Ujërat termale të Bënjës nuk janë tharë, boshatisja e vaskave është pjesë e testimeve teknike
Në lidhje me imazhet dhe lajmet që po qarkullojnë ditët e fundit në rrjetet sociale ku pretendohet se për shkak të ndërhyrjeve janë tharë ujërat termale në Bënjë dhe se po ndodh katastrofë mjedisore, qeveria shqiptare sqaron opinionin publik se në “Ujërat termale të Bënjës” boshatisja e përkohshme e vaskave termale është pjesë e procesit të testimeve teknike me prurjet e ujit dhe nivelin e tyre, ndërkohë që aktualisht vaskat janë duke u mbushur sërish në mënyrë të kontrolluar nga inxhinierët.
Qeveria qartëson se punimet për rehabilitimin e zonës së Bënjës po vijojnë normalisht në kuadër të projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, një investim strategjik për zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e infrastrukturës në një nga destinacionet natyrore më të rëndësishme të vendit.
Projekti synon të përmirësojë standardet e shërbimeve turistike, aksesin dhe kushtet për vizitorët, duke respektuar vlerat natyrore dhe standardet mjedisore përmes ndërhyrjeve minimale.
Aktualisht po kryhen testime teknike për verifikimin e funksionimit të sistemit, përfshirë prurjet e ujit dhe strukturën e vaskave. Këto janë procedura normale të zbatimit dhe garantojnë cilësinë, funksionalitetin dhe sigurinë e investimit. Ndërkohë që institucionet përgjegjëse vijojnë monitorimin e punimeve për të garantuar respektimin e standardeve mjedisore dhe mbrojtjen e ekosistemit.
Pas përfundimit të projektit, Bënja do të ofrojë infrastrukturë turistike më moderne, shërbime të përmirësuara dhe hapësira të reja për pushim e rekreacion, duke forcuar potencialin e saj si destinacion kombëtar dhe ndërkombëtar.
Qeveria e Shqipërisë garanton se ky investim mbetet i orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm, mbrojtjes së mjedisit dhe promovimit të trashëgimisë natyrore e kulturore.
Gjatë vitit 2025, Bënja u vizitua nga 103,761 vizitorë vendas dhe të huaj, çka dëshmon potencialin e saj turistik dhe faktin se punimet kanë vijuar në harmoni me natyrën, ndërsa zona ka mbetur e aksesueshme për vizitorët.