhe të palodhura të arsimit profesional!
Është një ditë e rëndësishme për të folur për çfarë kemi bërë, por mbi të gjitha se çfarë duam të bëjmë në rrugëtimin strategjik për punësimin dhe aftësitë.
Është një ditë ku, ndërkohë 3500 maturantë të arsimit profesional, kanë sot provime dhe dua t’i uroj të gjithë atyre sukses në provimet e tyre dhe është një ditë kur realisht, bilanci është goxha domethënës dhe është shumë inkurajues.
Kur ne e kemi nisur këtë rrugë, kemi pasur një sistem të arsimit profesional tërësisht të degraduar dhe plotësisht të padobishëm për të rejat dhe të rinjtë që shkonin në shkollat e arsimit profesional, thjesht dhe vetëm për të mos mbetur pa asnjë mundësi tjetër, por nuk gjenin aty asnjë kusht për të zhvilluar talentin dhe për të marrë zanatin e tyre.
Thjeshtë dhe vetëm gjenin disa mësues që sado të përkushtuar, e kishin të pamundur që të bënin mësimin tërheqës, pasi nuk kishte kushte minimale infrastrukture, nuk kishte laboratorë, nuk kishte asnjë lidhje mes arsimit profesional dhe tregut.
Sot situata është krejt ndryshe. Nëse në fillim të këtij rrugëtimi, nxënësit që shkonin në dyert e arsimit profesional ishin pak më shumë se 10%, sot janë thuajse 20%. Por, kjo është një fazë, ndërkohë që nuk është mbërritja, sepse synimi ynë është që të kemi një në tre nxënës në arsimin profesional.
Fatmirësisht sot mund të flasim edhe për një kapërcim të një muri të lartë paragjykimesh që ishin të lidhura me arsimin profesional. Pikërisht sepse dikur arsimi profesional ishte si një rifuxho (rifugio)për nxënësit që kishin rezultate, të cilat nuk u jepnin asnjë shans që të shkonin në universitet, megjithëse universitetet ishin me dyert të shqyera nga të katër anët, sot jemi në kushtet kur arsimi profesional është edhe një zgjedhje dhe pikërisht pse funksionon, ne kemi sot një shifër që, jo vetëm flet për këtë ndryshim, por dhe inkurajon të tjerë që të kthejnë sytë nga arsimi profesional. 63% e atyre që mbarojnë arsimin profesional, punësohen.
Një pjesë e tyre fillojnë të punojnë që më parë, falë reformës që kemi bërë dhe përzgjedhjes që kemi bërë për sistemin dual, duke i referuar dy vendeve apo tre, që kanë realisht nivelet më të admirueshme të mënyrës se si e kanë ngritur arsimin profesional dhe e kanë kthyer në një sistem që garanton ekonominë dhe garanton mirëqenien e tyre; Zvicra, Gjermania dhe Austria.
Dhe ka një korrelacion shumë interesant midis fuqisë së këtyre vendeve, modelit që ato kanë krijuar në sytë e të gjithë botës, por edhe idesë që lidhet me to, si vende të pasura me faktin që janë vende, të cilat kanë një përkushtim të madh dhe historik për arsimin profesional; janë vende në të cilat arsimi profesional është pjesë integrale e ekonomisë së tyre dhe janë vende ku shumëkush që mbaron arsimin personal, nuk mbetet thjesht një zanatçi, po kthehet në një sipërmarrës të vogël dhe bën sukses me dijen e tij. Më vjen jashtëzakonisht mirë që ne sot mund të flasim për një fakt dhe një provë konkrete të një bashkëpunimi me, pikërisht Zvicrën dhe të një ekselence të arsimit profesional zviceran, shkollës prestigjioze të turizmit ‘’EHL’’, e cila tanimë ka hapur dyert në Shqipëri, duke u binjakëzuar. Po është një binjakëzim tërësor, nuk është një binjakëzim simbolik me shkollën tonë të hoteleri turizmit këtu në Tiranë. 100% e nxënësve të kësaj shkolle, janë të punësuar. 100% e nxënësve të kësaj shkolle, të cilët sot janë në bankat e shkollës, janë të kontraktuar. Natyrisht që ka nevojë për shumë më tepër, sepse sistemi ynë i industrisë së turizmit është një sistem i ri, por është dhe një sistem, i cili është ende larg qenies një sistem që ofron cilësi dhe pikërisht për këtë arsye, të gjithë të interesuarit që kanë investuar në turizëm, kanë nevojë për punonjës të kualifikuar të të gjitha niveleve.
Dua të prek këtu diçka që është bërë një nga barcaletat e ditëve të fundit, lidhur me një zhvillim që ka ngjallur një debat të madh; ideja që investitorët e huaj të vijnë në Shqipëri për të ndërtuar resorte, të cilat janë për shumë të pasurit dhe për punonjës nga Pakistani, nga Bangladeshi apo nga Filipinet sepse duan t’i paguajnë shumë pak, është një ide që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Është gabim i madh që të flitet në këtë mënyrë edhe është një gënjeshtër e madhe që të mendohet në këtë mënyrë.
Së pari, ne, nuk është se kemi një numër të madh investitorësh të huaj në turizëm. Sapo ka filluar një interesim nga kapitali dhe nga sipërmarrja e huaj për Shqipërinë që lidhet me suksesin e Shqipërisë në turizëm.
Deri përpara disa vitesh, ne nuk kemi pasur asnjë interesim, zero nga kapitali i huaj dhe nga sipërmarrja e huaj për të investuar në turizmin shqiptar. Zero. Pse? Shqipëria ishte po kaq e bukur, natyra shqiptare ishte po kaq e bukur, virgjëria e saj ishte po kaq sa ç’është sot në ato zona ku nuk është investuar asgjë, nuk kishte asnjë interesim. I pari interesim që pastaj u materializua, ishte interesimi për Portin Turistik të Durrësit dhe mbas atij interesimi dhe mbasi u hap rruga e atij investimi, ka filluar të ngrihet interesi i kapitalit dhe i sipërmarrjes së huaj për të investuar në turizëm në Shqipëri. Pse? Sepse nuk kishte pikë besimi.
Ideja që kapitali i madh dhe që sipërmarrjet e mëdha shkojnë në vende të caktuara për të investuar në turizëm, për t’i shkatërruar ato vende dhe për të shfrytëzuar një krah pune të lirë, është një ide e lindur nga padija totale sepse është e kundërta.
Nuk ka prova që kapitali i huaj dhe sipërmarrja prestigjioze ndërkombëtare të ketë luajtur rol në shkatërrimin e natyrës apo të jetë shkaktarja kryesore e dëmeve që janë bërë mjedisit. E kundërta është e vërtetë!
Dëmet mjedisore kanë ardhur gjithmonë dhe ne radhë të parë nga faza zhvillimi, të cilat kanë qenë të bazuara, jo thjesht kapitali vendas, por edhe kanë qenë të lidhura me një horizont të mbyllur lidhur me shumë nga temat komplekse të fushës dhe patjetër kanë qenë të kushtëzuara nga kostoja nga kostoja e ndërtimit dhe nga çmimi. Po të shikojmë bregdetin shqiptar sot, bregdeti shqiptar ka filluar të zhvillohet në Golem. Sot është e paimagjinueshme që dikush, cilido sipërmarrës, vendas të shfaqet në dyert e autoriteteve dhe të propozoj atë lloj zhvillimi. Pse? Sepse ai është një zhvillim tërësisht i papranueshëm, por i lidhur me një kohë kur mundësitë ishin shumë të kufizuara, kur kapitali ishte shumë modest, kur dijet ishin shumë të kufizuara dhe mbi të gjitha kur aftësia blerëse ishte shumë e kufizuar dhe pavarësisht të gjitha problematikave dhe të metave që ka pasur zhvillimi i ndërtimit në fushën e turizmit, gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar, zhvillimet kanë ardhur duke u bërë më cilësore.
Kostoja e ndërtimit natyrisht ka ardhur duke u rritur, por dhe çmimi ka ardhur duke u rritur.
Dhe vijmë tek Pakistani dhe tek Bangladeshi, punonjësit sot dhe unë këtë e them me përgjegjësi të plotë dhe sfidoj këdo që të provoj të kundërtën.
Sot problemi kryesor i industrisë së turizmit nuk është “sa të paguaj” dhe nuk ka në industrinë e turizmit sot. Aty natyrisht flas ku janë bërë investime, aty ku janë hotelet edhe destinacionet e pushimeve. Pyetja nuk është sa të paguaj? Pyetja është ku të gjej punonjësit përkatës për të gjitha nivelet që ka edhe zanatin për ta bërë atë punë si duhet? Dhe nëse dikush më gjen vend në bregdetin shqiptar, flas gjithmonë për investimet që janë bërë, nuk flas për situata që mund të jenë gjysmë informale, flas për hoteleri ku paguhet më pak se në Greqi, atëherë unë do detyrohem të rishikoj këtë opinion. Nuk ka! Nuk gjendet një vend në bregdetin shqiptar, ku sipas niveleve paga të jetë më e ulët se në Greqi.
Nuk ka një vend në bregdetin shqiptar ku paga të jetë më e ulët në Kroaci, nuk ka! Cili është problemi? Problemi është që ata, të cilët nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj dhe ata të cilët kujtojnë se punonjësit e huaj vijnë nga Filipinet këtu si skllevër, – ata nuk duan të punojnë dhe të marrin një pagë si në Greqi dhe si në Kroaci. Kjo është kaq e thjeshtë! Ose nuk janë fare në atë fushë, nuk janë fare në nevojë për një punë, përkundrazi punojnë në Instagram dhe japin intervista se si jeta e tyre modeste kushton 20 mijë euro në muaj.
Çështja është shumë e thjeshtë!
Sa më e lartë jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta janë pagat. Sa më e ulët të jetë cilësia e sistemit, aq më të ulëta do jenë pagat. Sa më i lartë të jetë konsumi i atyre që vijnë për të shpenzuar ne atë sistem, aq më të larta do jenë të ardhurat e sistemit. dhe për rrjedhojë dhe të shtetit, ky është ekuacion shumë i thjeshtë. Zvicra që është një vend turistik po ashtu është një vend shumë i shtrenjtë, por ka paga shumë të larta. Ka paga shumë të larta për arsye e thjeshtë, sepse ka mundësinë që të jetë e shtrenjtë, sepse ka cilësi shumë të lartë të ofertës së vet.
Duke u kthyer tek nxënësit e EHL-së, nxënësit e EHL-së janë nxënës shqiptarë që vijnë nga familjet të thjeshta shqiptare dhe sot ata janë siç thashë të gjithë të kontraktuar nga sistemi i turizmit shqiptar.
Sot, industria e turizmit shqiptar kërkon punonjës, punonjës, punonjës dhe vuan gjithmonë e më shumë për punonjës të kualifikuar dhe detyra jonë është që ta shtojmë numrin e shkollave të turizmit që janë të lidhura me aktorë të nivelit të EHL-së dhe më vjen shumë mirë që plani është që të zgjerojmë zinxhirin e EHL-së edhe në edhe në zona të tjera. Por ajo që është më e bukura në këtë histori është që vetë industria është e gatshme që të marrë pjesë, që të sponsorizojë, të sponsorizojë nxënësit që do të shkojnë të bëjnë atë shkollë për t’i pasur pastaj në kontratë dhe për t’i punësuar drejtpërdrejt.
Të kundërshtosh rritjen e cilësisë së turizmit dhe mbi të gjitha të refuzosh kapitalin e huaj në industrinë e turizmit, do të thotë të refuzosh cilësinë, nuk do të thotë të refuzosh shkatërrimin.
Sot të gjitha zhvillimet që bëhen në turizëm nuk janë më zhvillimet e 10 viteve më parë, globalisht po flas nuk ka më sot jo në Europë ku ka standarde jashtëzakonisht të mirë përcaktuara që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, që lidhen me biodiversitet. Jo në Europë, po në asnjë vend! Vendet e Lindjes së Mesme nuk janë vende me rregulla dhe me standarde të mirëpërcaktuara në formën e ligjit siç janë vendet e Europës. Nuk janë! Janë vende ku ka një tjetër sistem dhe ka një tjetër vendimmarrje. Po ku bën dot sot në vendet e Lindjes së Mesme projekte turistike që nuk janë projekte në radhë të parë me një theks shumë të fortë respekti për natyrën. Ata nuk kanë atje gjelbërim, por sot Abu Dhabi është ekosistemi më perfekt i një zone të banuar qytet, Abu Dhabi.
Numri i pemëve dhe i edhe i bimësisë që është mbjellë nga Abu Dhabi, i shoqëruar me ujin, i cili është pjesë e gjithë teksturës urbane të Abu Dhabit, por jo për zbukurim vetëm, por për balancë natyrore është diçka që nuk e gjen dot në vende të tjera për 1001 arsye.
Pra, dua të them nuk ekziston më, nuk ekziston më, është një idiotësi, ideja që kapitali i huaj mblidhet me qindra miliona me miliarda, organizohet dhe shkon diku për të bërë Golemin e vitit ‘90 ne Shqipëri. Nuk ekziston.
Në Europë investohet më pak në turizëm sepse Europa ka shumë, ka shumë. Europa ka bërë po ashtu gabime të mëdha, sidomos Europa jugore mesdhetare, të cilat i ka kuptuar, mbi të cilat ka reflektuar dhe rreth të cilave janë krijuar shumë standarde strikte.
Kështu që, nuk shkon dot sot në Portugali, nuk shkon dot sot në Spanje, në Francë harroje, nuk shkon dot sot as në Itali, as në Kalabri që është një zonë e qametit antimjedisor të viteve ’70, ‘80 edhe ‘90 dhe të propozosh projekte që nuk janë në kompaktësi me idealin e natyrës. Nuk ndodh. Të mendosh këtë dhe të reagosh ndaj kësaj është njësoj, mua më kujton shumë alarmin edhe shqetësimin nga importi i plehrave.
Kur u bë një ligj për të sjellë plehra importi, që ishte jo kompakt me zinxhirin e qarkullimit të mbetjeve në Europë, ku ka import mbetjesh, por me shumë kushte edhe me standarde të mirë përcaktuara me lista të gjelbra u bë nami këtu. Dhe ne kur erdhëm në qeveri në mos i pari, i dyti, ligji i parë kam përshtypjen që kemi kaluar ka qenë mbyllja e importit të plehrave.
Këtu po bëhet sikur po importohen plehra sepse është një qasje, e cila nuk niset nga faktet, nuk niset nga projekti, nuk niset nga studimi i mjedisit, por niset vetëm nga një frikë dhe njëkohësisht nga një ideologji. Një ideologji që nuk është kompatibel me zhvillimin.
Sepse arsimi profesional për t’u kthyer në këtë temë, po besoj që në këtë temë jam, nuk është një ngushëllim për dikë që nuk arrin dot bëjë universitetin.
Është një mundësi për dikë që ka një tjetër talent edhe ka një tjetër shans në jetë që me dijen e tij, jo të mbetet një shërbëtor i dikujt që e merr në telefonin i thotë “hajde më rregullo dritat”, por me dijen e tij, të bëjë të ardhura, të krijojë një biznes të vogël, të krijojë një kompani të vogël shërbimesh dhe të shërbejë në të gjitha sistemet që nga sistemet digjitale, tek sistemet e shërbimit.
Kam folur shumë këto ditë për Malin e Zi. I kam parë me shumë vëmendje të gjithë njerëzit e shërbimit në hotelin për ndërtimin e të cilit njerëzit i dilnin në aeroport atij investitorit edhe i këndonin librin e shtëpisë. Kur vinte investitori në fillim i dilnin te aeroporti dhe i kam vënë re me vëmendje. Ishin të tërë pa përjashtim ata që pashë unë. Djem dhe vajza nga Mali i Zi. Të tërë me shkollë profesionale turizëm. Të tërë krenarë të paktën në mënyrën se si flisnin se i takoja që të kuptoja dhe kur i pyesja “po mirë ti ke bërë shkollë, ti ke këtë eksperiencë këtu, pse nuk ikën të shkosh në një vend tjetër, të bësh recepsionistin të bësh menaxherin?”
“Nuk më del më shumë në fund të muajit sepse mund të marr më shumë po të shkoj në Zvicër, por do paguaj më shumë taksa, po do paguaj një qira më të lartë. Këtu jam në vendin tim dhe jam okay”. Po kush ja jep këtë mundësi? Ja jep këtë mundësi pikërisht ai vend, ai hotel që kërkon të ofrojë standarde shumë të larta.
Dhe në mbyllje dua të sjell ta spostoj fare nga turizmi, dua të sjell një tjetër shembull. Ne bëmë një marrëveshje me “Fincantieri”, për të për të hapur në Vlorë industrinë e anijeve në Pashaliman. Ne e kemi kantierin, por nuk kemi aty gjë tjetër përveçse kantierin e të shkuarës.
Fincantieri është një nga ekselencat më të mëdha të botës në fushën e prodhimit dhe mirëmbajtjes së anijeve dhe për arsye se ata tani duan të shtojnë prodhimin në profilin e anijeve ushtarake, disa tipologji të anijeve që janë më të vogla sesa ato të mëdhatë fare duan t’i të bëjnë me ne në Shqipëri, për arsyen se në kantierin e tyre bëjnë anije të mëdha dhe kanë nevojë për volum.
Do prodhojmë anije luftarake fillimisht për ushtrinë tonë, dy në mos gabohem anije luftarake që janë të nevojshme në bazë të kapaciteteve që na ka përcaktuar NATO dhe pastaj do prodhojmë anije dhe do shesim anije bashkërisht, një kompani e përbashkët. Gjëja e parë që do bëjmë me Fincantier-in do shkojmë në shkollën tregtare industriale të Vlorës për të prezantuar projektin, për të prezantuar profesionet dhe për t’i ftuar vajzat dhe djemtë e shkollës industriale tregtare profesionale të Vlorës, që të firmosin marrëveshje me Fincantier-in dhe të fillojnë të trajnohen, duke shkuar dhe në Itali tek Fincantieri për të qenë gati në momentin që fillon.
Bëhet fjalë për 400 vende pune në fillim dhe që do të shkojnë në perspektivë 800. Nuk janë vende pune për juristë, as për ekonomistë.
Më vjen mirë që ambasadori ju referua diçkaje që unë e përsëris gjithmonë sepse realisht u bëmë vendi me numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në botë. Janë vende për të gjithë zinxhirin e zanateve që ka nevojë ajo industri, që nga puna e dorës deri tek manipulimi ose drejtimi i robotëve.
Ky është arsimi profesional dhe jo për formalizëm, por realisht dua ta falënderoj shumë qoftë qeverinë zvicerane, qoftë qeverinë gjermane, qoftë qeverinë austriake dhe natyrisht falënderoj Bashkimin Europian për gjithë shtysën që po na ndihmon që t’i japim arsimit profesional, sepse sado të kompjuterizohet bota, arsimi profesional do të mbetet një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë.
Mund të ndryshojnë profilet, por unë nuk besoj, mbase çdo gjë bën vaki, po unë nuk besoj se deti do futet në celular dhe do ofrojë mundësi për të bërë not brenda celularit. Nuk besoj se dielli do futet në celular dhe do ofrojë mundësinë për ta vënë celularin mbi vete dhe për të bërë banjë dielli. Unë nuk besoj se celulari mund të kthehet në një vend plazhi apo në një hotel.
Pra, njerëzit për sa kohë do jenë mbi këtë tokë do kenë nevojë për t’u shërbyer nga njerëz dhe nuk ma ha mendja se turistët gjermanë kur të vijnë në Shqipëri do pranojnë në vend të mikpritësve shqiptarë të mirëtrajnuar nga Zvicra, robotë që t’ju flasin shqip ose që t’ju flasin gjermanisht madje dhe t’ju thonë “mirë se erdhët” se gjermanët pak janë robot vetë, pak edhe t’i presin robotët në Shqipëri vetëm të çmenden fare. Do vijnë këtu pikërisht për atë pjesë që është pjesa e pushimeve, e kënaqësisë etj.
Kështu që besoj, shumë tek arsimi profesional, besoj shumë tek gjithçka po bëjmë. Kemi shumë për të bërë akoma. Jam i bindur që me mbështetjen e miqve dhe me më shumë komunikim për vlerat e këtij arsimi, do arrijmë të shtojmë numrin e atyre që marrin pjesë në arsimin profesional dhe mundësisht t’ia dalim që brenda 2030-ës një në tre nxënës të shkojnë në arsimin profesionale.
Shumë faleminderit!